GJENEVË- Ministri grek i Punëve të Jashtme, Nikos Kotzias kërkoi sot largimin e trupave pushtuese nga Qipros duke shprehur keqardhje që bisedimet në kuadër të ribashkimit të ishullit të ndarë që prej më shumë se 40 vitesh nuk kanë hyrë në fazën e duhur.

Ky raund diskutimesh, nën drejtimin e OKB-së, ka filluar më 28 qershor në Krans-Montana, në praninë e presidentit qipriot, Nicos Anastasiades dhe drejtuesit qipriot turk, Mustafa Akinci dhe përfaqësuesve garant për sigurinë e ishullit, Greqia, Turqia dhe Britania e Madhe (ish-fuqi koloniale) që ruan të drejtën për të ndërhyrë ushtarakisht.

Kotzia, mbështetur nga Athina, bën presion për heqjen e kësaj ndërhyrjeje të njëanshme dhe kërkon një kalendar të qartë për tërheqjen progresive të trupave turke.

“Pala greke mbetet në pozicionin e saj dhe nuk mund të ketë aty të drejtë për ndërhyrje dhe se trupat pushtuese duhet të largohen me një traktat që parashikon procedura e tërheqjes”, deklaroi Kotzias, në Krans-Montana.

Zëvendëskryeministri turk, Numan Kurtulmus, duke u shprehur për median në Ankara, theksoi se përsa i përket çështjes së sigurisë dhe garancive Turqia nuk shkon prapa.

Kotzias kërkoi përveç të tjerave një diskutim të thellë përsa i përket çështjes së sigurisë, çështje që nxit tensionet mes delegacioneve qipriote rivale.
“Ne jemi në ditën e gjashtë dhe debati ende nuk është hapur”, shtoi ai.

Qipro, që numëron një milion banorë, është ndarë që kur ushtria turke pushtoi në vitin 1974 pjesën veriore të ishullit në reagim të grushtit të shtetit që parashikonte bashkimin e vendit me Greqinë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: