Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës ka komentuar panairin e fundit, në të cilin u promovuan mallrat e shteteve të rajonit, përfshirë edhe Serbinë.

Në një komunikatë për media, MPJ ka thënë se hiperbolizimet përmes simboleve shtetërore, nuk i shërbejnë bashkëpunimit rajonal mes vendeve të Ballkanit Perëndimor.

MPJ i rikujtuar Serbisë se Kosova është e njohur nga 2/3 e shteteve anëtare të OKB-së dhe e disa organizatave ndërkombëtare.

“Në frymën e Marrëveshjes së Triestes të korrikut 2017, të pranimit në parim të Zonës Ekonomike Rajonale të Ballkanit Perëndimor, sipas së cilës synohet zhvillimi i rajonit, njëkohësisht është miratuar Plani i Veprimit Shumëvjeçarë, i cili synon të mundësojë rrjedhjen e lirë të mallrave, shërbimeve, kapitalit dhe të fuqisë punëtore me kualifikim të lartë; duke e bërë rajonin më tërheqës për investime dhe tregti; duke përshpejtuar përafrimin me BE-në dhe duke sjellë kështu prosperitet për qytetarët e Ballkanit Perëndimor”, thotë MPJ.

Sipas tyre, në këtë frymë organizohen panairet për promovimin e mallrave të prodhuesve rajonal në të gjitha panairet, si në Kosovë, në Serbi, Maqedoni, Shqipëri, Mal të Zi, Bosnje dhe Hercegovinë.

“Hiperbolizimet e natyrës politike përmes simboleve shtetërore apo nacionale nuk i shërben bashkëpunimit rajonal, për më tepër, janë tentime për të treguar supremacinë inegzistente apo protagonizmin tipik të pa bazë edhe në lëmin e ekonomisë, të lëvizjes së kapitalit dhe mallrave, etj.
Duke qenë se në vazhdimësi kemi tendenca të tilla edhe në këso lloj ngjarjesh, insistojmë që edhe në panaire të përdoren formulat e përfaqësimit si në organizimet e takimeve të larta të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor.
MPJ, ri-kujton fqinjin tonë verior, se shteti i ri i Republikës së Kosovës, i cili tashmë është njohur pothuajse nga dy të tretat e shteteve anëtare të Kombeve të Bashkuara dhe që është anëtarë i plotë dhe me të drejta të barabarta në më shumë se 60 Organizata Rajonale, Evropiane dhe Ndërkombëtare, lindi si rezultat i shpërbërjes së dhunshme të ish-Jugosllavisë, spastrimit etnik dhe gjenocidit ndaj shqiptarëve të Kosovës dhe themeli i ndërtimit të tij është parimi qytetarë dhe karakteri shumë-etnik, që tashmë pranohet edhe nga vet komuniteti serb në Kosovë”, thuhet në komunikatën e MPJ-së.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb