* Ky do mbetet një nga parlamentet më të damkosura të historisë
* Nuk duhet të ishte seancë vezësh por debati serioz

TIRANË- Deputeti socialist Ben Blushi deklaroi sot se Partia Socialiste duhet t’u kërkojë falje shqiptarëve për njerëzit e inkriminuar që futi në parlament. Duke folur për situatën e krijuar ditën e sotme në parlament dhe gjuajtjen me vezë ndaj kryeministrit, si një kopjim të veprimeve të opozitës kosovare, Blushi tha se opozita shqiptare nuk e ka kredon e asaj kosovare pasi ka qenë në pushtet dhe se shumë gjëra për të cilat akuzon maxhorancën i ka bërë vetë.

“Opozita nuk besoj se ka kredon që ka opozita e Kosovës, para 2 vjetësh ka qenë në pushtet. Shumë nga gjërat që na akuzon i ka bërë vetë. Në vend se të ishte një debat vezësh, duhet të ishte një debat serioz për gjendjen ku është katandisur parlamenti. Për njerëzit që janë futur në parlament”, tha Blushi.

Ai foli për një drejtësi me dy standarde, pasi tha se njerëzit e thjeshtë nuk gjykohen si politikanët. Blushi deklaroi se PS duhet t’u kërkojë ndjesë shqiptarëve për degradimin e parlamentit.

“Njerëzit që janë futur në parlament nuk gjykohen si njerëzit e thjeshtë. Politikanët gjykohen ndryshe nga drejtësia. Sot ka ardhur dita që të paktën ne që jemi në shumicë, PS duhet t’u kërkojë ndjesë shqiptarëve për degradimin dhe ndotjen e imazhit të parlamentit. Ky do mbetet një nga parlamentet më të damkosura të historisë. Shumë njerëz që nuk duhet të ishin aty, njerëz me rekorde kriminale, ishin dhe mbeten atje. Ka ardhur koha që PS t’u kërkojë ndjesë shqiptarëve për çfarë njerëzish futi në parlament, duke degraduar raportin e zgjedhësve me parlamentin dhe duke i treguar njerëzve që nuk ka nevojë të mësosh por të jesh muskuloz”, theksoi ai.

I pyetur rreth vendimit të Gjykatës për Armando Prengën, Blushi tha se, ‘nuk gjykoj vendimin e gjykatës, por sot nuk duhet të ishte seancë vezësh por debati. Parlamenti nuk duhet kthyer në një treg vezësh apo bashkësi njerëzish të çoroditur”.

(m.k/da.bo/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: