ELBASAN- Ndërsa socialistët pritet të zgjedhin sot delegatët e Kongresit, sipas parimit një anëtar-një votë, nuk mungojnë as kritikat. Deputeti kontravers Ben Blushi ka shprehur shqetësimet për një proces të trukuar për zgjedhjen e delegatëve të Asamblesë së Partisë Socialiste. Sakaq, kryeministri Rama përgjigjet nga Fieri duke thënë: “Qentë le të lehin, karvani ecën përpara”.

Në një komunikim telefonik për News 24 Blushi sqaroi të gjitha akuzat që ngriti për procesin e zgjedhjes së delegatëve të PS, duke thënë së përgjegjës është Rama, i cili e ka shpallur zgjedhjet dhe as listat e zgjedhësve. Blushi thotë se as ai vetë nuk kishte dijeni që zgjedhjet mbaheshin sot, si dhe e akuzon Ramën se ka uzurpuar PS.

BLUSHI AKUZON: PROCESI PO TRUKOHET
Kontraversi socialist, Ben Blushi deklaroi sot se ka marrë shqetësime për një proces të trukuar për zgjedhjen e delegatëve për Asamblenë e Partisë Socialiste.

Blushi pohoi se këto ankesa i kanë ardhur nga socialistë të qytetit të Elbasanit. Sipas ligjvënësit Blushi në listën e delegatëve është edhe kreu i Qarkut të Elbasanit, që sipas tij është përkrahës i ish-kryeministrit Berisha.

Ndër të tjera deputeti i PS-së pohoi se ‘kreu i qarkut votoi për presidentin e Saliut’. Nga Elbasani Blushi tha se në këtë qytet një kastë ka në dorë gjithçka.

“Më vjen keq që ka kaos për listat e zgjedhësve. Lista nuk i përgjigjet kërkesave të anëtarësisë. Në Elbasan një kastë ka në dorë gjithçka”, tha Blushi. Ai akuzoi kryeministrin Edi Rama, njëherësh kreu i Partisë Socialiste se ka krijuar një rend me dy standarde. Sakaq, në takim me delegatët, ka qenë i pranishëm dhe deputeti i Qarkut Elbasan, Taulant Balla, ndërsa nuk kanë munguar dhe përplasjet me kolegun e tij Blushi.

Socialisti Blushi i është drejtuar Ballës duke i thënë se: ‘ti je deputet i Librazhdit, shko tek zyra jote’, ndërsa ky i fundit i është përgjigjur se ‘unë jam deputet i qarkut të Elbasanit’. Nga ana tjetër, Blushi iu drejtua se: ‘bëni deputet bukuroshin e Saliut’. Ndërkohë, Balla i kujtoi Blshit se ka qenë pikërisht Partia Socialiste ajo që e ka sjell me anë të një procesi votimi në Elbasan. “Ben Blushin e solli në Elbasan procesi i votimit në PS”.

Ben Blushi ka shpallur kandidaturën për kreun e PS-së, nëse vendoset që do të ketë garë për zgjedhjen e kreut të ri, post të cilin aktualisht e mban kryeministri Edi Rama.

BALLA: BLUSHI KA 2 VITE QË NUK VJEN NË ELBASAN, S’DINTE ZYRAT E PS-SË
Fill pas reagimit të deputetit kontrovers Ben Blushi ka reaguar në distancë dhe deputeti Taulant Balla, i cili është përplasur dhe ballë përballë me kolegun e tij. Në një lidhje telefonike në News 24, Balla tha se Blushi ka dy vite që nuk vjen në Elbasan, ndërsa nuk dinte as zyrat e PS-së.

“Do të bëhet kryetar i PS Ky është një proces që ka nisur që në shator. Sot është përmbyllja e fazës së parë dhe nivel lokal e rajonal. Më pas vjen faza e dytë që është kongresi. E dija që sot Blushi do fliste dhe do dilte të fliste për procesin, por që nuk ndryshon. Ai nuk i di fare këto se po bën mbi 2 vite që nuk vjen në Elbasan. Sipas një model tradicional, janë njoftuar me listë të gjithën kandidatët. Blushi nuk ka si ti dijë këto, sepse ai nuk ka ndjekur asnjë takim të organizuara. Ky është një gabim i madh në një proces të madh. Në të gjithë qendrat e votimit është mbi 50 për qind. Ajo që më ka pëlqyer sot është socialistët kanë ngelur në radhë. Ky është një keq shpërdorim i të folurës në publik në emër të partisë tende. Një njeri që dëshiron të bëhet kryetar partie, e fillon fushatën me akuza, kjo nuk është normale.”, tha Balla.

Më tej ai shtoi se Blushi nuk i njeh delegatët e Elbasanit, ndërsa pohoi se një kandidat që aspiron drejtimin e PS-së, nuk mund të shajë këtë parti.

“Një njeri që vjen në Elbasan dhe nuk e di se ku janë zyrat e partisë. Kjo i përmbledh të gjitha. Unë jam më i vjetër se Blushi, sa i takon hyrjes tek PS. Nuk ka asnjë parti në botë që listën e partisë së vet e nxjerr në web-site. Ky është një proces i brendshëm. erdhi në qendrën e votimit dhe tha se nuk janë afishuar listat, por ishin pas tij. Kur i pa që ishin afishuar listat tha se nuk ishin bërë publike emrat në web-site. Vjen një deputet pas dy vitesh dhe nuk i di se ku ka zyrat e partisë. Ai është një koleg dhe anëtar i PS.”, tha Balla.

RAMA: QENTË LE TË LEHIN, KARVANI ECËN PËRPARA
Kryeministri Edi Rama i ktheu përgjigje në distancë deputetit të Elbasanit Ben Blushi i cili tha se ka marrë informacione dhe shqetësime nga delegatët e Elbasanit për proces të trukuar.

Nga Fieri, Rama shkruan se “Socialistët po votojnë në masë për delegatët, ndërsa qentë le të lehin, karvani ecën përpara”.

PELESHI: PËRFUNDUAM ZGJEDHJET NË TË GJITHA ORGANIZATAT, PROPOZIME TË BËJË GJITHKUSH
Në lidhje me zgjedhjet për riorganizimin e Partisë Socialiste të Korçës ka folur edhe zv.kryeministri Niko Peleshi, duke shtuar se kanë përfunduar zgjedhjet në të gjitha organizmat.

Sipas Peleshit, kongresi do vendosë për ndryshimet në statut ndërsa Partia Socialiste do të jetë më e forcuar.

Përsa i përket akuzave të Blushit, Peleshi shtoi se: “Çdo propozim e ide është shprehje e së ardhmes. Çdokush ka të drejtë të bëjë propozime, ndërsa Kongresi është një mundësi për të komunikuar platformat”.

BLUSHI: ZGJEDHJET NUK U SHPALLËN, NUK KA AS LISTA. PROCESI QESHARAK SI VETË RAMA
Në një komunikim telefonik për News 24 deputetiti Ben Blushi sqaroi të gjitha akuzat që ngriti për procesin e zgjedhjes së delegatëve të PS, duke akuzuar kryeministrin Rama se nuk e ka shpallur një datë për këto zgjedhje, se nuk ka publikuar lista. Ai shton se si deputet nuk kishte dijeni që zgjedhjet mbaheshin sot. Blushi më tej shtoi se Rama ka uzurpuar PS.

Më tej Blushi tha se Rama po i zgjedh vetë ata që do ta zgjedhin atë si kryetar, pasi sqaroi se nëse do këtë zgjedhje për kryetar ato nuk do jenë sipas parimit një anëtar një votë.

“Procesi e para është shtyrë në kohë, më shumë se 2 vite e gjysmë. Ky kongres duhet të ishte mbajtur para 3 vitesh. Thelbi i këtij kongresi, sepse pakënaqësia është shumë e lartë brenda PS, Edi Rama po zgjedh zgjedhësit e vetë që të zgjedhin atë. Zgjedhësit nuk kanë ardhur në bazë të një konkurrence, janë lista të bëra nga lart dhe i serviren bazës poshtë. Janë bërë nga ata që dalin çdo ditë në tv dhe mbështesin Ramën, listat po i bën qeveria. Sot kam pasur ankesa nga shumë anëtarë që nuk kanë emrat nëpër lista. Unë jam deputet dhe nuk jam njoftuar vetë, sot e mora vesh që ka zgjedhje. Unë që jam anëtar i kryesisë e deputet nuk e dija që do kishte zgjedhje. Hyni tani në faqen e PS, nuk ka lista zgjedhësish. A mund të ketë zgjedhje kur zgjedhjet nuk u shpallën dhe nuk ka as lista?”

Blushti vijoi më tej, ndërsa shtoi: Unë nuk kam kontaktuar me askënd sepse në mënyrë arbitrare jam përjashtuar nga ky proces. Përkundrazi PS në Elbasan i është lënë në administrim zyrës së punës së Librazhdit, nuk jam fare i deleguar, asnjë njoftim nuk kam pasur për këto zgjedhje, nga asnjë instancë nëse ka të tjerë…kur nuk njoftohem unë që jam deputet, imagjino dhjetëra e mijëra socialisitë. Si u njoftokan zgjedhësit me telefon? Domethënë njoftojnë ata që duan dhe lënë ata që s’duan, është selektim. Procesi është i gjithi i trukuar”.

Më tej Blushi komentoi edhe reagimin e Ramës, duke thënë se karvani i tij që ecën përpara është karvani që ka uzurpuar Shqipërinë. “Po e shikoni që po zgjidhen delegatët sipas parimit një anëtar një votë, nëse formalisht po zgjidhen sipas statutit në fuqi a mund të pranohet që delegatët u zgjidhkan dhe kryetrari i PS nuk pranon të zgjidhet si kryetar me parimin një anëtar një votë? Ky që pretendon se ka marrë një milion vota pse ka frikë dhe nuk i nënshtrohet këtij procesi? Për çfarë standardi flasim? Këto janë dy standarde? Pavarësisht se karvani i Edi Ramës shkon përpara, ky është karvan që ka uzurpuar PS, ka shtënë në dorë qeverinë e Shqipërisë”.

“Kërkoj që sot këto zgjedhje të bëhen sipas statutit në fuqi, kjo që po ndodh sot justifikon kontradiktën e thellë logjike të Ramës. Pra, ju keni të drejtë të votoni delegatët por jo mua. Kjo është e dhunshme, po i zhvesh anëtarët nga një e drejtë. Ky proces është qesharak, Rama është njeriu më qesharak në këtë histori”,- mbylli Blushi fjalën e tij.

(ed.me/ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: