NGA: ILIR KALEMAJ*
Tezat e Blushit që kanë shkaktuar një tronditje jo të vogël në selinë rozë kanë nisur një proces që i ka ndarë interpretuesit në disa kampe. Ka nga ata që thonë që është i pashpresë, një lloj Don Kishoti i së majtës apo një Cipras pa parti apo grupim që e mbështet. Pra “njësh për të qenë dysh” siç e quajti jo pa shpoti ish-kryetari Nano në zenithin e tij politik. Të tjerë merren me vlerat e Blushit si individ, duke e quajtur elitist, të palidhur me bazën, të paaftë për të ndërtuar ura komunikimin me anëtarësinë dhe të parrahur me fushatat brenda partiake. Në fakt, akuza që dikur dhe me më shumë pikëmbështetjeje faktike dhe logjike bëheshin për Ramën. Ky i fundit i katapultuar ministër i Kulturës, me mbështetjen kryesore të ish-mikut rival Blushi, ministër asokohe i qeverisë Nano, iu hap rruga me teoritë drejt postit të kryebashkiakut. Dhe kur tentoi të garonte ndaj Nanos krahas një figure më të stazhionuar politike si Mejdani në atë kohë, dukej pak a shumë aventurier i tipit Ndocaj sot. Megjithatë, kryeministri i sotëm as nuk u linçua në takim militantësh, as e distancuan si lebroz, as e telendisën si shakaxhi, por përkundrazi e mbështetën në postin e kryebashkiakut për të pasur mandat sa më të suksesshëm dhe natyrisht të mirë-reklamuar. Natyrshëm Blushi pretendon të jetë pasardhësi.

Pakti i tij me Ramën, ndonëse i mbajtur i fshehur nga proxhektorët e medias, i shëmbëllen atij të Tony Blair-it me Gordon Brown, ku i pari nuk respektoi kalimin e stafetës dhe garoi edhe për herë të tretë dhe e la pushtetin vetëm pas dhjetë vitesh të pandërprerë si kryeministër, duke ia faturuar koston e konsumimit të pushtetit të pafatit Brown. Blushi në sajë të dy dekadave militimi në partinë socialiste dhe jo thjesht vegjetimi në të, në sajë të oratorisë dhe aftësive intelektuale, është ndër të paktët që e ka merituar të qenit në atë sallë parlamenti duke u bazuar te aftësitë dhe jo te bindja servile ndaj të pushtetshmit të radhës. Është po aq legjitime ambicia e tij politike sa ishte ajo e Zhorzh Pompidu-së kur zëvendësoi “babain” e kombit francez De Gaulle, ndoshta dhe pa dëshirën e këtij të fundit apo kur Sarkozi si studiues i mirë i historisë, zëvendësoi Shirakun pa bekimin e këtij të fundit. Politika si çdo fushë tjetër është çështje pasioni, vetëmohimi, aftësie dhe lidershipi. Barak Obama shkëlqeu në garën ndaj ish-senatores Klinton në atë kohë, ndonëse kjo e fundit pritej të kurorëzohej e Blushizmi si platformë politike pasfiduar.

Apo Jeb Bush së fundmi që e filloi garën si favorit i padiskutuar dhe mezi u rendit i katërti apo i pesti në ato tre shtete ku u votua përpara se të dorëhiqej. Pakti “mjaftist” i Ramës për t’ia trashëguar pushtetin beniaminit të tij në krye të bashkisë më të madhe dhe të rëndësishme të vendit, nuk ka se si ta lerë indiferent Blushin apo ata që e mbështesin. Dhe këta të fundit, të zëshëm apo jo, nuk janë të paktë. Besoj se kryetari i PS-së ka indicie të mjaftueshme, në bazë sondazhesh të fshehta brenda-partiake që heziton të garojë një garë ku sipas mbështetësve të tij mediatikë e ka të fituar në mënyrë plebishitare që në start. Sepse si politikan i regjur dhe ndër më jetëgjatët në skenën publike në vend (ndonëse i pëlqen ta quajnë artist dhe jo politikan), e di mjaft mirë që faktorët dhe vektorët e ndryshëm në parti, pavarësisht pëlqimit apo jo të Blushit në rrafsh individual, do bëhen bashkë për t’i dhënë një leksion (të mirë) demokracie liderit aktual.

Janë mijëra socialistë të pakënaqur në bazë që ndjehen të pashpresë dhe të papunë pas tre vjet qeverisje të majtë, ku kjo e fundit ka lëvizur ndjeshëm si nga premtimet e fushatës ashtu dhe në filozofi dhe ideologji duke shtuar koncesionet, pezulluar investimet publike dhe favorizuar klientelizmin. Janë po aq të shumtë ata anëtarë dhe kryetarë komisionesh, drejtues të partisë në bazë apo militantë të zëshëm dhe të pazëshëm që shohin që një grupim i ardhur nga e ashtuquajtura “shoqëri civile” e grupuar dikur në një parti 99-she që nuk arriti të merrte as 1 për qind të votave të shkallë republike (vetëm 0.86 për qind), që ndjehen të braktisur sot, kur këta përfaqësues janë katapultuar në pozicionet drejtuese të pushtetit qendror dhe lokal, pa asnjë kontribut partiak, qoftë ky organizativ, vleror apo intelektual. Dhe këta të pakënaqur, pavarësisht mendimit personal mbi Blushin si politikan, bien dakord mbi tezat që ai ngre dhe që bazohen në vlerësimin sipas performancës, karrierën legjitime politike bazuar në meritë, respektimin e statutit të partisë dhe të kontratës së bërë me qytetarët në zgjedhjet e fundit, dhënien fund të klientelizmave, korrupsionit dhe “kapjes së shtetit” etj.

Nëse Blushi nesër do i tradhtojë këto teza, duhet vënë dhe ai në bankën e të akuzuarve dhe të llogaridhënies. Por sot Blushizmi është kredo politike që nderon artikuluesin e saj përtej personit fizik, qoftë ky një deputet-shkrimtar që sot po i qëndron përballë një ish-miku rival dhe kryeministër-artist. Zgjedhje apo ajo për kryetarin, fati politik i Blushit nuk është vendosur dhe karriera e tij politike nuk ka përfunduar. Trajektorja e tij politike mund të vazhdojë në PS si një anëtar i thjeshtë, por me gjithnjë e më shumë mbështetës (në pritje të një katarsis-i të dytë) apo në një formacion rishtar politik, por për sa kohë që bursa mediatike t’ia vlerësojë idetë dhe simpatizantët të vijojnë të grupohen rreth tij, fati i mbramë politik i Blushit është ende larg përcaktimit final.

(ed.me/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: