TIRANE – Kryetari i Komisionit të Sigurisë, Spartak Braho, nuk ka pranuar të japë informacion se çfarë ka deklaruar në Prokurori mbi çështjen “Doshi”, duke deklaruar se gjithçka është pjesë e sekretit hetimor. I pyetur nga gazetarët nëse vizita e tij në Gjermani ka lidhje me Fation Skënderin, personin e akuzuar nga Tom Doshi si ndërmjetësi i vrasjes, Braho tha se edhe “Basha ka qenë në Strasburg, a e keni pyetur se përse ishte?”

“Edhe Basha ishte në Strasburg e keni pyetur përse ishte? Prokuroria vijon me intensitet punën e saj. Nuk kam thënë komplot, ka sajesa ka trillime. Është pjesë e sekretit nëse kam dorëzuar video. Ato që dëshmova janë të gjitha sekrete hetimore”, deklaroi Braho.

Edhe para se të hynte në Prokurori në orën 18:30, Braho është treguar diskret dhe nuk ka dhënë informacione por i është përgjigjur me ironi interesit të gazetarëve.

“E patë më kë erdha?- pyeti ai gazetarët duke treguar makinën e tij. – Me një të penduar tjetër! Ai i ka marrë të tëra videot,” – tha Braho, duke u treguar gazetarëve aktorin e humorit, Besart Kallakun ose “Gjinin”. Kallaku ka shpërndarë sot një video ku luan rolin e një të penduari, që kishte planifikuar të vriste deputetët e Kuvendit të Shqipërisë e kishte vendosur dhe çmime për kokat e tyre.

(m.k/ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb