Në Shkup gjatë fundjavës është zhvilluar Kampionati Ballkanik i Xhudos për të rritur ku përfaqësuesja e Kosovës u kurorëzua me gjashtë medalje, dy prej të cilave të arta të fituara nga Loriana Kuka në peshën 78 kg dhe Distria Krasniqi në peshën 52 kg.

Medaljet e fituara nga sportistet kosovare prodhuan një rast të paprecedentë. Në ceremoninë e ndarjes së çmimeve dy konkurentet serbe nuk e respektuan himnin e Kosovës duke u larguar nga podiumi. Këtë e raporton vetë trajneri Driton Kuka përmes një postimi në rrjetin social “facebook”.

“Dje në Shkup në Kampionatin Ballkanik erdhën sinjale që edhe mbesa ime po ndërtohet si kampione e ardhshme, fitoi tri luftëra nga garueset nga Turqia, Serbia dhe në finale kundër garueses nga Bosnja Sabina Haracich. Ceremonia e ndarjes së medaljeve dje solli diçka josportive.

Garuesit nga shteti fqinj nuk qëndruan në podium gjatë ngritjes së flamurit dhe intonimit të himnit! Loriana Kuka s’u hidhërua që garuesja që i shkaktoi humbje nga Serbia nuk qëndroi në podium. E njëjta situatë ndodhi edhe me Distrien gjatë ceremonisë, por as ajo s’u hidhërua fort. Politika në sport solli shije të keqe dje në qytetin e Shkupit”, ishte mesazhi i trajnerit Kuka.

Lidhur me ngjarjen ka reaguar edhe Federata Kosovare e Xhudos që sjellejn e kombëtares fqinje do ta cilësonte të ulët dhe josportive.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb