Senatorët brazilianë votuan me 61 vota pro dhe 20 kundër për ta shkarkuar presidenten Dilma Rousseff nga detyra, duke e gjetur fajtore se ka shkelur ligjet e buxhetit.

Vendimi u mor sot pasi zonja Rousseff, presidentja e parë grua e vendit, iu përgjigj të hënën pyetjeve për 14 orë.

Argumentat përfundimtare për shkarkimin e saj u paraqitën të martën.

Zonja Rousseff akuzohej se kishte përdorur ilegalisht para nga bankat shtetërore për të mbuluar defiçitet në buxhetin federal në një përpjekje për të rritur popullaritetin e saj para zgjedhjeve presidenciale të vitit 2014.

Ajo kishte akuzuar kundërshtarët e saj se kanë përdorur gjyqin si një mënyrë për ta përmbysur atë dhe për të minuar demokracinë në Brazil.

Zonja Rousseff pritet të zëvendësohet nga nënpresidenti i saj Michel Temer.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: