Një nga emrat që del shpesh në raportet e UEFA-s për trukimet e ndeshjeve të Skënderbeut është edhe ai i brazilianit Eskerdinja, i akuzuar shpeshherë nga inspektorët ndërkombëtarë se është paraqitur dobët në ndeshjet që cilësohen si të trukuara. Por futbollisti brazilian, ka shpjeguar për mediat në Portugali se nuk ishte e mundur që skuadra korçare të kishte trukuar ndeshjet për të cilat akuzohet, shkruan VipSport.

E përditshmja portugeze “Rekord” ka intervistuar mesfushorin, duke kërkuar shpjegime sidomos për humbjen 5-1 ndaj Sportingut, që cilësohet nga UEFA si shembulli konkret se si manipuloheshin ndeshjet nga korçarët. “Më kujtohet që po luanim mirë, por pastaj sulmuesi ynë (Hamdi Salihi) u përjashtua me të kuq. Nëse me 11 lojtarë në fushë është e vështirë, imagjinoje me një futbollist më pak…”, thotë Eskerdinja, i cili shpjegon se lojtarët nuk kishin arsye pse të paraqiteshin dobët.

“Në të gjitha ndeshjet e Ligës së Europës kishim premio për fitoren. Shifrat ishin më të larta kur luanim jashtë. Tani, nëse premiot ishin të mira, ne duhej të shkonim të humbnim ndeshjet? Siç e thashë edhe më parë, ekipi nuk lejoi asgjë. Sportingu ishte më i fortë, për më tepër me një lojtar më shumë… ishte gjithçka e natyrshme”, vijon mesfushori.

Por si ka mundësi që Skënderbeu u mund 5-1 në ndeshjen e parë dhe pastaj fitoi 3-0 në shtëpi? Eskerdinja ka një përgjigje edhe për këtë. “Në fushën tonë, Rui Patricio u përjashtua me të kuq në fillim dhe gjithçka u bë më e lehtë. Mendoj se rezultati ishte pak i ekzagjeruar, pasi Sportingu ishte më i mirë se ne. Pastaj na motivoi edhe Zhorzh Zhezus, pasi tha se do të bënte rotacion të skuadrës. Kjo na motivoi më shumë dhe ia dolëm të mundnim Sportingun”, kujton ish-mesfushori i Skënderbeut i cili tashmë aktivizohet në kategorinë e tretë braziliane./vipsport
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb