TIRANË- Një pjesë e mirë e bregdetit në afërsi të Mifolit në Vlorë është mbuluar nga droga. Gazetari Enrik Mehmeti ka siguruar për “BalkanWeb” pamjet nga zona ku sot u gjet një sasi e madhe droge rreth 400 kg. Lënda narkotike është gjetur në forma të ndryshme, e papërpunuar, gjysmë e përpunuar dhe gati për treg.

E dyshimtë, është mënyra se si ka mbërritur kjo sasi droge në këtë zonë. Një pistë është ajo e nxjerrjes nga lumi Vjosë, që ndodhet rreth 100 metër larg zonës ku u gjet droga. Një tjetër mundësi është ajo e braktisjes nga trafikantët, që mund të jenë pikasur nga policia. Por lënda narkotike sipas Mehmetit tashmë është e padobishme, pasi është dëmtuar nga uji.

“E gjithë sasia e lëndës narkotike është jashtë përdorimit pasi është dëmtuar nga uji. Lënda narkotike e hedhur në këtë pikë, është e një parapërgatitjeje të çokollatës. Gjendet në tre faza, në boçe, e grirë imët dhe në pluhur. Lënda narkotike ka qenë e mbushur në thasë të bardhë dhe sipër tyre në thasë të zinj. Vlera e lëndës narkotike mund të shkonte në tregun italian në 1800 euro. Policia po heton se cili apo cilët kanë qenë pronarët dhe nëse ka persona nga fshati Mifol të implikuar. Dyshohet se destinacioni ka qenë Italia”, raportoi gazetari Enrik Mehmeti.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb