Menu Krye Të Fundit | Shqipëria |

Breshëri dëmton të mbjellat në Fier, fermerët: Na u shkatërruan prodhimet, duam dëmshpërblim

FIER- Reshjet e breshrit që përfshinë Fierin mbrëmjen e së mërkurës kanë sjellë dëme të mëdha në sera. Fermerët shprehen se kultura të tëra bujqësore janë shkatërruar, sidomos në zonën e Roskovecit e në këto kushte ata apelojnë për dëmshpërblim.

“Serat kanë marrë fund. Kemi pësuar një dëm shumë të madh, aq sa ne nuk kemi mundësi që t’i bëjmë nga e para prapë. Po pati mundësi shteti të na ndihmojë. Ka vajtur dëmi shumë lek, rreth 20 mln lek dëme. Çdo që ka marrë fund”, thotë një fermer.

Ndërsa një fermer tjetër thotë se, “sipërfaqja e dëmtuar është 2 dynym e 300 metra. Komplet plastmasi i parë, dhe i dytë i serës janë dëmtuar. Kanë dalë jashtë funksionit totalisht. Rreth 3 mln lekë. Kemi vajtur edhe në Bashki dhe në njësitë vendore dhe nuk kemi marrë asnjë përgjigje”.

“Domate, ullinj, vresht, çdo gjë është dëmtuar. Çdo gjë është bërë përshesh në tokë. Shteti të na ndihmojë për këto dëme që na ka bërë natyra”, thotë një tjetër fermer.

Kryetarja e bashkisë se Roskovecit bën me dije se është ngritur një grup pune për të verifikuar dëmet e shkaktuara dhe pas evidentimit çdo gjë do të kalojë për miratim në këshillin bashkiak.

“Grupet kanë dalë në terren, për të evidentuar të gjitha problematikat, të gjitha dëmet e shkaktuara edhe në sera, në materialet e plastmasit që me sa di ka pësuar dëme e çarje nga breshri. Po kështu do evidentohen edhe dëmet e shkaktuara në të mbjellat e hapura. Menjëherë pas verifikimit në terren grupi do të mblidhet përsëri, dhe do të hartojë procesverbalin dhe gjithë dokumentacionin e duhur ligjor. Më pas do të bëhet miratimi i saj në mbledhjen e Këshillit, apo në një mbledhje më urgjente. Do ta kalojmë në prefekturë, e më pas sipas ligjit në Ministrinë e Bujqësisë dhe atë të Brendshme për këto emergjenca. Në mënyrë që këto dy institucione të japin dëmshpërblimet për këto emergjenca”, u shpreh kryetarja e Bashkisë së Roskovecit, Majlinda Bufi.

Për fermerët e Fierit ky është një rast i përsëritur, pasi edhe gjatë dimrit u shkaktuan shumë dëme në këtë zonë si pasojë e motit të acartë.

(el.sp/BalkanWeb)


Komente ( 7 )

KOMENTO

*E-mail nuk do te publikohet.
Komenti juaj do publikohet brënda 3 orëve , nëse përdorni fjalor ofendues , komenti nuk do të publikohet nga moderatori .