Kardilogu i njohur, Sabit Brokaj, pjesë e grupit të mjekëve që kujdeseshin për Enver Hoxhën, zbulon dokumentin konfidencial të vitit 1982 që liderit komunist i kishte mbërritur nga Moska.

Në rrëfimin e tij për gazetën “Panorama”, Brokaj shprehet se një grup studiuesit rusë, nga një institut prestigjioz në Moskë, kishte mbërritur në konkluzionin se socializmi si teori dhe praktikë ekonomike kishte dështuar dhe këshillonte ndryshimin e menjëhershëm të kursit, veçanërisht në modelin ekonomik.
Këtë paralajmërim të hershëm, që kur ishte gjallë Enver Hoxha, askush nuk e mori në konsideratë, as edhe Ramiz Alia pas vdekjes së Enverit. Për Brokajn, Ramiz Alia nuk kishte asnjë presion nga kasta e vjetër e PPSH­-së për të mos bërë reformat dhe ndryshimet, por ishte i një tipi sui generis.
Nga mitingu i themelimit të Partisë Demokratike
SHQIPERIA

Ai tregon dhe debatin që disa intelektualë reformatorë kanë bërë në një nga mbledhjet e Komitetit Qendror të PPSHsë në vitin 1990 e që janë kundërshtuar me forcë nga ithtarët e sistemit komunist.

NGA ARISTIR LUMEZI
Në krijimin e partive të reja, sa ishte influenca e Ramiz Alisë?

Te PSD­ja, ndikimi i Ramizit ka qenë zero. Duke ruajtur modestinë, siç më tha më vonë, Skënderi ishte përpjekur për krijimin e partisë dhe Ramizi e kishte penguar, duke i thënë se në këtë mënyrë dëmton interesat e partisë. Mundet të jem i saktë, më 17 shkurt të 1991 i kërkova një takim Ismail Ahmetit në zyrën e tij, si ministër i qeverisë teknike. Unë kisha pak ditë që isha bërë ministër. Ishte dita kur Ismaili dhe Skënder Gjinushi dhanë dorëheqjen nga qeveria e Nanos. I hodha idenë e krijimit të një partie socialdemokrate. Nuk kisha ndonjë njohje të madhe, por e besoja si karakter.
Ne foto Alia me disa nga anëtarët e Byrosë Politike të PPSH­-së
ALIA

Ai ishte dakord dhe i propozova që të ftonim profesor Gjinushin, ish-ministrin që sapo ishte dorëhequr, Muntaz Dhramin, rektorin e Universitetit të Tiranës, Nikollaq Konomin, disa dekanë etj., një listë me emra.
Ai pranoi dhe i thirrëm në zyrën e tij këta persona. Në një nga takimet, Skënderi më thotë: Ore po si arrite ta bëje partinë? Çfarë të tha Ramizi? Po të pyesësh Ramizin, i thashë Skënderit, ai nuk të le kurrë të bësh parti! Gjinushi qeshi dhe më tha: Edhe mua kështu ma bëri. Më tha mos krijo parti se dobëson partinë tonë! Dhe qeshëm.
Unë më pas ika në Amerikë dhe ata vazhduan aktivitetin dhe kur u ktheva, Skënderit i mbeti qejfi pse unë nuk u angazhova më tej me PSD­-në.
Një ditë, duke dalë nga Parlamenti, disa nga ata të PD­së që e dinin se unë isha angazhuar në krijimin e PSD­së, i thonë Skënderit: Po këtë
(për mua) ku e ke? Skënderi siç i ka batutat iu përgjigj: Hëëë, Sabiti erdhi në stacion, na hipi në tren dhe vetë qëndroi! Dhe unë ia ktheva:
Po ju kaq mend kishit, ikët si bagazhe!
Nga ish-­Presidenti Alia me studentët e dhjetorit ‘90
ALIA2
Është folur për një material të ardhur në Shqipëri nga mbledhja e Katovicës të dërguar nga Gorbaçovi për Ramiz Alinë?

Jo, jo, nuk di të ketë pasur një gjë të tillë. Unë di një gjë të saktë që e kam lexuar vetë. Vetë themeluesit e socializmit, një institut i
studimeve politike dhe ekonomike në Moskë, kishte dalë në konkluzionin se socializmi nuk ka më perspektivë, ka dështuar si ideologji dhe praktikë ekonomike. Këtë unë e kam lexuar nga azhanset që i shkonin Enver Hoxhës.
Ne foto takim i Ramiz Alisë me intelektualët, në korrik 1990
ALIA4

Në çfarë viti ka qenë kjo?
Ka qenë viti 1982­1983. Sulo Gradeci na kërkonte ne, grupit të mjekëve, që të lyenim me formalinë çdo shkresë apo material që do lexonte Enveri, me qëllim që të mos depërtonte ndonjë infeksion dhe na të jepej mundësia që para se t’i lexonte Enveri lajmet konfidenciale, t’i kishim lexuar ne Këto studime iu rekomandonin udhëheqësve politikë të vendeve komuniste të Lindjes që të ndërmerrnin reforma të mëdha ekonomike për ndërrimin e kahut sepse socializmi kishte dështuar. Prandaj, më vjen keq me Ramiz Alinë që nuk pati kurajën dhe guximin që, pasi i kishin dhënë prognozën, institute prestigjioze studimi, por dhe
realiteti i ekonomisë shqiptare ia kërkonte, që të ndërmerrte ato hapa që duheshin që të mos e linte vendin në katastrofë ekonomike.
Flasim për vitin 1982, një material që më ra mua në dorë, por si ai mund të ketë pasur me dhjetëra që informonin qeveritë e Lindjes. Nuk ishte pengesë kasta e vjetër që nuk e linte Ramizin të bënte ndryshimet e duhura. Unë këto justifikime nuk i besoj.
Çfarë thuhej në atë studim?
Ajo që më është ngulitur nga ajo që kam lexuar, ka qenë kjo: sistemi socialist në formën e organizimit lidhur me pronën, ekonominë është i bllokuar dhe nuk premton asgjë dhe për këtë kërkohet ndryshim rrënjësor i tij. Ata e cilësonin socializmin një kapitull të përfunduar dhe një udhëheqësi kaq i duhej që të orientohej drejt hapjeve të reja.
Mos ndoshta lufta e brendshme apo presioni që ka pasur Ramizi nga brenda PPSH­së nuk e lanë të dilte nga ai sistem i trashëguar nga Enver Hoxha?
ALIA5

Unë jam i bindur se hezitimi i Ramizit ka qenë sui generis dhe nuk ka qenë asnjë presion nga konservatorët. Ndryshimi kërkohej dhe nga brenda partisë. Varfëria ishte kokëfortë dhe vetëm një i verbër nuk e shikonte dhe nuk tentonte ta nxirrte popullin e tij nga ajo situatë. Mua më kujtohet një mbledhje e Komitetit Qendror të PPSH­së në 1990, ku u tha se do të kishte qëndrime reformuese. Unë isha i ftuar aty dhe prisja të ndodhnin çudira. U lexua një raport i gjatë nga Spiro Dedja. Inteligjenca universitare në mendime dhe diskutime ishte krejt tjetër në krahasim me atë ambient, ku flitej dhe diskutohej, siç ishte PPSHja.
Në universitet flitej hapur, në PPSH kishte akoma dogma dhe klishe partiake.
Në pushim të kësaj mbledhjeje i them profesor Petrit Gaçes, ishte anëtar i KQ të PPSH-­së:

Çfarë janë këto që po thuhen?! Pse nuk ngrihesh të thuash ato që ne diskutojmë bashkë çdo ditë në universitet se çfarë presin njerëzit nga kjo parti?! Ai më thotë, nuk ia vlen të flasësh me atë frymë. Mirë i thashë, nesër kur të shkoj në fakultet, do t’u them shokëve tanë që ti si komunist nuk e kryen detyrën si duhet… Sepse ti duhet ta sjellësh opinionin e bazës në forumet drejtuese të partisë. Po në atë pushim takoj dhe Ismail Ahmetajn, për të cilin kisha shumë simpati dhe i them se duhej reaguar dhe të mos mbeteshim te këto parulla të vjetra që dëgjonim akoma. Më thotë: të shoh si do të shkojë mbledhja. I them dhe Muntaz Dhramit se duhej folur në PPSH me tjetër gjuhë. Kohët kanë ndryshuar. Jo se unë u dhashë mend, por u pa më vonë se mendjet e tyre ishin përgatitur për ato që do të thoshin. I thashë dhe Mehmet Elezit, i cili ishte sekretar i Rinisë dhe ai më tha se kam folur njëherë dhe nuk ma kanë pritur mirë.

A pati reagim prej tyre në seancën tjetër të mbledhjes së Komitetit Qendror të PPSH­-së?
Kur nisi mbledhja pas pushimit, çohet profesor Petrit Gaçe dhe u thotë: Çfarë reformimi do të bëni ju kur mbani akoma katër klasikët e marksizëm­leninizmit mbi krye?! Salla nuk pipëtiu. Nuk merrte frymë. Ai vazhdoi me gjuhë të ashpër. Edhe Muntaz Dhrami foli ashpër dhe kërkoi që situata të ndryshojë. Por në këtë tulatje të sallës u ngrit Ramizi dhe e kundërshtoi Petrit Gaçen. Në këtë moment u gjallëruan konservatorët dhe nisën t’i kundërviheshin profesor Gaçes. Disa iu
ngritën Muntazit dhe i thanë: Ti që ke bërë monumentet e shokut Enver ngrihesh dhe flet me këtë gjuhë?!
Nëse nuk do të ishte ngritur Ramizi, nuk do të kishte marrë kurajë njeri nga këta ithtarët që kundërshtonin zërat reformatorë. Kasta e vjetër nuk ishte fare pengesë për Ramizin që të ndërmerrte hapat që duheshin. Të vjetrit kërkonin vetëm të mos i prisheshin përfitimet dhe privilegjet e tyre, të mos i nxirrte Ramizi nga vilat e Bllokut, por nuk kishin forcë të reagonin ndaj ndryshimeve. Ramizi ishte i gjithëpushtetshëm sepse konkurrentët e tij për pushtet ishin eliminuar rrugës…

Sa mendoni se në atë periudhë Ramiz Alia ka qenë faktori “shfryrës” i një tensioni, që sa vinte e akumulohej për ndryshime të menjëhershme, duke shmangur në këtë mënyrë një revoltë civile të përmasave të mëdha?
Roli i Ramiz Alisë në këtë pikëpamje ka qenë i dyanshëm. Në një pikëpamje duke mos e përshpejtuar ritmin, domethënë jashtë kërkesave për ndryshim, ishte shumë e madhe dhe kishte tjetër ritëm. Ramizi ishte rob i një inercie, ndoshta në kuadrin e mentalitetit që ai kishte, por realiteti ishte që kishte një mospërputhje me kërkesën për ritmin e zhvillimit dhe veprimit të Ramiz Alisë. Kjo mospërputhje akumulon revoltë. Dhe në raste të tilla, Ramizi e gjente mundësinë ta shponte me gjilpërë për të shfryrë presionin.

(d.b/Panorama/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: