Nga: MARCO BRESOLIN

Sofja inaguroi presidencën gjashtë-mujore të BE-së me një referencë ndaj Moskës: “Jemi mirënjohës ndaj Rusisë”. Bullgaria, jashtë nga zona Shengen, shpreson në zgjerimin e Ballkanit. Blloku ksenofobik mbështet qeverinë, shkruhet në një artikull të ‘La Spampa’.

Merrni Vendin më të korruptuar të Evropës, atë me të ardhurat më të ulëta dhe me numrin më të lartë të njerëzve të rrezikuar nga varfëria (40%). Vendi i fundit në klasifikim për lirinë e shtypit, më i ndoturi, me kujdesin shëndetësor më të varfër, me cilësinë më të keqe të nivelit të jetesës. Tani imagjinoni që ky Vend merr për gjashtë muajt e ardhshëm drejtimin e Bashkimit Evropian. Evropa është në duart e Hirushes së saj, Bullgarisë. Periferia ekstreme që transferohet në qendër për të shpërndarë kartat, në një nga momentet më delikate për Bashkimin Evropian.

Etiketa e ’deles së zezë’ nuk i pëlqen Bojko Borisovit. Ish bodyguardi ( me fizikun e përshtatshëm për rolin) është në mandatin e tij të tretë si Kryeministër, ndërsa i ulur në sallën e Këshillit të Ministrave, pretendon “menaxhimin shembullor” të llogarive publike që në disa muaj do të kthehet në një aplikim zyrtar për anëtarësim në eurozonë. “Kemi një normë rritje prej 3.9%, një deficit pothuajse zero, papunësia 6%, një borxh publik 26,8%, i treti më i ulët në BE. Respektojmë të gjitha parametrat e Traktatit të Maastrichtit, ndryshe nga vendet e tjera…” deklaroi Borisov. Ndërsa ministrja për Presidencën e BE-së, Lilyana Pavlova shprehet se “vendi është prodhuesi i parë evropian”. Bullgaria ja ka kaluar Francës, që është edhe furnizuese për të.
E vertetë, pasi lulet që përfundojnë në industrinë franceze të kozmetikës nuk vijnë të gjitha nga Provenza por kultivohen në fusha dy hapa larg nga Deti i Zi.
Por aroma e livandos nuk mjafton për të mbuluar problemet që ndotin këtë cep të Ballkanit. Presidenti Rumen Radev sapo ka kthyer në parlament ligjin e ri anti-korrupsion, i konsideruar joefektiv. Dhe pastaj është edhe kriminaliteti: me 8 janar një nga biznesmenët më të njohur bullgar u ekzekutua para zyrës së tij në Sofja. Vrasja e Petar Hristov, i lidhur me partinë e Borisovit, ka tronditur vendin. Por nuk është vetëm kjo. Mëngjesin 1 janarit, gjashtë persona që po festonin vitin e ri u gjetën të vrarë në shtëpinë e tyre në Novi Iskar, në dyert e kryeqytetit.
Rrugët e Sofjes u pastruan të gjitha për ceremoninë e hapjes së gjashtë mujorit evropian dhe vizitën e krerëve të BE-së. Bashkia ndaloi qarkullimin e karrocave me kuaj që mbushin kryeqytetin por që nuk transportojnë turistë. Ato përdoren nga qytetarët më të varfër, shpesh të komunitetit rom, që mbledhin mbeturinat, “në një mënyrë më efikase se administrata e bashkisë”, sipas disa qytetarëve të kryeqytetit.
Bullgaria është e fiksuar t’i paraqitet Evropës më veshjen më të mirë, edhe pse gjatë këtyre muajve shpreson të bëjë hapin vendimtar për hyrjen në Shengen, që do të thotë liri qarkullimi për qytetarët. “Kemi plotësuar të gjitha kriteret prej gjashtë vitesh, por për aryse politike disa vende të BE-së na pengojnë – ankohet Ministrja Pavlova – Po bëjmë shumë për të mbrojtur kufinjtë tanë të jashtëm. Më shumë se vendet e tjera”.
Evropa në këtë vend shihet qartë si një mundësi. Edhe aleatët e Borisovit, blloku populist dhe ksenofob i Patriotëve të Bashkuar, kanë një sjellje gjithnjë e më pak armiqëore drejt BE-së.
Objektivi i deklaruar nga qeveria e Sofjes prek nga afër Ballkanin Perëndimor: dëshiron të përshpejtojë procesin e hyrjes në BE të vendeve ish-jugosllave, kështu që nuk do jetë më ‘delja e zezë’ dhe do ndërtojë një korridor të rëndësishëm rajonal. E gjitha kjo nën sytë e Kremlinit që e shikon këtë zonë me interes të madh. “Është e gabuar të mbash pozicion të ashpër ndaj Moskës – thotë Borisov – Në vendin tonë ndodhen 4.500 monumente dedikuar ushtarëve rusë që kanë dhënë jetën për të na çliruar nga perandoria osmane në 1878. Nga ana jonë ka një ndjenjë të fortë mirënjohje ndaj Rusisë.”

(Burimi: La Stampa, Përktheu për BalkanWeb/Aleksandra Kola)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: