TIRANE– Ish ministri i Drejtësisë nga radhët e LSI, Ylli Manjani ka reaguar pas vendimit të Gjykatës së Krimeve të Rënda për të lënë në burg ish-drejtorin e Autoritetit Rrugor Shqiptar Dashamir Xhika, i cili vjen nga radhët e LSI.

Trupi gjykues ka vendosur masën ‘arrest me burg’ për Xhikën, i akuzuar për ‘shpërdorim detyre’ dhe ‘korrupsion’. Përmes një postimi në Facebook, Ylli Manjani thotë se nuk shkohet në Evropë me arrestime bolshevike, ndërsa përmend edhe rastin ‘Tahiri’.

“Kjo që po shohim është filmi, skenari i të cilit u shkrua nga Rilindja. Kjo nuk është rilindja e Shqipërisë, por e Rusisë në Shqipëri”- thotë ndër të tjera ish ministri.

Statusi i plotë:
Me arrestime bolshevike nuk shkojmë në Europë.
———————
Kam kohë që them se arresti me burg në Shqipëri bazohet mbi praktika bolshevike! E kam thënë këtë gjë si në parim ashtu edhe për raste të caktuara, përfshi edhe rastin “Tahiri”.

Ligji procedural nuk u rregullua asnjëhere, ndaj prokurorët dhe gjykatësit e zbatojnë sipas qejfit.

Për disa prokurorë “qejfi” përcaktohet nga përkatësia politike ose nga zelli për ti shërbyer të fortit në pushtet! Ndaj ka dhe arrestime politike, ashtu siç ka edhe dështime hetimesh për politikanë në pushtet!

Llogjika e ligji nuk ju hynë në sy!

Se si mund te marrësh në përgjegjësi penale, aq më shumë të arrestosh dikë, me akuzë për një ngjarje që ka ndodhur por që nuk ka lidhje fare me të Akuzuarin?!

Ose si mund të marrësh një masë të dytë arresti, gjatë kohës që po shqyrtohet masa e parë e arrestit më gjykatë, në një ditë pushimi, për një akuzë që sajohet fët e fët, vetëm sa për tu siguruar që të mbahet në burg medoemos!!!

Ashtu siç nuk ka llogjikë që për akuzën e shpërdorimit të detyrës, të vendoset kontrolli i banesës, madje edhe jashtë orarit të lejuar me ligj. Cfarë nguti kishin, se mirë llogjikën ja kanë borxh partisë?!

Çfarë provash kërkon të gjejë prokuroria në banesë, kur shpërdorimi i detyrës hetohet mbi dokumente zyrtare! Pra që gjenden në zyra e jo në banesa.

Liria e personit dhe paprekshmëria e banesës janë themelore, për shoqërinë demokratike! Ato kufizohen për raste ekstreme, por jo për çdo hetim apo qejf që mund të ketë dikush!

Nuk dua të mbroj askënd, por kjo sjellje është anti-kushtetuese e anti logjore! Kur kjo sjellje kryhet pêr motive politike, është edhe anti -demokratike!

E kam denoncuar, kur përdoret rëndom për njerëz të thjeshtë. Kam të drejtë ta denoncoj edhe kur përdoret për politikë.

Kam propozuar madje edhe zgjidhje, por parlamenti dhe disa shkenctarë fallco të jurisprudencës nuk i pranuan!

Nuk i kushtuan vemendje as të huajt qe medemek do na mbronin nga Rusët! Përkundrazi na lanë me qejf në duart e ligjeve Ruse…

Kjo që po shohim është filmi, skenari i të cilit u shkrua nga Rilindja!

Kjo nuk është rilindja e Shqipërisë, por e Rusisë në Shqipëri!

Uroj shumë që opozita të jetë në krye të lëvizjes anti-rilindje!

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb