TIRANE- Ministri për Europën dhe Politikat e Jashtme, Ditmir Bushati iu është bashkuar urimeve me rastin e 10-vjetorit të pavarësisë së Kosovës.

Përmes një statusi në faqen e tij të ‘Facebook’-ut Bushati thekson se 17 shkurti i dha jetë dëshirës së popullit të Kosovës. Mes të tjerash ai shton se nga një entitet i nëpërkëmbur, Kosova tashmë është në hapësirë demokratike.

MESAZHI
Kosova 10!

Urimet më të përzemërta Kosovës dhe gjithë qytetarëve të saj në 10- Vjetorin e Pavarësisë! 17 shkurti i vitit 2008 i dha jetë dëshirës së hershme të popullit të Kosovës, ëndrrës së luftëtarëve e martirëve dhe jetësoi mbështetjen e miqve e partnerëve të shumtë të Kosovës për liri, mëvehtësi, përparim e begati.

Në vetëm një dekadë, Kosova është trasformuar rrënjësisht. Nga një entitet i nëpërkëmbur dhe me të drejta të shkelura sistematikisht në ish-Jugosllavi, ajo është kthyer sot në një hapësirë demokratike, multietnike dhe multikonfesionale, e cila aspiron drejt integrimit në hapësirën euro-atlantike.

Vetem në tre vitet e fundit, Kosova është anëtarësuar në një numër organizatash rajonale e ndërkombëtare, përfshi këtu pjesëmarrjen e saj me të drejta të plota në “MARRI”, në Fondin e Ballkanit Perendimor, në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, si vëzhguese në Nismën e Evropës Qendrore dhe si kontribuese e angazhuar në Zyrën Rajonale të Bashkëpunimit Rinor. Ne do të vazhdojmë perpjekjet tona për përfshirjen e Kosovës në të gjitha nismat rajonale e më gjerë, pasi përfshirja e saj është një garanci më shumë për sigurinë e stabilitetin rajonal.

Për momentin, Kosova, ashtu si i gjithë rajoni është përfshirë në një dinamike të re reformash të thella në drejtim të sundimit të ligjit, luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, avancimit të reformave në sektorin e shëndetësisë dhe arsimit, si dhe të zhvillimit ekonomik. Përgëzojmë Kosovën për përpjekjet e saj në drejtim të përafrimit e paqtimit të shoqërive e komuniteteve në rajonin tonë, në funksion të ndërtimit të një të ardhmeje në paqe e në siguri për qytetarët tanë.

Ndërsa sot përulemi të gjithë me nderimin më të thellë përpara përpjekjeve shumëvjeçare të popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi, vlerësojmë po ashtu, mbeshtetjen e çmuar e të vazhduar të miqve e aleatëve, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, NATO-s dhe të gjitha vendeve që kontribuan në mbylljen e një prej kapitujve më të dhimbshëm të historisë bashkëkohore evropiane.

Festa e Kosovës është festë e mbarë kombit shqiptar. Në këto 10 vite pavarësi, Shqipëria dhe Kosova kanë ndërtuar një marrëdhënie të ngushtë e vëllazërore partneriteti strategjik. Projektet tona konkrete për heqjen e barrierave ekonomiko-tregtare, krijimin e lehtësirave të qarkullimit të kapitalit, mallrave dhe njerëzve, si dhe promovimin e përbashkët të gjuhës dhe kulturës shqiptare në botë, janë udhëzues për dhjetëvjeçarët e ardhshëm, pjesë e projektit të përbashkët evropian.

“Gëzuar për jetë e mot Pavarësinë Kosovë”!
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: