Butrinti zgjidhet një nga 10 modelet e trashëgimisë kulturore më me interes për t’u studiuar në botë.

Universiteti i Bristolit, një prej 20 më të mirëve në Angli, ka organizuar një kurs ndërkombëtar online, ku studentë nga e gjithë bota studiojnë 10 modele të përzgjedhura për turizmin kulturor të qëndrueshëm dhe trashëgiminë kulturore. Një ndër modelet e përzgjedhura është edhe Butrinti.

Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Bregdetit, Auron Tare është caktuar si personi, i cili do të drejtojë këtë program online, ku janë regjistruar rreth 1 mijë studentë nga e gjithë bota.

Sipas Future Learn, Butrinti është një nga modelet më me interes për t’u studiuar nga kursi.

Një prej studenteve të këtij kursi, Melissa Polychronakis, thotë se Butrinti është një zonë e bukur dhe se aty po bëhet një punë e mrekullueshme.

“Ndërtimi i besimit të banorëve është shumë i rëndësishëm. Aftësia për t’i bërë banorët pjesë të vendimmarrjes është vendimtare dhe, në të vërtetë puna e këtyre individëve është e rëndësishme për t’a ruajtur këtë mjedis të qëndrueshëm”, shprehet Polychronakis.

Shqipëria, shprehet ajo më tej, duket se po bëhet një lider botëror në ekosistemet e qëndrueshme, të cilat me siguri do ta bëjnë Perëndimin të ulet dhe t’a dëgjojë!

“Është inkurajuese që qeveria dhe zyrtarët shqiptarë e kanë kuptuar nevojën për ndryshime, në mënyrë që zhvillimi të bëhet më i qëndrueshëm dhe të kenë një ndikim më pozitiv në mjedis. Mund të kishte qenë shumë e lehtë t’i injoronin këto probleme dhe thjesht të vazhdonin në praktikat e tyre gjatë kësaj periudhe të rritjes ekonomike”, citohet Polychranakis, raporton ATA.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: