TIRANE- Të 61 bashkitë e vendit kanë përgatitur një paketë me 16 propozime dhe rekomandime drejtuar Qeverisë Shqiptare, në mënyrë që të garantohet mirëfunksionimi i tyre. Këto rekomandime kanë rezultuar pas diskutimeve gjatë një konference pune, me temë “Decentralizimi – një vit më pas”, i organizuar nga Shoqatat e Bashkive, me mbështetjen e USAID – Projekti i Planifikimit dhe Qeverisjes Vendore (PLGP).

Nga rekomandimet e propozuara vihet re se një pjesë jo e vogël e pikave kanë të bëjnë me buxhetin, financat dhe taksat vendore.

Në mënyrë që të bëhet një administrim sa më efektiv i buxhetit, Bashkitë kërkojnë nga Qeveria që t’i mbështesë ajo me mekanizma dhe kuadrin e plotë ligjor për të garantuar mbledhjen e taksave, dhe mirëshpërndarjen e financimeve.

Shoqata e Bashkive të Shqipërisë propozon dhe rekomandon si zgjidhje:

1- Decentralizimi fiskal duhet të fillojë me kategorizimin e funksioneve dhe natyrën e shërbimeve dhe përgjegjësive që do të marrin 61 bashki të reja, sipas parimit “Para për funksion”;

2- Të ndryshojë sistemi i menaxhimit të mbledhjes së taksave dhe tarifave, me favor të kryerjes nga bashkitë e mëdha;

3- Qeveria Qendrore të mbështesë njësite e reja me mekanizma, akte ligjore apo nënligjore për mbledhjen e taksës së pronës, ndërtesa dhe tokë bujqësore;

4- Të rishikohet formula e grantit të pakushtëzuar, t’i jepet peshë specifike ndër të tjera kriterit të infrastrukturës rurale;

5- Të rishikohen dhe vlerësohen funksionet dhe buxhetet për agjencitë e dekoncentruara (që varen nga ministritë e linjave dhe operojnë në nivel vendor);

6- Të ndërtohet një sistem për taksat e ndara mes pushtetit qendror dhe atij vendor (TVSH, TAP);
7- Të shikohet renta minerare në favor të pushtetit vendor dhe ne propozojmë që 10-15 % e kësaj t’i shkoje pushtetit vendor.

8- Buxheti i Bashkive të reja (granti) të shkojë 5% e PBB për bashkitë pas zgjedhjeve të 2015, dhe çdo vit të rritet me 2% deri në vitin 2020;

9- Të rishikohen kufizimet ligjore për huamarrjen vendore.

10- Mekanizmat dhe fondet që përdoren sot nga agjencitë e zhvillimit nëpërmjet huave duhet të rishikohen në frymën dhe interesin e zbatimit nga njësitë vendore.

11- Buxheti që ndahet sot nga Komiteti i Zhvillimit të Rajoneve duhet të shkojë në masën 80% direkt në njësitë e reja (pra skema e granteve konkurruese duhet te hiqet) dhe vetëm 20% të administrohet nga komiteti, për interesa publike apo ndërhyjë në kohë dhe interes sipas rastit.

12- Duhet një ligj për financat vendore që të qartësojë rolin dhe përgjegjësitë mbi buxhetin, metodologjinë e hartimit, shpenzimet, vlerësimi dhe mekanizma monitorimi;

13- Marrjen e masave menjëherë që Bashkitë të prekura nga riorganizimi të funksionojnë normalisht sipas ligjit, duke shlyerjen e detyrimeve të mbartura nga ish-njësitë administrative për të garantuar kryerjen e shërbimeve bazë publike për popullatën për periudhën tranzitore që po zgjat dhe në vazhdim.
14- Të institucionalizohet konsultimi ndërmjet qeverive vendore dhe qeverisjes qendrore, mbi bazën e një kodi etike dhe parimeve reciproke.

15- Transferim i kompetencave-funksioneve në mënyrë të plotë: (planifikim, menaxhim, administrim, ekzekutim, monitorim raportim) (Arsim, shërbime sociale, kullim, bujqësi);

16- Asistence teknike për rritjen e kapaciteteve dhe menaxhimin në nivel vendor: për shërbimet, për kompetencat e reja: planifikim, kosto-standard, bazë të dhënash, metodologji.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb