Nga: ZONJA VJOLLCA
6-8 petë byreku
1 qepë e vogël
350 gr fileto pule
400 gr kërpudha
Kripë, piper i zi, trumzë
80 gr djath pice
Vaj

Beshamel:
1 lgj gjalpë
1 lgj miell
1 gotë qumësht

Lajmë thajmë mishin dhe e presim atë në copëza shumë të vogla (mund edhe ta ziejmë dhe më pas ta copëtojmë). Ngrohim vajin dhe kaurdisim qepën dhe hudhrën të grirë shumë imët, derisa qepa të bëhet transparente. Shtojmë mishin e pulës dhe e kaurdisim së bashku derisa mishi të zbardhet (nëse mishin e kemi zjerë më parë thjesht e kaurdisim për 2-3 minuta). E rregullojmë mishin me kripë dhe piper të zi dhe më pas shtojmë kërpudhat të prera në copëza të vogla dhe i kaurdisim së bashku për 5-7 minuta. E largojmë mbushjen e byrekut nga zjarri duke shtuar pak trumzë. Ndërkohë përgatisim pak beshamel duke kaurdisur 1 lugë gjalpë me 1 lugë miell. Pasi mielli të jetë kaurdisur pak shtojmë qumështin dhe më pas beshamelin e trazojmë me mishin dhe kërpudhat. Shtrojmë fillimisht në tepsinë e lyer me yndyrë 2 petë të rrudhosura (jo të shtrira). I spërkasim me yndyrë, më pas vendosim pak mbushje, e pudrosim me pak djath pice, përsëri vendosim 2 petë të rrudhosura, përsëri mbushje dhe djath. Në fund e mbulojmë bryrekun me 2 petë, mbledhim anët dhe pasi ta spërkasim sipër me pak yndyrë vendosim tepsinë në furrë në temperaturën 200 gradë Celsius për 20-25 minuta.
(er.cu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb