*Pas përjashtimit të Nokës, opozita braktis seancën parlamentare

TIRANE- Deputeti i Partisë Demokratike, Flamur Noka, ka reaguar pas vendimit të Byrosë së Kuvendit për përjashtimin e tij me 10 ditë nga punimet e Kuvendit. Shkak për këtë vendim, është bërë incidenti i Nokës me deputetin socialist Erjon Braçe, pasi ky i fundit e ka fyer ish-kryeministrin Sali Berisha.

Duke folur para mediave, deputeti demokrat thotë se ai reagoi ndaj fyerjeve, por nuk e “preku me dorë kolegun Braçe”.

“Braçe duhet të zbatojë rregulloren. Këtë gjë bëra unë, ia hodha rregulloren fytyrës që ta lexojë”, tha Noka.

Duke komentuar vendimin e Byrosë për të mos përjashtuar deputetin Erjon Braçe, kërkesë kjo e PD, deputeti Noka tha se qeveria Rama vepron me dy standarde.

“Ky është standardi i demokracisë i kësaj qeverie kriminale. Kjo është ajo që ndodh në vendin e quajtur banditistan. Unë që u ngrita për të ndaluar fyerjen në Parlament, unë që nuk shava asnjë njeri, unë që nuk preka asnjë njeri me dorë, unë u përjashtova. Ndërsa konet e krimit janë aty në parlament. Kjo qeveri nuk meriton më të mbijetojë dhe të qëndrojë në këmbë, se këtu vetëm parlamentarizëm nuk ka. Kërkojnë t’i mbyllin gojën opozitës, por në 18 shkurt opozita do të jetë në shesh për t’i mbyllur gojën kësaj qeverie”, tha Noka.

Pas vendimit të Byrosë, opozita braktisi seancën parlamentare.

Mbledhja u Byrosë u thirr nga Partia Socialiste dhe është drejtuar nga kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, i sapo kthyer nga një vizitë jashtë vendit.

Seanca e Kuvendit u ndërpre për disa herë radhazi dhe prania e Nokës në sallë, i cili hyri me forcë, u bë shkak që ajo të mos riniste.

Kryetarja e seancës, Valentina Leskaj kërkoi që deputeti Flamur Noka të largohet nga salla, meqë kjo nuk u pranua Leskaj ndërpreu sërish seancën.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: