LUSHNJË

Kontrolle të shtuara nga Policia e Lushnjës në akset rrugore me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë. Si rezultat i kontrolleve gjenden dhe i sekuestrohen një sasi eurosh një shtetasi që qarkullonte me një automjet tip “BMW”, të dyshuara të përfituara në mënyrë të kundraligjshme.

Në kuadër të masave të marra për mbajtjen nën kontroll të situatës së rendit në qarkun e Fierit, janë shtuar kontrollet në akset rrugore si edhe në vendet që frekuentohen nga persona me precedent kriminal.

Si rezultat i kontrolleve, nga Forca e Posacme “Shqiponja” në qytetin e Lushnjes u ndalua automjeti tip “BMW” me drejtues shtetasin Soni Pepa.

Gjatë kontrollit, në automjetin e këtij shtetasi u gjetën 49.980 euro për të cilat nuk kishte dokumentacion shoqërues me vete dhe dyshohet se janë përfituar nga aktivitet i kundërligjshëm, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Në vijim të veprimeve hetimore, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lushnjë, proceduan penalisht shtetasin Soni Pepa, 37 vjeç, banues në Belsh.

Vijon puna për dokumentimin ligjor në lidhje me burimin e të ardhurave të këtij shtetasi.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnjë për veprën penale “Pastrimi i produktit të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb