Nga MIRON ÇAKO

Si qytetar i përgjegjshëm nuk mund të rrish  indiferent dhe të mos shqetësohesh kur shikon prej kaq ditësh këtë situatë politike mjaft të tensionuar  me atmosferë konfliktuale opozitë-pozitë, shoqëruar me një kakofoni fjalësh, argumentesh, kundërargumentesh, ultimatume, indiferencë, kërcënim për destabilitet të vendit etj. Duke sjellë në kujtesën kolektive ato ngjarje të hidhura përplasjesh konfliktuale, që prodhoi politika e shkuar shoqëruar me viktima, që shpesh nuk ishin autorë të drejtpërdrejtë të gjendjes, indiferenca bëhet akoma më e pajustifikuar.

Një pyetje e gjatë habitore më del përpara dhe më pengon vizionin optimist për të nesërmen; pse ky vend i vogël me një popullsi me numër modest, por me shumë mundësi dhe të mira natyrore, me një pozitë gjeografike të favorshme, në vend që të ishte një shtet me mirëqenie, qetësi dhe demokraci normale, ku stafeta e pushtetit u pasohet qetësisht të tjerëve me një garë të ndershme elektorale, për të vazhduar përpara në kontributin për mirëqenien, integritetin dhe sigurinë e vendit, ka 26 vjet tranzicion dhe akoma është kaq i fragmentarizuar në bindje partiake, të cilat prodhojnë destabilitet dhe konflikt? Mos vallë ne shqiptarët nuk bëjmë dot veçse me diktatura dhe diktatorë si ata që shkuan, të cilët e morën të gjithë pushtetin për vete dhe me “ligjin dhe maliqin”  e mbajtën në hudut (kufi) këtë popull?!

Mendoj jo, sepse vetë virusi i trashëguar i “njeriut  të ri “egocentrik që prodhoi sistemi diktatorial ateisto-komunist është shkaku primar i kësaj lufte për pushtet, e cila fillon me demokraci dhe përfundon me “diktaturë”, ku pushtetari nuk pranon të zbresë nga kali (qeveria) veçse në qoftë se ia vrasin atë dhe kur largohet i mundur, lë nga pas një gropë dhe një tokë të djegur, në kurriz të pasardhësve pushtetarë, faturë të cilën do ta paguajë populli.

Por, edhe në qoftë se japim një përgjigje të shpejtë që fajin e ka ai, ata duke u pozicionuar në një grup partiak të ndryshëm nga ngjyra simbolike, mendoj se prapë jemi në gabim, sepse asnjëherë faji edhe ai i pari i njerëzimit, nuk ishte personal, por kolektiv, sipas përgjegjësisë dhe masës të çdo individi.

Në qoftë se do t’i shohim gjërat pa pasion dhe tifozllëk partiak, qëndruar mbi një rrafsh gjithëpërfshirës me sens autokritik, me mendje të hapur, duke parë edhe të tjerët me shtete të konsoliduara demokratike, mendoj se përgjigjja që do të marrim në lidhje me pushtetin do të jetë një e vërtetë absolute, që do të na çlirojë nga gënjeshtrat relative, që kaq shpejt na qarkojnë.

Duhet të kuptojmë dhe të pranojmë si pushtetarë dhe shtetas, pavarësisht të shkuarës ateiste vitet ‘67-‘90, se çdo pushtet tokësor nuk është thjesht produkt i rastësisë, revolucioneve, sakrificave, politikës,  kompromiseve njerëzore, por: “çdo pushtet vjen prej së larti (Perëndisë)”. Këtë të vërtetë vertikale nga lart poshtë, të cilën duhet ta mbajnë si plumbçe ata që ndërtojnë shtetin, që të ecë drejtë dhe mos të rrëzohet e ka deshifruar me pak fjalë apostulli i kombeve Pavli, në letrën drejtuar romakëve “Çdo njeri le t’u nënshtrohet pushteteve të sipërme, sepse nuk ka pushtet veçse prej Perëndisë dhe pushtetet që janë, janë caktuar nga Perëndia”. (Rom. 13:1).

Apostull Pavli kërkon të thotë se qeveritë e njerëzve vijnë nga Perëndia, pushteti absolut i sipërm. Kjo u duhet njerëzve për të mos kaluar në anarki. Pavarësisht se qeveria mund të jetë e keqe, mund të thuhet më mirë me qeveri sesa pa qeveri. Kështu Perëndia në çdo kohë ka caktuar qeveritë njerëzore dhe s’ka asnjë qeveri që ekziston jashtë vullnetit të tij, kjo është kaq e vërtetë sa edhe Krishti Zot-Njeri kur po gjykohej: “Pilati i tha: S’po më flet? Ti s’e di që unë kam pushtet të të kryqëzoj dhe pushtet të të liroj? Jezusi u përgjigj: Ti nuk do të kishe asnjë pushtet përmbi mua, po të mos të qe dhënë prej së larti. (Jn. 19: 10-11).

Kjo nuk do të thotë se Zoti pranon çdo gjë që bëjnë qeveritarët, sigurisht ai nuk pranon korrupsionin, brutalitetin, tiraninë prandaj dhe pushtetet nuk janë të përjetshme, por ato lëvizin dhe i lënë vendin një tjetër pushteti. Por, duhet theksuar edhe një e vërtetë tjetër se Zoti i Drejtë e përdor pushtetin tokësor si shërbëtorin e tij për të bërë drejtësi tek shkelësit e ligjit, si pushtetar dhe shtetas të thjeshtë; “sepse eprori (shteti) është shërbëtor i Perëndisë për ty për të mirë, por po të bësh të këqija, druaj, sepse nuk e mban kot shpatën (ndëshkimin), sepse ai është shërbëtor i Perëndisë, hakmarrës plot zemërim kundër atij që bën të keqen”. (Rom. 13:4). Prandaj edhe për qeveritë thuhet: “Çdo popull meriton qeverinë që ka, ose sipas kokës festja”.

Sa herë që shtetasit e pranojnë dhe e aplikojnë në vendet e tyre këtë parim “se pushtetet tokësore  burojnë dhe marrin vlerë nga pushteti Hyjnor”, duke u bërë njëkohësisht zbatues i ligjit moral dhe etik të Zotit, si atë të shkruar në pllakat e gurta, (Ligji i Mosiut): mos vrit, mos vidh, mos gënje, baza e çdo kodi civil, por edhe ligjin natyral shkruar në pllakat e mishta të njerëzve (ndërgjegjja) pa cenuar laicitetin e shtetit, pushteti tokësor bekohet, stabilizohet, përjetësohet, qytetërimi përparon drejt vlerave të qëndrueshme ekonomike-sociale, kulturore në të mirë të të gjithëve.

Aplikimin e kësaj aksiome, “Zoti burim i çdo pushteti” e shohim qartë në vendet me një demokraci të konsoliduar, duke qenë shembull për demokracitë e reja si ajo e jona. P.sh., në SHBA, presidenti, përfaqësuesi i shtetit dhe i popullit amerikan ia dedikon pushtetin e marrë sipas votës popullore, Mbretit të mbretërve “Zotit të zotërinjve” (Zb. 19:16), duke u betuar në Bibël para Zotit si kryeshërbëtori, që do të shërbejë sipas ligjit dhe vetëm sipas ligjit shtetasve, gjatë gjithë mandatit të tij elektoral. Këtë gjë bazike për shtetin e tyre, amerikanët e kanë të shprehur edhe në dollarin, shprehje e fuqisë ekonomike të tyre, mbi të cilin është shkruar “In God we trust” (Te Zoti besojmë).

Edhe në Shqipërinë postateiste, shtetarët me një mendësi në dukje demokratike filluan të artikulojnë emrin e Zotit, madje e njohën pushtetin e Tij suprem duke thirrur në fushata elektorale: “Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe shqiptarët!” dhe kjo për t’u bërë të besueshëm përpara turmës elektorale. Por fatkeqësisht ndodh përgjithësisht e njëjta histori gjatë rotacioneve qeverisëse, sapo shtetarët bëhen pushtetarë, harrojnë se çfarë kanë thënë, madje harrojnë se janë edhe njerëz që thjesht “lulëzojnë si lulja e fushës” (Ps. 102) Ata jo vetëm nuk zbatojnë vetë ligjet njerëzore, por krijojnë edhe konflikt interesi me vetë Zotin, duke guxuar të hapin gjyq me Perëndinë.

Konkretisht, pavarësisht fitimit “de jure” të lirisë së besimit, komunitetet fetare përfaqësuese të Zotit në Shqipëri nuk e kanë fituar atë “de facto”, sepse akoma pronat, pasuritë nuk janë kthyer apo kompensuar, madje disa prej tyre janë të tjetërsuara, vjedhur, shitur dhe mbi to ndërtuar dhe vazhdojnë të ndërtohen pa leje objekte private si ai që po ndërtohet edhe këto kohë nga njerëz dikur me pushtet, në tokat e manastirit të shën Theodhorëve në Dhërmi, kundërshtuar nga besimtarët dhe denoncuar nga Kisha Orthodhokse. Si i krishterë orthodhoks dua të them në mënyrë specifike, se akoma Kishës Orthodhokse nuk i janë kthyer pasuritë liturgjike, artistike, kulturore, si lipsane shenjtorësh, enë të shenjta, ikona, literaturë, etj., të konfiskuara dhunshëm nga shteti ateist komunist. Kujtoj këtu ku një pjesë e lipsanit të shën Joan Vladimirit, pronë shekullore e Kishës Orthodhokse, konfiskuar që në 1967, u ekspozua  në pavionin e Muzeut Kombëtar në qershor 2016, pa pyetur edhe miratimin e Kishës Orthodhokse. Ish- drejtori i Muzeut Kombëtar për ankesën e Kishës u shpreh në mënyrë arrogante se, “këto nuk janë më pronë e Kishës Orthodhokse”. Ose regjistrat e kishës, mbajtur akoma dhe sot e kësaj dite në Arkivin e Shtetit, ku besimtarët duhet të paguajnë në shtet për të marrë një dokument kishtar. Ose veprime, që për Kishën Orthodhokse janë denoncuar si sakrilegje, p.sh., organizimi me dijeni dhe aprovim të Ministrisë së Kulturës i “Mis Albania 2015” në ambientet e Kishës në Voskopojë, të cilat u kthyen në pasarelë, ku sfiluan vajza me veshje të papërshtatshme dhe fyese për vendin e shenjtë, apo përsëri në 2016 përdhosja e Kishës së Shën Marisë në Kala, Berat, ku një agjenci fustanesh nuses “Xhei & Xhoi” me dijeninë e Ministrisë së Kulturës krijuan një set fotografik me vajza të veshura si, nuse duke pozuar përpara ikonave dhe në fronin dhespotik, me veshje jo dinjitoze dhe qëndrime fyese për vendin e shenjtë. Ose indiferenca antiligjore prej çdo qeverie të shkuar dhe të tashme, për moszbatimin e vendimit të gjykatave në rikthimin e kishës së Shën Marisë, kala Elbasan, e cila është grabitur që nga 1994 Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë nga një person i vetëshpallur prift.

Madje, janë bërë edhe gabime shumë të rënda me dijeninë dhe aprovimin e shtetit, kujtoj këtu censusin e INSTATIT 2011, i monitoruar nga shteti shqiptar dhe qeveria demokratike, i nxori të krishterët orthodhoksë nga mbi 20%, vetëm në 6.7%, kështu duke u bërë shkak precedent, për të prishur mozaikun e harmonisë fetare ndërmjet komuniteteve fetare. Gjithashtu, kujtojmë prishjen në gusht 2013 në periudhë tranzicioni politik me leje dhe urdhër të kryetarit të Bashkisë Përmet, nga një zyrë private përmbarimi e Kishës së shën Marisë së Pazarit dhe ungjilli, ikonat dhe enët e shenjta që u transportuan me urdhër të bashkisë në makinën e plehrave të qytetit, foto që bënë xhiron e botës, ose akoma dhe më, prishjen e dhunshme natën tinëz nga INUK-u të kishës së shën Athanasit në fshatin Dhërmi, gusht 2015, ku ikona e Krishtit dhe Ungjilli mbetën mes gërmadhave që la pas arroganca e pushtetit të qeverisë ‘Rilindja’. Këto veprime fyen ndjenjat fetare jo vetëm të besimtarëve të fshatit, por edhe të të gjithë të krishterëve në të gjithë vendin dhe kudo ku u panë ato pamje gërmadhash, që të tilla kanë mbetur edhe sot e kësaj dite përpara besimtarëve, të cilët i luten Zotit dhe shenjtorit të vendosë  drejtësi se ata vetë nuk kanë çfarë t’i bëjnë arrogancës dhe dhunës së pushtetit, duke qortuar veten për votëbesimin që u dhanë të tillë pushtetarëve.

Kështu, vazhdimisht pushtetarët tanë pavarësisht se përmendin Zotin, nuk zbatojnë marrëveshjen me komunitetet fetare, siç është edhe me Kishën Orthodhokse nr. 10 057 dt. 22.1.2009 dhe nenet 22-23 ku flitet për kthimin e pronave, të monumenteve të kulturës dhe mbrojtjen e institucionit. Madje, edhe kur shteti merr vendime për fetë, përfaqësuesit e feve thirren si dëgjues dhe jo si kontribuues me të drejta të barabarta vendimmarrje për të mirën e vendit. Pavarësisht performancës fasadë që shteti përdor me komunitet fetare për lobim në opinionin ndërkombëtar, në realitet nuk i ka dhënë akoma dinjitetin, që iu takon si kontribuues në kulturën e vendit, që mbi të gjitha me harmoninë fetare që rrezatojnë, ndihmojnë për të çtensionuar këto situata konflikutale armiqësore, që prodhojnë në popull pushtetarët e politikës së ditës me mendësinë ateiste, se: “Pushteti është i imi dhe unë mund të bëj çfarë të dua”.

Në të vërtetë shteti është laik, por është edhe “etik” dmth., në qoftë se shteti e shkel ose e anashkalon parimin bazë që e thamë më sipër se “pushteti vjen nga lart” dhe politika zëvendëson fenë dhe shteti zëvendëson kishën, bashkë me abuzimet e pushtetit, atëherë Perëndia që ua dha pushtetin, e besojnë apo jo pushtetarët, po Perëndia ia merr, siç shkruhet për të gjitha gjallesat nën diell: “Ti fsheh fytyrën tënde dhe ata e humbasin fare, ti heq frymën, dhe ata vdesin duke u kthyer përsëri në pluhurin e tyre”, ( Ps. 104:29).

Besoj se jo vetëm besimtarët, por edhe gnostikët, ateistët i gjithë populli, kur shikojnë se arroganca e pushtetarëve kalon kufijtë e ligjit njerëzor duke kërkuar të sfidojnë pa frikë dhe Zotin, atëherë ata që kanë mend pyesin duke ngritur sytë lart: “Po me ne njerëzit, çfarë mund të bëjnë të tillë pushtetarë?”

Kështu që “sovrani”, populli, ndriçohet nga i Gjithëpushtetshmi, Zoti i historisë dhe me anë të pushtetit të votës demokratike, i lëviz të tillë pushtetarë dhe qeveri nga vendi, pavarësisht se ata mendojnë se janë “zot” dhe të përjetshëm. “Sepse  zëri i popullit është zëri i Zotit”, që iu thotë: Kujdes, mos harroni se “çdo pushtet vjen prej së larti”!

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb