Italia jashtë Botërorit dhe Milani me problemet financiare janë disa nga çështjet që kanë shqetësuar të përditshmen italiane “La Repubblica” e cila ka intervistuar presidentin e UEFA-s Aleksandër Ceferin. Ky i fundit me përgjigjet e tij nuk ka qenë aspak pozitiv për italianët të cilët sipas tij duhet të nisin sa më parë projektet për talentet e reja dhe ndërtimet e stadiumeve.

“Sportivisht, për një vend me aq shumë pasion drejt futbollit, është një tragjedi e madhe. Por ndodh, sepse po të marrim Holandën, ata humbën jo vetëm Botërorin e ardhshëm, por edhe Europianin në Francë. Kjo duhet parë si një mundësi për të ndryshuar gjërat që nuk shkojnë”.

MBI GJËRAT QË DUHEN NDRYSHUAR

“Infrastrukturat… Mes vendeve të mëdha europiane, Italia është më mbrapa se kushdo tjetër. Është një zinxhir: pa infrastrukturë nuk krijohen lojtarët e rinj; pa talente nuk fitohet. Nevojiten projekte të qarta. UEFA u jep një kontribut federatave që prezantojnë planet me partnerë edhe lokalë, për fusha të reja apo qendra sportive. Sot Italia nuk mund të presë një turne të madh, sepse ka infrastruktura skarco dhe stadiume jashtë standardeve”.

MBI STADIUMET PRIVATE

“Kanë lëvizur vetëm Juventusi, Udineze, Atalanta, Kaljari dhe Sasuolo. Një manifestim më i madh do t’i ndihmonte, por për “Euro 2024″ favoritet janë Gjermania dhe Turqia, prandaj deri në këtë vit, është e pamundur. Për 2028-ën nuk kemi folur ende”.

MBI DORËHEQJEN E TAVEKIOS

“U bë president në 2014-ën dhe afroi Konten, i cili në Francë nuk kishte një skuadër kampionësh, por më pas shkoi te Çelsi. Tavekio mori një tjetër trajner, por mendoni se mund të fitohet Botërori, pasi në dy edicionet më parë Italia e mbylli që në grupe?! Jo… Për sa i përket pjesës tjetër, federata bëri një punë të mirë”.

DISFATA E ITALISË

“Çdo humbje mund të minojë popullaritetin e një skuadre, apo qoftë edhe kombëtareje. Por forca politike e sportit italian nuk preket”.

EUROPA, MOTORI I FUTBOLLIT BOTËROR

“Dëshira ime është që t’u japim të gjithëve mundësinë për t’u përmirësuar dhe përgjegjësinë për të gjetur ekuilibër kompetitiv. Rreziku është që të kemi 10-12 klube të mëdha në kontinent, që vetëm pasurohen, ndërsa të tjerët vetëm zvogëlohen dhe varfërohen”.

TRANSFERIMI I NEJMARIT

“Nuk mund të them shumë. Ka një hetim që po bëhet. Një vendim do të merret brenda këtij sezoni. Prandaj, PSG-ja do të jetë e lirë që të lëvizë edhe në merkaton e janarit”.

MBI PRONËSITË QË MUND TË RICIKLOJNË PARÀ

“Ky është një rrezik, sidomos për klubet e vogla. Problemi është serioz dhe UEFA e FIFA, por edhe ligat dhe qeveritë, duhet të bashkëpunojnë mes tyre, për të shmangur trukimin e ndeshjeve. Jo më kot e ngritëm një seksion të inteligjencës për të hetuar këto gjëra”.

MBI PRONARËT E MILANIT

“Po punojmë mbi ata, nuk mund të them. Realisht jam i shqetësuar, por të shohim se çfarë do të ndodhë. Në mes të dhjetorit do të presim një tjetër sqarim me shkrim prej tyre dhe do ta vlerësojmë”.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb