SHBA- Integrimi në BE dhe mundësia e Shqipërisë për hapjen e negociatave ishte një pjesë e fjalimit të kryeministrit Edi Rama në Asamblenë e OKB-së

Ai tha para të pranishmëve se ky është një nga prioritetet kryesore të Shqipërisë dhe se reformat e bëra do përcaktojnë shpejtësinë për të ecur në këtë proces por tha se tani është radha e BE-së.

“Një nga prioritetet kryesore të vendit tim është anëtarësimi në BE. Ky nuk është vetëm një objektiv i politikës sonë të Jashtme, nuk është thjesht një marrëdhënie kontraktuale e zakonshme. Për ne integrimi evropian qëndron në zemrën e zhvillimit tonë të përgjithshëm pasi prek çdo qelizë të arkitekturës sonë të zhvillimit. Jemi plotësisht të vetëdijshëm që është pikë së pari angazhimi ynë dhe aftësia jonë për të bërë reformat e nevojshme që do përcaktojnë shpejtësinë me të cilën do të bëjmë përpara në procesin e pranimit të BE-së. Në duam të masim progresin tonë më rezultate dhe reforma e drejtësisë që po zbatojmë është shembulli më shkëlqyes. Ne presim që partnerët tanë të BE-së të bëjnë pjesën e tyre dhe të hapin rrugën drejt çeljes së bisedimeve për anëtarësimin”, deklaroi Rama.

Sipas tij, ky do jetë një moment historik por edhe inkurajim i fortë për ne që të vijojmë në të njëjtën rrugë. “Shpresojmë që në BE pavarësisht krizës aktuale do vazhdojnë të besojnë që zgjerimi do mbetet një katalizator europian për të garantuar paqen, zhvillimin e stabilitetin”, tha kryeministri.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: