TIRANE- Ndryshimi i axhendës së aktiviteteve të parashikuara sot nga qeveria për të përkujtuar 6 vjetorin e 21 Janarit, kur 4 protestues u vranë në bulevard, duket se ka lidhje me vonesën e delegacionit shqiptar në Singapor, si pasojë e një defekti që pësoi avioni me të cilin do të udhëtonin.

Mësohet se delegacioni shqiptar dhe kryeministri Edi Rama nuk mundën të udhëtojnë ashtu siç ishte parashikuar me avionin e linjës Singapor-Frankfurt, i cili pësoi një defekt në motor gjë që shtyu udhëtimin e tyre me një ditë.

Pikërisht për këtë arsye ndryshoi me disa orë edhe axhenda e parashikuar për ditën e sotme me familjarët e viktimave të 21 Janarit.

Gazetarja Marsela Karapanço raporton për “BalkanWeb se takimi dhe dreka me familjarët është zhvendosur tek Pallati i Brigadave në orën 13:00-14:00, ndërsa më herët ishte parashikuar që takimi të zhvillohej nga ora 10:30-11:00 në Kryeministri.

Pas drekës, bashkë me familjarët e Faik Myrtaj, Hekuran Deda, Ziver Veizi dhe Aleks Nika, rreth orës 14:45 minuta, do të vendosin lule pranë vendit ku humbën jetën protestuesit e 21 Janarit para 6 vitesh.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb