NGA KOÇO POLENA*

Problemi më shqetësues, aktual ndërkombëtar, është ai i terrorizmit. Edhe Shqipëria, sot,  nuk mbetet jashtë kësaj vorbulle, por jo vetëm me terrorizmin me ngjyra fetar islamike,  si gjithnjë edhe me specifika shqiptare. Terror politik. Historia 100-vjeçare e vendit tonë,  është shoqëruar në vazhdimësi me akte e vrasje terroriste. Format dhe realizimet e këtyre krimeve, kanë evoluar në kohë, por një gjë nuk ka ndryshuar. Pa diskutimin në çdo sistem ai mbetet krimi më i prehtë dhe me pasoja shumë të rënda për qytetarët dhe rendin kushtetues. Kreu i Dytë i Kodit Penal të Shqipërisë Neni 23° parashikon hollësisht këtë krim dhe absolutisht me sanksionet më të rënda të Kodit. Kryerja e krimit të terrorit kalon disa faza, që nga lindja e mendimit, përgatitja dhe realizimi.

Në këtë kuadër çështja “Doshi” mund të klasifikohet si kallëzim për hetim të një krimi të mundshëm terrorist politik, në fazën e përgatitjes. Kjo për faktin se denoncimi primar, ka disa elementë të figurës së krimit terrorist. Denoncimi i parë Doshi i përmbledh ato.  Asnjë specialist normal i shërbimeve antiterror, prokurorisë apo policisë nuk është budalla sa të thotë se ky denoncim është i vërtetë apo i gënjeshtër, pa kryer verifikime dhe hetime urgjente të menjëhershme, të mirëpërcaktuara në ligj dhe rregulloret e veprimtarisë policore dhe SHISH.

SHQIPËRIA DEMOKRATIKE DHE TERRORI POLITIK                                                                                                    Pas viteve ‘90, aktet më të mprehta të terrorit politik janë vrasjet e Arben Brocit, vrasjet e ‘97, Azem Hajdarit, Fatmir Xhindi, 21 janarit dhe Sokol Olldashit, patriotët shqiptar në Kosovë e Maqedoni etj.  Këto, përveç humbjes së jetëve u shoqëruan me vandalizma, djegie bibliotekash, uzinash dhe institucionesh. Tipik është 2 prilli në Shkodër. Kjo përsa i përket realizimit e sidomos zgjedhjes së objektit kryesor, Arben Brocit, i ri, përparimtar, demokrat, me figurë me vlerë dhe karakteristikë, moshë, shkolle, sjellje, besim fetar etj.  Cilësi të spikatura dhe shumë të ndjeshme për masat e gjera dhe situatën e atëhershme.

Kjo u pasqyrua në impaktin në popullatën  e Shkodrës dhe më gjerë. Edhe kjo çoi në rritjen drastike të përkrahjes për PD, shpejtoi zgjedhjet e parakohshme, të cilat katapultuan në pushtet Sali Berishën dhe Aleksandër Meksin, megjithëse këto poste, edhe normalisht do t’i merrnin. Ata jo vetëm nuk zbuluan autorët e krimit, por dënuan padrejtësisht një grup oficerësh policie si autorë. Oficerë që kishin punuar me gjithë mundësitë që u jepte situata për parandalimin e tij. Ata padrejtësisht  vazhdojnë të persekutohen nga politika edhe sot. Dënimi i tyre shërbeu për mbulimin e zbulimit të autorëve të vërtetë të krimit në 2 prill. Disa specialistë të fushës, përfshi edhe të huaj, në kohë kanë shprehur mendimin se 2 prilli, nga teknika terroriste, është i mirëideuar dhe organizuar, plani i të cilit është hartuar në ndonjë zyrë ustallarësh, që s’flitet shqip, larg Shqipërisë dhe mund të jetë shkruar me alfabetin e Cirilit.

Objektivat e këtij plani u arritën plotësisht. Po kështu, akoma nuk janë zbardhur si duhet dhe vrasjet e Azem Hajdarit, Fatmir Xhindit dhe 21 janarit, për të mos folur rreth dyshimeve për Sokol Olldashin. Gjatë këtyre 25 vjetëve në Shqipëri kanë ndryshuar qeveritë, drejtuesit e policisë, shërbimet inteligjente dhe prokuroria. Çdo strukturë apo person që lidhet me këto krime në Shqipëri ka ndryshuar, me përjashtim të Sali Berishës. Ai që përfitoi nga 2 prilli, ai që la si deng pa markë arkivolin e Azem Hajdarit dhe u turr të ulej në karrigen e kryeministrisë, pasi e kishte djegur atë, etj. Po ai ngatërron jetën aktuale politike, vetëm me qëllim për të përfituar dhe për të larguar vëmendjen dhe hetimin e krimeve që ka kryer gjatë qeverisjes, së bashku me Lulzim Bashën.

Lidhja me Milosheviçin, furnizimi i ushtrisë serbe, skemat piramidale, shkatërrimet e  ‘97, shtatori i ‘98, hartimi i dosjeve kundër UÇK-së, vjedhjet masive të pasurive publike e tenderëve, shkatërrimi i ekonomisë, shitja e territoreve të vendit, janë fakte që S. Berisha e L. Basha të paktën të tërhiqen nga politika.

Por ç’ndodh tani? Shqipëria është në prag të hapjes së bisedimeve me Europën, ajo pret ofrimin e ndihmës ekonomike, të projekteve të mëdha ndërtimore e teknike financiare të Gjermanisë. Në këto momente jetike për shqiptarët e Shqipërinë, Lulzim Basha shkon në zyrat e Partisë drejtuese në shtetin gjerman duke akuzuar qeverisjen dhe Parlamentin Shqiptar si një bandë kriminelësh dhe keqbërësish, bazuar kryesisht në absurdin e çështjes “Doshi”, duke e shoqëruar këtë me një drejtqëndrim dhe buzëqeshje të çuditshme për evropianët. Qëndrim dhe veprim i njëjtë me atë që ka mbajtur më parë para oficerëve të emigracionit holandez apo para Imamëve të rëndësishëm, në ndonjë kryeqytet evropian apo në Kosovë. Kush e shtyn. Të paktën të kishte pritur të shprehej Gjykata, e më pas të kishte denigruar vendin dhe popullin shqiptar. Por jo, këto veprime mbajnë erë të rëndë, më tej se lufta politike në demokraci. Terrori është çështja më e ndjeshme aktuale për aleatët dhe perëndimin. Çfarë borxhi u kanë shqiptarët, që elementë të tillë, edhe pas dhjetëra vitesh ushqejnë tezën e Cubrilovicit, se shqiptarët janë popull pa dinjitet, kriminal, i pazhvilluar dhe nuk dinë të qeverisen. Në hetimin e krimit të terrorizmit dyshimi i parë bie mbi atë që nxjerr përfitime pas krimit, apo pseudokrimin e servirur.

POLICIA DHE CËSHTJA “DOSHI”    

Për ndjekjen dhe zbulimin e krimit të terrorit në SHISH e Policinë e shtetit,  funksionojnë drejtori dhe degë kryesore,  me detyra e përgjegjësi të sakta,  për ndjekjen me parësi të këtij krimi. Gjithmonë bazuar në materialet e medias, denoncimi i parë i Doshit u bë në Ministrinë e Brendshme, polici. Detyra e strukturës së specializuar antiterror me administrimin e një denoncimi që bën fjalë, qoftë dhe dyshime,  është sigurimi fizik dhe i sigurt i shënjestrave, Kontrolli i plotë i të dyshuarve. Këto masa janë të detyrueshme dhe mund të merren të hapura ose të mbyllura. Shteti ka për detyrë e vepron energjikisht dhe i pavaruar absolutisht nga dëshirat e denoncuesit. Krijimi i një grupi të vogël prej disa ekspertësh policie dhe një prokuror, i cili të pajisej me njerëzit dhe mjetet më moderne, me plan të përcaktuar, të cilëve çdo mbrëmje do t’u kërkohej llogari dhe kontrollohej prej ministrit Tahiri. Në denoncimin e parë, këto prova  ishin me shumicë, të cilat brenda 72 orësh mund dhe duhet të verifikoheshin, dhe normalisht verifikimi i saktë nxjerr edhe shumë prova të reja me vlerë. Tu jepej atyre forca ligjore. Ky material i bollshëm do të shërbente, që brenda një jave denoncimi i Doshit do të sqarohej plotësisht. Mungesa e eksperiencës, nga ana e ministrit, subjektivizmi  çoi në zvarritjen e sqarimit urgjent. Ai,  mbase me të drejtë,  gjatë bisedave të para me të interesuarit e të implikuarit krijoi idenë se denoncimi ishte i dobët,  e ishim para një frike të pajustifikuar, të dyshimtë, apo mashtrimit të denoncuesit. Është elementare që këto ide paraprake, asnjëherë në hetimin e krimit të terrorit nuk duhet bërë shkas për zvarritje, apo ndërprerjen e veprimeve, përkundrazi. Çdo provë ose dyshim, sado absurd dhe kontradiktor në dukje,  duhet hetuar, provuar dhe dokumentuar si e vërtetë apo gënjeshtër. Veprim që do eliminonte pasojat negative që vuan shteti, parlamenti dhe shqiptarët sot. Mbase me të drejte Ministri nuk thirri, gjatë denoncimeve, ndonjë prej drejtorëve, zv. drejtorëve, këshilltarët dhe shefat e mëdhenj të drejtorisë së policisë,  sepse, jo për faj të tyre nuk mund të ndihmonin, ata nuk kanë zbuluar dhe ndjekur seriozisht të dhëna për  terror. Ministri,  mund dhe  duhet të kishte aktivizuar oficerë të thjeshtë e të  aftë që shërbejnë në Drejtorinë e Tiranës, Durrës e gjetkë. E pse jo, edhe ndonjë nën oficer të vjetër, të regjur me verifikimin e denoncimeve dhe zbulimin real të krimit. Për ta kuptuar më mirë gabimin e Ministrit, po japim një shembull për ata që nuk njohin veprimet policore.  Sikur, Ministria e Kulturës të kërkojë, Elhaida Danin që të mos shkojë në Eurofestivalin e Vjenës, sepse aty Shqipërinë do ta përfaqësojë ministria, se atje do këndojë ajo, sepse ka zë të mirë, është e bukur dhe ministre. Të metat në ndjekjen e kësaj situate nga policia, mungesat organizative e profesionale, nxjerrin edhe mangësitë e zbatimit të reformës në polici. Ndryshe nga reformat e fundit te suksesshme të qeverisë në financa, energjetikë dhe bujqësi.

PERFUNDIMI  

Në pamundësi për të dhënë një mendim të saktë për çështjen “Doshi”, vlerësim që do ta japë Gjykata ose Prokuroria, dua t’u bëj një pyetje të interesuarve për zbardhjen e saj… Kaq parà paska Ilir Meta që të paguajë 500 000 euro tek njerëz që nuk i ka parë ndonjëherë për të kryer një krim, që shumë lehtë mund ta kishte realizuar vetë,  pa harxhime, gjatë takimeve e kafeve me Tomën, nëpërmjet substancave helmuese,  inorganike, biologjike apo radioaktive me veprim të ngadalshëm, që mund të sigurohen duke harxhuar vetëm 50 euro. Specialistët e luftës kundër terrorit, duke analizuar situatën kriminale në vend dhe çështjen “Doshi”, mendojnë se rreziku i këtij krimi është prezent, jo për Doshin e Fufin. Elemente që janë në politikë, e që disponojnë kapitale të dyshimta,  edhe me probleme mendore, që janë implikuar më parë. Ata që janë në rrezik se drejtësia do të verë dorë mbi ta, për krimet në të kaluarën, përfshi edhe krimet terroriste. Ata që shprehin hapur në media mllefin e humbjes, e që shpeshherë kalojnë gati në orgazëm kur flasin për terror dhe vrasje, ata janë kontingjent kryesor i hapur,  për organizimin apo realizimin e këtij lloj krimi,  e që duhen mbajtur në kontroll.

Prandaj ekzekutivi dhe forcat e rendit duhet të marrin masa urgjente për kontrollin e të dyshimtëve, forcimin e ruajtjes së përfaqësuesve të zgjedhur politik, e sidomos të  intelektualëve të vërtetë dhe të rinjve në radhët e opozitës, si shënjestra më të përshtatshme, kujtoni atentatin e ditëve të fundit në familjen Bejko në Lazarat. Urgjentisht duhet forcuar dhe riorganizuar sektori antiterror në polici. Kjo është mirë të bëhet sa më shpejt pas kontrollit dhe analizës, së domosdoshme, në Ministrinë e Brendshme, për procesin “Doshi”. Aty të dalin gabimet e vërejtura dhe pasojat e saj negative. Të pastrohen e forcohen këta sektorë. Kontrolli dhe konkluzionet të bëhen nga specialistë pa konflikt interesi me oficerët aktual. Jo nga SHKB që paguhet nga Ministri apo nga këshilltarët e tij dhe të Kryeministrit, sepse edhe ata janë përgjegjës për emërimet aty. Në këtë situatë duhet freskuar Sektori më i rëndësishëm gjurmues, antiterror në Shqipëri. Drejtoria Antiterror në SHISH, e cila mbahet me fonde vetëm për këtë natyrë krimi. Ajo duhet të jetë më rentabël, sepse është më e mirëpajisur dhe mirëpaguar, falë edhe ndihmës së aleatëve, fatkeqësisht deri tashti në hije. Ajo ka mundësi zbulimi dhe parandalimi, shume më të mëdha se policia. Drejtori e cila nuk paguhet nga taksapaguesit shqiptar, për të analizuar situatën ndërkombëtare, e  te mos bëjë humor duke  dërguar informacione pa vlerë se do vijnë protestues të irrituar ne Tiranë.

ZGJIDHJA E PROBLEMIT TE TERRORIT

Bazuar ne problemet e mësipërme si edhe nga analiza situatës kundër krimit në vendin tonë, sidomos krimit te terrorit dhe atyre që lidhen me të, themi se situate është shqetësuese. Për këtë, specialistët antikrim, të cilët me ekzekutivin e sotëm nuk mund te ndihmojnë me dijet dhe eksperiencën e tyre, për zgjidhjen e kësaj situate e sidomos për të parandaluar pasojat rekomandojnë:

  1. 1- Pastrim urgjent të strukturave antiterror në Polici e SHISH nga elemente të paaftë, të politizuar, të inkriminuar e të dyshimtë, pas kontrollit profesional.
  2. 2- Të krijohet një grup i vogël me specialistët më të mirë polici, SHISH dhe një prokuror të cilët:
  3. a- Do të studiojnë të gjitha materialet për terror
    1. b- Të saktësojnë listën e personave që dyshohen për organizimin e këtij krimi, emrat e të cilëve tu jepen edhe strukturave të bazës.
    2. c- Të ristudiojnë problemet në ndjekje për terror duke vendosur detyra që do çojnë në sqarimin e tyre.
    3. d- Të rivlerësohen të gjitha çështjet e çuara në gjyq për këtë krim.
    4. e- Të bashkëbisedohet me të dënuarit që vuajnë dënimin për këto krime apo edhe për vrasje, përdorim e mbajtje eksplozivi etj. Të cilëve tu afrohen lehtësira të ndryshme në rast se pranojnë të pendohen dhe të ndihmojne
    5. Ky grup të drejtohet dhe kontrollohet, mundësisht nga një drejtues i lartë i ekzekutivit, mbi të cilin nesër do të bjerë përgjegjësia për pasojat që mund te vijnë për jetën e shqiptarëve nesër nga krimi i terrorit.                                                *Koço Polena-Specialist, Siguria Kombëtare  
    6. (BalkanWeb)   

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: