SHKUP-Negociatat për emrin pritet të kalojnë në nivelin më të lartë. Mediat greke shkruajnë se më 24 janar në Davos të Zvicrës do të takohen kryeministrat, Zoran Zaev e Aleksis Cipras bashkë me shefat e diplomacive të dy shteteve në kontest, Nikolla Dimitrov dhe Nikos Kocijas.

“Sipas informatave të Real.gr, Aleksis Cipras do të takohet me kryeministin e Shkupit, Zoran Zaev më 24 janar, fakt i cili i vërteton informatat se gjatë kohës së takimit Kocijas-Dimitrov në Selanik, ekzistonte përparim i madh. Sipas informatave të njëjta të verifikuara dhe pavarësisht asaj se akoma nuk ekzistojnë komunikata, në pushimoren zvicerane, ditën e njëjtë do të arrijnë edhe ministrat e punëve të jashtme të të dyja vendeve.”

Ky informacion nuk është konfirmuar as nga Athina e as nga Shkupi zyrtar. Vetëm se disa ditë më para shërbimet e Qeverisë njoftuan se kryeministri Zaev më 25 dhe 26 janar do të marrë pjesë në Forumin Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës.

“Ndërkohë shumica e grekëve janë kundër termit “Maqedoni”. Rreth 68% prej të anketuarve, respektivisht 7 nga 10 grekë nuk pajtohen që emri i ri të përmbajë termin “Maqedoni”. “Nuk e do shoqëria greke, nga Evrosi deri në Krit, madje as mbështetësit e Sirizës (64%). 68% JO për emrin me Maqedoninë”-shkruan “Proto tema” në titullin e anketës së realizuar.

Nga ana tjetër, kreu i partisë së koalicionit qeveritar “Grekët e Pavarur”, Panos Kamenos, njëkohësisht ministër i Mbrojtjes, në një intervistë për mediat greke ka kërkuar mbajtjen e një referendumi për emrin e Maqedonisë.

“Populli grek duhet të vendosë atë që nuk ka ndodhur ndonjëherë në historinë e njerëzimit, dhënien e historisë dhe civilizimit të tij, një populli tjetër. Përfshirja e termit “Maqedonia”në emrin e ri do ta tkurrte civilizimin grek në shekujt që vijnë – deklaroi Panos Kamenos, Grekët e Pavarur.

Kamenos gjithsesi kishte hedhur poshtë zërat për një krizë brenda koalicionit qeveritar, duke thënë se ka besim të plote tek negociatat që po zhvillon ministri i Jashtëm, Nikos Kocias, njofton Alsat M.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb