GREQI-Mediat greke zbardhin detaje të reja nga propozim-marrëveshja midis Maqedonisë dhe Greqisë për çështjen e emrit. Marrëveshja përmban 55 paragrafë të vendosura në 20 faqe ka njoftuar radioja greke “Athina 984”. Gjithashtu theksohet se propozim-marrëveshja është përgatitur nga Ministria e Jashtme greke, e shqyrtuar në mënyrë të detajuar nga kryeministri Aleksis Cipras dhe ministri Nikos Kocias, ndërsa i përmban pikat të cilat edhe vet shefi i diplomacisë greke i paralajmëroi kohë më parë. Kjo marrëveshje sipas mediave greke do të mbërrij në Shkup të enjten, për kur dhe është paralajmëruar vizita e Kociasit në Shkup.

Ndërkohë kryeministri Zoran Zaev vizitën e Kociasit dhe negociatat me ndërmjetësin e OKB-së Metju Nimic i sheh si mundësi për afrim drejt zgjidhjes së problemit me Greqinë për emrin.

“Besoj se është e mundur të gjendet zgjidhje dhe jam optimist nëse kujdesemi edhe për dinjitetin dhe për identitetin. Për mua është e rëndësishme se si këtë do ta pranojë opinioni grek dhe a do të jetë e pranueshme në institucionet e tyre. Besoj se edhe për politikanët grekë edhe për kryeministrin Cipras duhet të jetë e rëndësishme se si kjo do ta pranohet këtu nga qytetarët e Maqedonisë, por edhe si do të kalojë në institucionet e sistemit”– deklaroi kryeministëri Zoran Zaev.

Zaev theksoi se njerëzit të cilët negociojnë janë vetëm individë, ndërsa në fund institucionet e Maqedonisë dhe Greqisë janë ato të cilat vendosin.

“Besoj se mund të bëhet përparim, ndoshta jo deri në fund të zgjidhet, por gjithsesi të përafrohemi sepse ditët dhe muajt po ecin, ndërsa ne dëshirojmë që deri në verë ta zgjidhim këtë çështje. Besoj se këtë dëshiron ta bëjë edhe pala greke”– theksoi ai, njofton Alsat M.

Kryeministri gjithashtu theksoi se e njofton presidentin e Maqedonisë dhe opozitën për rrjedhën e bisedimeve kur konsideron se një gjë e tillë është e domosdoshme. Zaev gjithashtu paralajmëroi se pas vizitës së Kociasit dhe pas raundit të ri të bisedimeve më ndërmjetësin Metju Nimic me siguri do të ketë takim të ri të liderëve. Takimi i ministrave të Jashtëm të Maqedonisë dhe Greqisë me ndërmjetësin Nimic sipas mediave greke do të mbahet në 27 mars.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: