Kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev është takuar me homologun e tij grek, Aleksis Cipras për zgjidhjen e çështjes së emrit. Akoma nuk dihet se kur do të mbarojë ky takim në Davos të Zvicrës dhe nëse liderët do të prononcohen pas përfundimit.

Megjithatë ky takim është pritur me optimizëm të matur nga të dyja palët dhe njëherit ishtë temë kryesore në mediat vendase dhe ato greke. Sipas mediave të shtetit fqinj, takimi i sotëm është “Momenti i së vërtetës”, ku praktikisht të dy palët do të kuptojnë për vullnetin e vërtetë mes tyre për zgjidhjen e kontestit shumë-vjeçar.

Mediat greke shkruajnë se Cipras do ta paraqesë para Zaevit qëndrimin e Athinës zyrtare se dëshiron emër të përbërë me përcaktues gjeografik ose të ngjashëm, erga omnes. Për mediat e atjeshme, Zv/ministri i Jashtëm grek, Jorgos Katrugalos theksoi edhe një herë se emri i përbërë, për përdorim të përgjithshëm do ta pamundësojë cilëndo formë të irredentizmit.

Partia e koalicionit qeveritar, Grekët e Pavarur, nga ana tjetër, riktheksojnë qëndrimin e prerë kundër përdorimit të termit “Maqedoni”. Ndryshe pas protestës masive të së dielës, kundër termit “Maqedoni” është parparalajmëruar edhe një protestë tjetër për më 4 shkurt.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: