Ilir Daja nuk ka të bëjë fare me dënimin që rrezikon Skënderbeu. Dosja e përpiluar nga inspektorët e Etikës së UEFA-s për bardhekuqtë përmban kryesisht ndeshje të dyshuara nga viti 2016 e tutje.

E, megjithatë, kjo nuk e ka penguar Ilir Dajën që t’i dalë në mbrojtje skuadrës që drejton tani, madje të polemizojë me nota të ashpra me ish-sekretarin e FSHF-së dhe ish-drejtorin e Partizanit, Eduard Prodani.

Debati është zhvilluar në emisionin “Fair Play” të gazetares Enkeleida Zeko, në “News 24”. Daja ka mbrojtur faktin se futbolli sot është shumë më i pastër se sa në të kaluarën, ndërsa Prodani ka thënë se UEFA nuk abuzon kurrë dhe nuk merr asnjëherë vendime të njëanshme.

Eduard Prodani:
Unë e kam thënë që në fillim që ky dënim për Skënderbeun ishte një dënim administrativ që është lënë një vit jashtë Europës. Sepse UEFA ka rregulla të forta për Championsin. Nëse Skënderbeu do të fitonte kampionatin, them se UEFA do të bënte të njëjtën gjë edhe sezonin e kaluar.

Ilir Daja:
Po flasim me nëse dhe po vazhdojmë të paragjykojmë. Unë nuk e kisha me Prodanin… për të mos personalizuar situatën, por me të si numri 2 i federatës në atë kohë. Që do të thotë, çdo vit, Shqipëria bën një hap përpara në çdo drejtim.

Prodani: FSHF i hoqi 12 pikë në një kampionat që nuk pati asnjë pasojë për Skënderbeun dhe kjo është shumë e qesharake. Por unë desha të sqaroj Ilirin për diçka. Komisioni i Etikës së federatës mori vendim pasi mori vendimin KAS. Pezulloi Skënderbeun nga Champions-i dhe KAS i dha të drejtë UEFA-s.

Daja: Të lutem, e di vendimin e KAS-it apo jo?!

Prodani: KAS i dha të drejtë UEFA-s.

Daja: Ku, ku e ke?

Prodani: A mori pjesë në Champions?

Daja: Për arsye kohe la në fuqi vendimin që mori UEFA, por jo se i dha të drejtë UEFAs. La vendimin në fuqi se UEFA mund të dënojë, në mënyrë administrative. Por nuk mund të dalë asnjë vendim pa një fakt konkret.

Prodani: Po si s’del, po ata që e dhanë çfarë janë?

Daja: O zotëri, më trego një gjykatë në botë që dënon pa fakte.

Prodani: Mekanizmi tashmë është përsosur shumë, është më i sofistikuar, pra merr në analizë detaje dhe fakte që unë kam lexuar në raportet e atëhershme.

Daja:
Atëherë, meqë je në dijeni, me sa di unë, raporti i UEFA-s fillon me një personazh që njihet në Korçë dhe trajtohet nga UEFA si një kokë e mafies dhe trukimit. Nëse njihet pozicionimi i atij personi, atëherë i bie që i gjithë raporti të jetë bosh. Sepse diçka që fillon me një person që s’ka asnjë lidhje, por merret si mafia e trukimeve. Ai është vetëm një tifoz i jashtëm. Atëherë lind e drejta që të paragjykojmë.

Prodani: Unë nuk e gjykoj dot raportin, ju po e gjykoni. Unë them këtë që, me çfarë pashë, faktet janë shumë më të sofistikuara. Unë nuk e di fare se sa cilësor është ky raport. Unë s’mund të them që është raport abuziv.

Daja: Mos e merrni personale!

Prodani: Ju përfaqësoni një klub këtu…

Daja: Unë përfaqësoj një klub dhe jam i ndërgjegjshëm që është një nga klubet më të pastër në Shqipëri. Është krenaria e futbollit shqiptar.

Prodani: Ashtu qoftë…! Daja: Nëse ti nuk e ke parë ecurinë e Skënderbeut sa ka ecur në Europë dhe nëse nuk je shqiptar…!

Prodani: Unë jam më shumë shqiptar sesa shumë nga ata që flasin për këtë pjesë.

Daja: Ne po diskutojmë për futbollin shqiptar dhe kështu që ajo që duhet të na jepet ne të gjithëve është se nuk bëhet fjalë për Skënderbeun, por për gjithë futbollin. Kur del ti, personi i dytë i federatës, dhe thua që futbolli në Shqipëri është ndotur tani që nuk je më pjesë e tij…

Prodani:
Profesor, e shoh që ke ardhur kundër meje dhe i ke formulat e gatshme sot. Nuk jam personi i dytë i federatës se kam ikur që në vitin 2012…

Daja: Po tani që nuk je, do të thuash që atëherë ka qenë kështu…?! Është shumë ndryshe. Doni apo nuk doni ju, futbolli në Shqipëri po ecën përpara. Dhe gara po bëhet e besueshme, ti ndaç besoje ose jo! Shumë më e besueshme sesa kur ke qenë ti pjesa e garës. Kur ke pas ndonjëherë ekip shqiptar që ka shkuar dy herë në grupet e Europa Ligës?

Prodani:
Po bëhet tani e besueshme? OK, d.m.th. unë isha faji atëherë…?! Çështja është këtu: Ose s’kemi pasur, por të mbaroj argumentin. Fakti që dalin çdo javë trajnerë dhe akuzojnë, e bëjnë garën të pabesueshme…

Daja: Jo, jo, është më e besueshme gara. Nuk ke të drejtë ti zotëri të cenosh punën e futbollit shqiptar.

Prodani: Më demaskove fare tani… do më lesh të flas?!

Daja:
Jo është cenim i profesionit tim, nuk të le të flasësh kot. Gara është më e besueshme dhe më e vërtetë saç ka qenë dje dhe pardje.

Prodani: Derisa dalin njerëz dhe trajnerë që akuzojnë, do të thotë që s’ka besim te gara dhe duhet marrë masë për këta. Tani po më vjen diçka, ajo që tha presidenti i Skënderbeut në Kukës. “Më vjen turp që marr pjesë në këtë kampionat”, nëse nuk është e mjaftueshme kjo atëherë po jap dorëheqje nga çdo pozicion.

Daja: Unë nuk po them që futbolli në Shqipëri është më i miri në Europë, por më i mirë se ai i djeshmi. Nuk i vendos futbolli standardet, standardet i vendos politika dhe ekonomia.

Prodani: E kam dëgjuar që e thoni disa herë këtë, por nuk është kështu. Daja: Ti që e njeh futbollin teorikisht mund ta thuash, unë e njoh edhe futbollin teorikisht dhe praktikisht. Nuk mund të flitej për futboll në kohën kur policia vinte si tifoze. Ndërsa sot mund të luhet në çdo fushë.

Prodani: Standardet e besueshmërisë së garës i vendos futbolli, mor profesor!

Daja: Po ça besueshmërie thua, ne nuk kemi besueshmëri në organet gjyqësore….

Prodani: Po ne thamë që futbolli shqiptar është në Europë mor profesor…!

Daja: Po është mo, është në Europë, por jo sepse e çove ti. Në Europë jemi… Problemi është që një person që ka qenë drejtues i lartë i FSHF-së, që është njohur nëpërmjet këtij futbolli, sot del dhe kur të gjithë e dimë që sot futbolli është më i mirë se çdo gjë, ky zotëria del dhe na e nxin. Të arrish të dëgjosh edhe këtë, mjerë ne që e kemi pasur drejtues të futbollit në Shqipëri këtë lloj personi!

Prodani: D.m.th. një që ka qenë në politikë nuk duhet të kritikojë politikën?

Daja: Po ti po më tregon futbollin kur ne na lëvizte koeficienti i jetës në stadiume?!

Prodani:
Nuk po të tregoj asgjë, ne po themi tani.

Burimi: http://www.panorama.com.al/sport/ceshtja-skenderbeu-daja-sherr-me-ish-drejtorin-e-partizanit-raporti-eshte-bosh/

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb