Ditën e djeshme në Nyon të Zvicrës u zhvillua seanca e parë dëgjimore e klubit të Skënderbeut përballë përfaqësuesve të Komisionit të Kontrollit, Etikës dhe Disiplinës ndërkombëtare. Me anë të një njoftimi në faqen zyrtare në “facebook”, dje, klubi i Skënderbeut theksoi se proçesi gjyqësor për çështjen në fjalë është në fazën fillestare dhe nuk dha më detaje se kur mund të jepet vendimi përfundimtar nga UEFA.

Por një gjë është e sigurt, që Komisioni i Kontrollit, Etikës dhe Disiplinës në UEFA pritet që të japë një pezullim disavjeçar të Skënderbeut për akuzat për trukime. Klubi i Skënderbeut nuk ka bërë akoma një njoftim zyrtar se kur do të bëhet publike masa e pritshme ndëshkimore nga ndërkombëtarët, por burime të “BalkanWeb” pranë klubit korçar bëjnë me dije se vendimi mund të bëhet publik edhe gjatë ditës së sotme. Edhe pse vendimi mund të jepet sot, dosja e e plotë e dënimit do të finalizohet gjatë muajit prill.

Klubi korçar po përgatit një mbrojte me një strategji të tillë që finalizimin e ka te KAS. Seanca e Apelit në UEFA nga Skënderbeu mund të përdoret vetëm për procedurë pasi edhe në këtë shkallë klubi korçar nuk ka asnjë shans që vendimi për dënimin të ndryshojë. Kështu që, “forcat” mbrojtëse të korçarëve do të përqendrohen në KAS të Lozanës, aty është shpresa e tyre e fundit. Madje nga klubi korçar është përgatitur e gjithë strategjia për t’u mbrojtur në KAS, thjesht po pritet dita dhe ora finale…
(i.ç/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb