Nga Pëllumb KARAMETA
Shumë të rinj/të reja ndjehen të kënaqur nga jeta në shkollë. I duan mësuesit, pëlqejnë disa prej lëndëve që zhvillojnë, janë të mirë në ato që vlerëson shkolla, ndjejnë se kanë mundësi të mjaftueshme për të dalë mirë në provime dhe përparuar më tej. Por nuk janë pak ata që nuk ndjehen dhe sillen kështu. Shumë prej këtyre, që luftojnë çdo ditë me veten, vijnë nga familje dhe bashkësi të varfra. Të tjerë vijnë nga familje të qëndrueshme dhe në mirëqenieje. Ju mund ta dini, sikundër e di dhe unë, se prindërit në këto familje e ndjejnë që fëmija “po u del nga binarët” ose ka rënë në “shoqëri të keqe”. Shumë nga këta të rinj përdorin drogë, bëhen agresivë dhe nuk përparojnë në mësime; disa të reja mbeten shtatzëna ose dështojnë në provime. Këto, sigurisht, janë situata serioze. Provimet mund të rimerren, por plagët si këto kërkojnë vite të mbyllen. Ndaj, bëhet çështje kryesore për çdo mësues dhe prind, njohja e sfidave që përballin të rinjtë dhe të rejat, pavarësisht origjinës familjare.

Një anketë e paradokohshme me nxënëset adoleshente në kryeqytet tregoi se vajzat ndjehen të stresuara kudo, në shtëpi, në shkollë dhe me miqtë e tyre. Ato ndjehen nën trysni për paraqitjen e jashtme, për pamjen gjakftohtë që duhet të shfaqin, për sjelljen e përgjegjshme që kërkohet prej tyre dhe për arritjen e rezultateve të mira në shkollë. Gjashtë në dhjetë prej tyre kanë përjetuar gjendje depresioni, 42% ndjehen me humor të prishur dhe 32% mendojnë se jeta nuk ia vlen të jetohet. Një në çdo tri prej tyre thotë se është ngacmuar nga të tjerët, jashtë dëshirës së saj. Një studim tjetër gjeti se është dyfishuar numri i adoleshentëve që pinë alkool ose duhan. Më shumë se një e treta e nxënësve 18-vjeçarë të anketuar e përshkruajnë veten si pijetarë të rregullt. Pjesa më e madhe u përket familjeve të shtresës së mesme, të konsideruara si të qëndrueshme. Edhe në kontekstin e përgjithshëm, një studim i OKB-së raportoi se 20% e të rinjve në botë vuajnë nga probleme të shëndetit mendor. Nga këto të dhëna, por dhe nga të tjera që publikohen rregullisht në media, mund të thuhet se shëndeti mendor i të rinjve po bëhet çështje kritike. Ndërkaq, psikologët na mësojnë se mbi 60% e të rinjve, që përballen me një problem të shëndetit mendor, e bartin atë edhe kur rriten.

Vetëm të rinj me fat kanë tani familje që i mbështetin vazhdimisht. Shumë të tjerë përjetojnë dramën e sherreve të vazhdueshme, të dhunës brenda në familjeve deri dhe ndarjen e prindërve. Këta të rinj i bëjnë gjërat sipas mënyrave të tyre dhe mësimet për edukimin shëndetësor duket nuk kanë ndikimin e duhur. Grupet e shokëve po bëhen më të rëndësishëm për identitetin vetjak. Jeta shoqërore jashtë familjes fillon më herët, po kështu, përpjekjet për të pirë, për t’u droguar ose për marrëdhënie seksuale. Tendenca si këto, të kundërta me normat, krijojnë konflikte, pasi, as prindërit, as mësuesit dhe as të rinjtë, nuk po dinë më se ku janë kufijtë.

Rinia e sotme jeton në botën e besnikërive të mërzitshme dhe të brishta, botë e përfaqësuar nga konsumi. Nëpërmjet lidhjes, zgjedhjes, blerjes, zotërimit dhe paraqitjes, të rinjtë e ndjenë deri në hollësi se kush janë dhe kujt t’i qëndrojnë besnikë. Cilin klub futbolli të mbështetin? Cilin grup muzikor të dëgjojnë? Çfarë rrobash të veshin? Të kenë marrëdhënie seksuale ose të pretendojnë se kanë dhe me kë? Shumë ditë të adoleshentëve janë të mbushura me zgjedhje ose kurthe potenciale ku çdo vendim i tyre bart mundësinë e rënies në gabim. Shpesh, marrja parasysh e rrezikut mund të jetë çmimi që duhet paguar për t’u pranuar në grupin e shokëve. Të mendosh të dukesh trim, pa menduar pasojat dhe të mos i kushtosh vëmendje lëndimit që mund t’i bësh vetes ose të tjerëve, kjo të bën pjesë të grupit që do. Gjithmonë, të rinjtë kanë dashur të rrezikojnë, të kundërshtojnë hapur, të jenë të ndjeshëm më shumë se sa duhet ndaj këshillave të më të rriturve. Të rinjtë e djeshëm, në ditët e bukura të rinisë së tyre, shkuan në luftë, që të shpëtonin nga sistemi ose të vdisnin. Tani, për shumë të rinj, ndërmarrja e rrezikut çdo fundjavë është në përmasa të mëdha: pije, drogë, seks i pambrojtur, përleshje etj. Gjakftohtësia nuk ka të bëjë më me kujdesin, por mund të provohet dhe të shfaqet në ndërmarrjen kolektive të rrezikut.

Të jesh sot i ri, do të thotë të jesh “artist i ndryshimit të shpejtë”, por, në këtë liri, ka kënaqësi dhe rrezik, ka dhe stres. Prapa këtij roli gjysmë të vetëdijshëm dhe të sofistikuar ngacmon pyetja: Kush jam unë në të vërtetë? Kultura e famës, ku jemi zhytur të gjithë, i fton të rinjtë, ashtu siç bën me shumë prej nesh, të përgojojnë dhe të gjykojnë, më shumë se të mendojnë dhe të nxënë. Ata mbështetin aleancat dhe imitojnë, çka e bëjnë nëpërmjet zgjedhjeve, gjykimeve dhe parapëlqimeve për njerëzit që shfaqen në media. Dëshira për famë nxit ëndrrat naive për suksesin e lehtë, për vendimet e shpejta pa llogaritur pasojat. Adoleshentët kanë nevojë dhe duan që njerëzit t’i admirojnë, të kthejnë vështrimin drejt tyre. Ata duan t’u ngjajnë të tjerëve. Nëse kanë fat, do të gjejnë të afërm, miq të familjes ose mësues që bartin mjaft mirë vlerat që frymëzojnë respektin e të rinjve. Nëse nuk kanë fat, do t’i drejtohen medias për të gjetur modelet e roleve që duan të lozin. Atje do të shohin njerëz që i fitojnë paratë rastësisht ose nëpërmjet grumbullimit të faktorëve të parëndësishëm: futbollistë ose yje të rrokut që fitojnë shuma të stërmëdha parash. Çfarë presim që të nxënë të rinjtë nga këta shembujt të lartësuar përditë nga media? Ndaj, nuk kemi pse të çuditemi kur ata, të lënë në mëshirën e fatit do ndodhen mes apatisë dhe idealizmit pasionant.

Të mos harrojmë! Çdo ditë të rinjtë përballen me telashe të dykuptimta dhe të ndërlikuara. Nga ata pritet të bëjnë zgjedhje dhe gjykime, shpesh mbi bazën e informacionit të papërshtatshëm. E, meqë jo rrallë burimet tradicionale të udhëheqjes dhe të autoritetit janë të dobëta dhe konfliktuese, të rinjtë lihen ta marrin vetë përgjegjësinë, çka i streson ata. Psikologët na thonë se stresi është gjendja që përjetohet kur kërkesat tona i tejkalojnë burimet apo mundësitë për t’i plotësuar ato. Prishja sistematike e baraspeshës ndërmjet kërkesave dhe burimeve që zotërohen, shpie në përjetimin e ndjenjës se jeni të papërshtatshëm, të paaftë. Kjo ju shqetëson dhe, për pasojë, humbisni kontrollin mbi gjërat. Në këto rrethana njerëzit përpiqen më shumë të menaxhojnë ndjenjat e tyre, se sa të përqendrohen mbi shkaqet. Kjo bën të mohohen, të anulohen, të fajësohen apo të zëvendësohen veprimtaritë riaftësuese. Për ta thënë ndryshe: pija, brengosja, pasiviteti ose agresiviteti janë përpjekje të dëshpëruara për të shmangur gjithnjë e më shumë kritikën që i bëjnë vetes se nuk janë të aftë të përballen me problemet e jetës.

Sot, vlen të kuptojmë se pesha e kërkesave mbi të rinjtë është tejet e madhe. Ata kanë pak mundësi që ta zvogëlojnë atë. Nuk ndryshojnë dot strukturën e familjes, nuk ndryshojnë dot natyrën e kulturës rinore, nuk protestojnë dot kundër konsumit, nuk ndryshojnë dot legjislacionin apo heqjen e provimeve. Kështu, atyre u mbeten dy mundësi zgjedhjeje: a) të punojnë për të zhvilluar kapacitetet e tyre, ose b) të përfshihen në veprimtari që largojnë vëmendjen nga gjendja ku ndodhen: pije, fantazi shterpë, vetëplagosje, zvarritje pa fund, deri fundamentalizëm. Për të parën, zhvillimi i kapaciteteve të tyre, edhe shkolla, një shkollë vërtet e reformuar e një shoqërie që investohet për të ardhmen, ka shumë për të ofruar.

Por jo vetëm ajo.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: