TIRANË- Pas deklaratës se nga takimi kokë më kokë mes kryeministrit Edi Rama dhe kreut të PD-së Lulzim Basha mund të dilet me një pakt të fshehtë përveç atij publik, profesor Paskal Milo, kreu i PDS-së ka sqaruar në emisionin “Studio e Hapur” në News24 se çfarë mund të përmbajë ky pakt. Ai tha se edhe vettingu mund të jetë çështje e këtij pakti.

“Vettingu mund të jetë një çështje e një pakti të fshehtë. Nuk dua të thellohem më tej në fushën e spekulimeve. Pakti i fshehtë në këto rrethana është që të ruajnë njeri- tjetrin nga goditjet maksimaliste dhe ta ruajnë këtë si fitore të ndërsjelltë”, deklaroi Milo, shkruan “BalkanWeb”.

Ai la të hapur mundësinë që pjesë e këtij pakti mund të jenë edhe emrat e ministrave të opozitës që parashikon paketa “McAllister”

“Çfarë emrash do të jene në këshillin e ministrave, sepse është thënë që do propozohen nga Rama por duhet të marrin pëlqimin nga Basha. E treta mund të jetë garanci për çështjen e procesit zgjedhor. Për shembull Rama mund t’i japë garanci zotit Basha që në vend që të artikulojë kërkesat e tij për standarde më të larta mund t’i japë garanci të tjera që procesi do jetë transparent dhe i plotë”, tha Milo.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb