Nga: BLENDI FEVZIU
Zgjedhjet në Dibër janë mbyllur pak minuta më parë me një avantazh prej afro 4100 votash në favor të kandidatit të majtë. Nuk ka asnjë dyshim që rezultati ishte i papritur jo vetëm për PD, por me siguri edhe për militantët e PS që prej 25 vitesh kanë qenë minorancë në atë zonë. Fitorja e Shukri Xhelilit një vit më parë me afro 300 e ca vota erdhi edhe si pasojë e disa kandidatëve të djathtë që canë votat e opozitës. Po c’ka ndodhur këtë herë në Dibër dhe si shpjegohet që një vit kaq problematik në qeverisje, jo që nuk i ka reduktuar, por i ka shtuar votat e mazhorancës? Si shpjegohet që PS ka hyrë në këtë garë në një sfidë edhe me LSI, që thuajse nuk ka qenë prezente në Dibër dhe ka fituar edhe pa të? Duke i dhënë një mesazh Metës se ai nuk është më një domosdoshmëri elektorale për PS. Eshtë ende herët për të bërë një analizë, por te gjithë faktorët duhen renditur një pas një.

PD ka deklaruar që fitorja ka ardhur si pasojë e vjedhjes së votës dhe aleancës së politikës me krimin. Nuk dihet se në c’masë ka qenë ky ndikim, por e dinë të gjithë që në Dibër janë vërtirur banda dhe banditë, persona me precedentë penalë dhe biznesmenë të gatshëm të derdhin para në shërbim të politikës. Gjithe kjo aradhë padyshim që ka ndikuar në orientimin e votimit, por vështirë të thuhet se në c’masë. Në këtë rast ka dy probleme që dalin:
E para PD duhet të paraqisë fakte dhe denoncime konkrete; ajo nuk duhet të përqëndrohet në asnjë betejë tjetër vec kësaj të votës së lire dhe garantimit të saj. Nëse nuk denoncohet fort, me fakte dhe me emra konkretë; nëse ata nuk do shkojnë përpara përgjegjësisë ligjore, deklaratat e PD mund të konsiderohen si justifikim dhe kjo është fatale.

E dyta, për më pak se 9 muaj Shqipëria shkon në zgjedhje të përgjithshme. Nëse votat u vodhën dhe u blenë kaq kollaj në Dibër, si do veprojë PD në gjithë Shqipërinë?! A ka ajo një mekanizëm për të frenuar këtë proces që po sipas saj, e ka kthyer nga fituese në humbëse në Dibër? Nëse jo, duhet thënë që jo nesër, por edhe sot, është vonë për të garantuar një garë të barabartë dhe të panjollosur në zgjedhjet e ardhshme. Tani nuk ka më kohë për të ndrequr dhe rrezikon që PD të mos paraqitet në një palë zgjedhje që ajo beson se do t’ja vjedhin. Kjo mund ta fusë vendin në një spirale problematike, por mbase edhe në një riformatim më serioz të sistemit politik këtu.

PS ka deklaruar se fitorja ka ardhur si pasojë e angazhimit dhe qeverisjes së saj. Në ndryshim nga një vit më parë, vendi ka pasur më shumë probleme se sa arritje. Vetë koalicioni PS–LSI ka qenë problematik këtë herë dhe ajo që ndodhi me Shukri Xhelilin nuk ishte ndonjë kartë plus për PS.

Më e mundshmja është që në publik dhe jo vetëm në Dibër, është krijuar bindja që në këtë vend janë të gjithë njësoj. Flirtimi i PD me LSI, përplasjet me ndërkombëtarët për reformën në drejtësi, mos krijimi i një frymë besimi dhe shprese, kanë zbehur besimin e njerëzve. Njësimi i opozitës me mazhorancën është fatal kryesisht për të parën. Kur shenja e barazimit vihet për të gjithë, ai që fiton është pushteti, që ka më shumë mjete dhe më shumë stabilitet. Askush më mirë se sa publiku nuk e ndjen shijen e talljes me të dhe piruetat e politikës. Dhe ai që harron më pak është pikërisht publiku.
është ende heret për te folur, por Dibra nuk duhet të kalojë në heshtje, ndryshe, në Qershorin e ardhshëm nuk do kemi zgjedhje, por vetëm një paradë qeveritare. Një paradë, ku arroganca, shpërfillja dhe papërgjegjshmëria, korrupsioni, do jenë thuajse normale.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: