Nga: CNN

Një gadishull, dy mënyra jetese shumë të ndryshme. Disa pjesëmarrës të delegacionit të Koresë së Veriut në Lojërat Olimpike Dimërore në Pyeong Chang të Koresë së Jugut shkelën në një botë shumë të ndryshme nga versioni i realitetit të kontrolluar nga të gjitha anët me të cilin janë mësuar në shtëpi, shkruhet në një artikull të CNN.

Nuk është vetëm teknologjia e re që koreano-veriorët shikuan për herë të parë në vizitën e tyre tre ditore. Është fluksi i të gjithëve njerëzve nga të gjithë cepat e globit. Rezidentët e Seulit shprehen se ‘atmosfera e lirisë do jetë shumë e panjohur për koreano-veriorët’. Sipas tyre, ata do të mendojnë se është një dimension i ndryshëm.

Arti: Arti në Korenë e Jugut – madje edhe reklamat e thjeshta- është një kontrast i plotë me ekspozimin e kontrolluar nga shteti i Koresë së Veriut të çdo lloj krijimtarie apo kulture. Dhomat në të gjithë Korenë e Veriut paraqesin foto të udhëheqësve të ndjerë të vendit, portretet e Kim Il Sung dhe Kim Jong Il. Pothuajse të gjitha monumentet dhe shfaqjet e artit publik në të gjithë vendin paraqesin portretet e tyre ose i dedikohen Partisë së Punëtoreve të Koresë.

Te huajt:
Delegatët e Koresë së Veriut ndoshta kanë takuar më shumë njerëz nga kultura dhe vende të ndryshme gjatë vizitës në jug se kurrë më parë. Koreja e Veriut krenohet me racën e saj të pastër dhe homogjene. Brenda vendit komunist, ekspozimi ndaj shtetasve jo koreano-veriorë është shumë i kontrolluar. Qeveria gjithashtu i ndalon koreano-veriorët të lyejnë flokët me ngjyra të tjera, përveç të zezës ose ngjyrës kafe. Ngjyrat e pazakonshme të flokëve si ngjyra blu ndoshta i ka surprizuar ata.
Ushqimi: Një kontrast i zymtë gjithashtu ekziston në shumëllojshmërinë e ushqimeve që gjenden në të gjithë qarkun Pyeongchang. Bifteku, mishi i pulës apo i derrit janë luks i papërballueshëm për shumicën e koreano-veriorëve, të cilët shpesh kanë përjetuar urinë dhe pasigurinë e ushqimit.

Transporti:
Para se të arrinin në Lojërat Olimpike, delegacioni i Koresë së Veriut udhëtoi në një tren me shpejtësi të lartë, rreth 190 milje në orë. Nuk është vetëm shpejtësia që është gjë e re për ata – rrjeti i tyre i hekurudhave dhe autobusit bazohet në teknologji dhe infrastrukturë të vjetër. Trenat dhe autobusët janë shumë më të vjetër dhe të ngadaltë në krahasim me ato të Koresë së Jugut.

Liria e lëvizjes: Edhe lëvizjet e njerëzve brenda Koresë së Veriut janë të kontrolluara nga shteti. Qytetarët duhet të marrin leje udhëtimi nga provincat e tyre për të vizituar Phenianin.

Celularet dhe interneti: Celularët apo smartphones nuk janë një gjë e rrallë në kryeqytetin e Koresë së Veriut por interneti i lirë dhe i hapur i Koresë së Jugut është. Koreano-veriorët në Pyeongchang u ndaluan të kishin akses në internet. Censura e rreptë e regjimit komunist ndoshta do kishte gjetur shumë përmbajtje ‘të verdhë’, një term koreano-verior për përmbajtje të papërshtatshme dhe subversive. Përmbajtja që kritikon vendin e tyre, sistemin dhe sidomos liderin e tyre Kim Jong Un do kishte alarmuar Phenianin.

Televizori: Delegatët ndoshta për herë të parë kishin mundësi të shihnin televizor që nuk ishte i kontrolluar nga shteti gjatë vizitës së tyre, nëse me të vertetë u lejuan të shihnin TV. Stacionet televizive në Korenë e Veriut janë të monitoruara dhe të censuruara. DVD-të ose USB-të me përmbajtje kontrabandë janë luks i rrallë në vend.
Dritat e rrugës: Dritat shumëngjyrëshe dhe neonet në rrugët e qarkut Pyeongchang janë një kontrast i madh nga rrugët pa drita dhe në errësirë të Koresë së Veriut.

Makinat: Në rrugët e Koresë së Jugut ka një numër shumë të madh makinash, ndoshta më shumë makina sesa delegacioni mund të ketë parë në vendin e tyre, përfshirë modele të reja dhe prodhime vendase. Në Korenë e Veriut shumica e makinave janë importime të vjetra.

Elektriciteti: Ashensorët e paktë në Phenian shpesh ndalojnë shpesh për shkak të ndërprerjeve të energjisë, ndërsa në Pyeongchang, pavarësisht fluksit të madh të vizitorëve për Lojërat Olimpike, energjia nuk u ndërpre asnjëherë.
(Përktheu Aleksandra Kola/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb