Gjatë ditëve të fundit kanë qenë të shumtë mesazhdërguesit që kanë konstatuar se domatet kishin mbirë nga brenda, pra u kishin dalë kërcej e filizë të rinj. Vetëm ditën e sotme në redaksinë e JOQ.al kanë ardhur mbi 6 mesazhe që konstatojnë të njëjtën problematikë. Bëhet fjalë për këtë frut të stinës (domatja është frut dhe jo perime shkencërisht) i cili ka shkaktuar panik dhe pakënaqësi tek qytetarët, të cilët nuk dinë më se çfarë po konsumojnë.

“Shihni domatet që hamë ne. U tmerrova kur i preva. Që nga sot nuk do të konsumoj më domate. Mora më të shtrenjtat e më të mirat, me demek produkte bio. Po na vrasin çdo ditë e s’ndihemi. Në Shqipëri jo vetëm hallin, po dhe sëmundjet i blejmë me lekë. Ne po hamë pesticide çdo ditë. Provojeni të gjithë: lerini domatet dy ditë në ambient me temperaturë dhome dhe e sigurt do të ndodhë kjo gjë”, – shkruan një nga qytetarët e shumtë.

Por çfarë është në të vërtetë ky fenomen kaq i çuditshëm që po shfaqet pasivisht kohët e fundit?
Ekspertët e AgroWeb.org sqarojnë për JOQ se këto filiza të gjelbër brenda domateve nuk janë as krimba as alienë që ia kanë dalë të depërtojnë brenda frutit. Në të vërtetë bëhet fjalë për farat e frutit që kanë nisur procesin e filizimit. Përshkrimi zyrtar i këtij procesi është Vivipari që në latinisht përkthehet ‘lulëzim për së gjalli”. Ky term përdoret për filizat që rriten brenda ose ngjitur me bimën nënë. Vivipari ndodh kur hormonet që mbajnë nën kontroll farat e domates, shuhen ose reshtin së vepruari dhe fara zgjohet e nis të rritet duke shfrytëzuar lagështinë brenda frutit. Ky ambient i lagësht por i ngrohtë është ideal për filizimin.

Nëse domatja qëndron e paprerë dhe në kushte të ngrohta, atëherë filizat e brendshëm arrijnë të dalin mbi lëkurë, duke i hapur rrugë dekompozimit të domates.

Domatet në varg apo domatet kokërrvogël që blini në treg janë të një varieteti më jetëgjatë. Nëse këto domate këputen kur janë gjysmë të pjekura dhe përpunohen në mënyrën e duhur, mund të qëndrojnë të “freskëta” për 3-4 muaj pas mbledhjes. Nëse domatet lejohen të piqen deri në fund pa u këputur nga bima, atëherë jetëgjatësia e tyre është maksimumi një muaj.

Ndonëse tuli dhe lëkura kanë reshtur së pjekuri, farat vazhdojnë të rriten e të zhvillohen duke përdorur sheqernat në brendësi të frutit. Tendencat më ekstreme të fenomenit të filizimit vërehen në domatet hibride që piqen por nuk kalben.

Natyrshëm lind pyetja, a janë të mira domatet hibride? Ato janë të mira për garniturë ose zbukurim në sallata. Janë me një ngjyrë të kuqe të ndezur dhe kanë një paraqitje të këndshme, por janë krejt pa shije. Këto lloj domatesh arrijnë të durojnë kushtet e transportit dhe nuk kanë rrezik të prishen gjatë tij.

Nëse prini një domate dhe gjeni fara ose filiza mundohuni të mos i hani ato. Kini parasysh që bima e domates sado e vogël të jetë nuk hahet, por fruti po.

Në bazë të rekomandimeve të ekspertëve, AgroWeb zbuloi se edhe pjekja e nxitur e domateve nëpërmjet hormoneve shkakton një filizim jo normal brenda frutit. Hormonet që përdoren për pjekjen artificiale të domates, përshpejtojnë këtë proces dhe e vazhdojnë atë edhe kur domatja është këputur me kohë.
Mos lini askënd t’ju thotë se filizimi i domates është krejt normal. Nuk është aspak normal dhe është një çudi e mirëfilltë. Lajmet më të hershme për domatet me filiza janë dëgjuar që në vitin 2003.

Çfarë mund të bëjë konsumatori?
Së pari, hapni sytë mirë dhe kërkoni për filiza në momentin që prini domaten. Shpesh filizat janë të dukshëm edhe kur domatja është e plotë. Pyesni gjithnjë shitësin apo fermerin dhe kërkojini të presë domaten në gjysmë për të pasur një provë për gjendjen e tyre. Nëse i pëlqen syrit, atëherë edhe goja nuk do të kundërshtojë.
(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: