A do ketë një operacion të madh të policisë në Lushnjë? Kjo është pyetja që lind pas dy arrestimeve të fundit në Lushnjë, në dukje pa një lidhje me njëra-tjetrën dhe për motive të ndryshme.

Sot është arrestuar nga policia e Lushnjës në bashkëpunim me Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë të Fierit 37-vjeçari Julian Sulo, banues në Karbunarë, Lushnje. Sulo u kap nga Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lushnje në vijim të kontrolleve të ushtruara me qëllim mbajtjen nën kontroll të situatës kriminale dhe rritjen e sigurisë së qytetarëve.

Gjatë kontrollit të ushtruar nga policia në lagjen “Gafur Muço”, 37-vjeçari duke udhëtuar me mjetin tip “BMW” të blinduar, nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të policisë për të ndaluar.

Policia iu vu në ndjekje shtetasit të lartpërmendur i cili pasi braktis makinën, hedh armën që mbante në mjet dhe largohet me vrap në rrugicat e qytetit. Sulo njihet në Lushnjë edhe si Juli i Pashakos dhe ka qenë një nga personat e shoqëruar si të dyshuar për masakrën në Lushnjë, ku u ekzekutuan Jurgen Hoxha dhe Zamir Latifi, miq të nipit të Aldo Bares, Laert Haxhiut. Sula u vetëdorëzua në polici pas vrasjes së dy të rinjve por u lirua më pas për mungesë provash.

Po kështu më 11 qershor 2016 Julian Sulo u plagos pas ndeshjes Shqipëri-Zvicër në një pikë bastesh, në lagjen “Skënder Libohova”. Lokali në fjalë ishte në pronësi të Arjan Aliços, i njohur ndryshe si “Arti i Braçes” një 53-vjeçar, i dënuar më parë për vrasje dhe që njihet si një nga ushtarët e Aldo Bares.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: