Baritoni Gëzim Myshketa mbërriti në Tiranë me një produksion të rëndësishëm që ishte opera “Carmen” e cila u prezantua në Pallatin e Kongreseve nga TKOB. Myshketa është një emër shumë i njohur në skenën botërore të artit ku ka korrur shumë sukses. Të jesh edhe regjisor dhe interpret në skenë ka edhe vështirësitë e saj. Kështu erdhi kësaj radhe në operën “Carmen” Myshketa, ndërsa në emisionin “Chic” në News24 ai tregon të gjitha vështirësitë për ngjitjen në Pallatin e Kongreseve të kësaj vepre, duke nisur nga problemet teknike por edhe tek sadisfaksioni i publikut. Myshketa flet edhe për rolin e aktores së madhe Tinka Kurti në këtë operë por edhe për të veçantat e saj, siç ishte cigarja në skenë apo balerinët gjysmë nudo.

gezim myshketa

Larmia dhe turma e njerëzve që hynë për të parë shfaqjen është padyshim një sukses që mund të shënohet jo vetëm në këtë “Carmen” por dhe në atë që opera shqiptare ka arritur pavarësisht se nuk ka një sallë…
Patjetër, është një sukses i padiskutueshëm i punës më se të lavdërueshme të Zana Çelës, le ta themi edhe të gjithë ekipit që nga i pari deri tek i fundit i mrekullueshëm që ka Teatri i Operës. Është një rikthim masiv i njerëzve në sallat edhe pse jo operistike dhe kjo na gëzon dhe na jep shpresë për të ardhmen.

Në këto 4 net të shfaqjes ka pasur lodhje, ka pasur sfida dhe sigurisht nuk është salla ideale. Unë vetë e ndjeva vetë dje që pavarësisht përpjekjes kolosale kjo nuk është salla ideale për operën…
Është diçka më se evidente, keni të drejtë. Këtu vijmë mysafirë, merret një sallë borxh dhe duhet aplikuar një regji skenike, drita, audio, kostumografi, dmth duhet krijuar një teatër opere i improvizuar, nga fillimi. Ky nuk është faji i askujt, bëhet për një kauzë superiore, që është më në fund të kemi një teatër dinjitoz të operës dhe baletit. Të shpresojmë që punimet të mbarojnë brenda kohës së caktuar dhe artistët tanë të mrekullueshëm të kenë vendin e tyre të denjë për ushtrimin e artit të bukur lirik.

Po në plan personal, në vigjilje të kësaj nate ku ti, le të themi ke ndërtuar atë çka kishe në mendje për këtë Carmen dhe po lë dy shfaqjet e fundit me çastin e dytë, vetë si ndihesh?
Unë ndihem tejet i kënaqur. Jam tërësisht i plotësuar, ose plot sadisfaksion si shkuan të gjitha netët. Kërkesë e jashtëzakonshme për bileta. Mbrëmë ishte diçka e mrekullueshme të shihja që gjithë salla ishte e tejet e mbushur dhe kishte njerëz që shkonin edhe në platenë D që nuk ishte e përgatitur për njerëzit, vetëm për të parë operën. Nuk ka sadisfaksion më të madh që publiku i Tiranës por jo vetëm, i tërë Shqipërisë e përcolli me mjaft entuziazëm dhe pasion këtë vepër që ne sollëm. Mendoj që sollëm një Carmen ndryshe, një Carmen të rifreskuar nga ana e aktrimit dhe nga ana e konceptit regjisorial. Unë kam zakon që vuaj, vuaj, vuaj deri sa i vendos gjërat në vijë, pastaj, tani e kam mendjen në operën “Butterfly” që duhet ta këndoj pas dy ditësh.

Si regjisor është e para herë që të shoh. Pse kjo sfidë dhe pikërisht me Tiranën?
Pikërisht me Tiranën sepse qe e mundur të bëhej. Nuk është në planet e mia që të jem full time regjisor, jam tepër i ri. Baritonët në moshën time e fillojnë karrierën, unë kam 14 vjet karrierë, pra e kam filluar tepër i ri karrierën time, jam në full karrierë, plot me impenjime deri në vitin 2021, por regjia duke pasur fatin unë të kem miq dhe të bëj opera me regjisorët më të mirë në botë, ata më kanë ngjizur dëshirën për vënien në skenë.

Carmeni që unë kam bërë është tërësisht origjinal, nuk vjedh askënd. Arti i tyre kaq i bukur më ka bërë gjithmonë që të kisha dëshirë të jap edhe unë një interpretim timin të Carmenit. Jo vetëm, por disa Carmen kohët e fundit nuk kam shkuar t’i shoh sepse nuk doja të ndikohesha.

Carmen është një opera me katër akte, është shumë e vështirë, ka skena shumë të mëdha…
Të bësh një opera që është shumë e njohur është thikë me dy presa. Mund të mendosh që është ok, fat sepse bën një operë popullore që njerëzit e njohin por pikërisht fakti që njerëzit e njohin dhe e njohin mjaft mirë është dhe thika me dy presa. Sepse duhet të sjellësh diçka të re dhe duhet të respektosh pretendimet, ose atë çka njerëzit duan të shohin. Pra niveli artistik duhet të jetë shumë i lartë. Kemi bërë një punë të jashtëzakonshme me lojën aktoriale të njerëzve. Kam patur fatin e madh të kem mundësinë të krijoj një buqetë të tillë si Toromani, Makario, të kem Kazeron si drejtor, të kem George Jankun që është një koreograf i njohur botërisht. Pra, kam qenë mjaft fatlum në këtë Carmen dhe them se kjo përshtypja pozitive që u krijua është meritë patjetër edhe e tyre.

Një Carmen i konceptuar në formën e një spektakli, një shoë që nuk mbeti vetëm tek interpretimi i operës siç e the dhe ti por edhe një buqetë e madhe nga ana e koreografisë. Pavarësisht se kam përshtypjen se ti e ke shtuar paksa këtë dozën e spektaklit brenda Carmenit?
Tani, doza e spektaklit…Këtu vetë skena të bën pak të shkosh drejt dozës së spektaklit por nuk ka një teatër më intim. Këtu jemi në një teatër pa sipar etj etj. Kështu që je i detyruar të gjesh diza zgjidhje teknike që të çojnë pak drejt asaj. Akti i dytë ka qenë me ndërgjegjshmëri të plotë i konceptuar si një spektakël. Sepse aty janë njerëz që shkojnë në një tavernë dhe bëjnë spektakël brenda spektaklit.

Efekte vizuale, artistë që dalin nga salla, të gjithë elementët edhe të një soap opere…
Mendoj që publiku jonë ka simpati për këto gjëra dhe i kam përdorur pa problem, duke mos dalë nga një fill dramatik. Duke respektuar libretin, duke mos modifikuar asgjë. Nuk ka asgjë të keqe të përdorësh videon e audion, bota i përdor prej dhjetëra vitesh dhe ne nuk jemi të azhornuar me çfarë bëhet jashtë shumë shpesh dhe na duket çudi uau pse me video. Unë kam bërë një gjysmë film artistik në “Faust” në Berlin në një vepër, dhe ishte gjysma e operës ishte komplet e filmuar në pyll, me baltë e gjak. Janë forma të shprehuri dhe një artist me sensibilitet mund t’i përdorë. Nuk është negative.

Një prekje personale ishte futja e aktores Tinka Kurti në rolin e nënës që i fliste Hozesë?
Flitej gjithmonë për nënën e Don Hozesë në operën Carmen por asnjëherë nuk e kemi parë këtë nënën e bekuar. Kisha fatin të kisha mundësinë të bashkëpunoja me një idhull të gjallë siç është aktorja Tinka Kurti, të cilës kur ia shpjegova këtë projekt ose ide që kisha për të mishëruar, për të sjellë në skenë edhe nënën e Don Hozesë qe e mrekulluar dhe e pranoi me shumë dashamirësi. Them që në ato 2-3 momente nëpërmjet audios e videos është goxha efekt, të bën të mendosh dhe thotë asgjë më tepër se ç’është e shkruar në libret, por e thotë shqip që të kuptohet nga publiku.

Pihet shumë cigare brenda shfaqjes tënde dhe është pjesë prezentë gjatë gjithë kohës dhe duket si një lloj marrëdhënie që ke krijuar mes personazheve dhe cigares dhe dua të di arsyen pse dhe një lloj zhveshje e balerinëve që është tepër e bukur për syrin femëror. Nuk e di nëse ka qenë qëllim në vetvete?
Janë dy nevoja teknike, nuk ka asnjë arsye tjetër. E para është që nuk kemi pasur mundësinë të gjejmë cigaret që unë kisha menduar të kisha, cigare elektronike që japin dritën e duhur dhe nxjerrin një tym pa pasur nevojë. Ideja pse duhej të përdorej cigarja është se ata këndojnë gjithë kohës, tymosim, tymosim dhe kisha idenë e shtëllungës së cigares. Kjo ishte ideja, e marrë nga libreti. Gjithë akti i parë bëhet para një fabrike cigareje. Kurse puna e balerinëve në aktin e parë, që janë me kanotierë, janë ushtarët që janë me kanotierë normalisht në skenën e parë, pastaj nja dy-tre kostume nuk i kishim gati kështu që u detyruan nja tre të rrinë gjithë kohës me kanotiere kurse të tjerët i vesha kur duhet të bënin atë paradën. Kanë qenë çështje teknike.

Pjesa e fundit, pjesa e të qenit si artistë në skenë…Sigurisht duke pasur 100 kumri që të këndojnë mbi atë çka mund të lëvizi nga pjesa regjisoriale, të kesh një arie të bukur, si ajo e toreadorit të famshëm që është padyshim një ndër perlat që të gjithë njerëzit e dinë. Ti vetë si e ndave këtë punën e të kënduarit në skenë me atë të regjisorit?
Ishte goxha e vështirë. Në një moment kur ishim drejt finales mendova oops tani një sekondë se ti ke dhe për të kënduar nesër. Shkova diku në një dhomë dhe fillova të provoj zërin. Falë Zotit jam goxha rezistent dhe me gjithë stresin, lodhjen fizike, 4 ose 5 netët e fundit më beso kam fjetur mbi krevat pa i zhveshur rrobat. Duhet të mendosh për 170-180 persona dhe ja dola pa problem se personazhi im ta lë mundësinë që ta kesh një sy për të korrigjuar pasi në aktin e parë nuk është në skenë. Për aktet e tjera ai ka dy ndërhyrje nga 20 minuta. Toreador e kam kënduar shpesh dhe është një nga personazhet që e kam në xhep dhe mund ta nxjerr nga xhepi në çdo moment. Në rast se do këndoja një rol si Don Giovanni në të ardhmen normalisht do ishte ngarkesë e jashtëzakonshme. Mos të harrojmë që gjithçka këtu i bëjnë pak njerëz. Jam i lumtur për atë që kemi arritur. Sinqerisht nuk ma merrte mendja që do shkonte kaq mirë. Jam i lumtur dhe mund të nisem nesër pa asnjë lloj pishmani.

Për Butterfly the?
Për Butterfly, personazhi është konsulli amerikan. E bëj në operën prestigjioze në Lajpcig, me orkestrën më të vjetër në botë, me ato kam një bashkëpunim të vazhdueshëm. Pastaj shkoj në Oman me operën Pagliaçi.

Jeta të ka përballur me emrat më të mëdhenj të operës. Cila është ambicia jote tani më? Ke arritur atë ëndërr që çdo bariton do ta kishte…
Nuk jam plotësisht i kënaqur, mbase më lejo të bëhem si ata, i madh si ata. Çdo gjë do vijë. Këtu në Tiranë kemi Ylber Gjinin që e ka interpretuar në mënyrë të mrekullueshme Rigoleton. Por Ylberi ka një eksperiencë të jashtëzakonshme, ne duhet të vijmë akoma në ato hapa. Do të vijë dhe ajo. Unë bëj shumë belcanto. Verdin kam 7-8 role në karrierë. Është stacioni im, qëllimi nga vokali që konsiderohet i errët dhe i përshtatshëm për repertorin verdian.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb