Nga: SHABAN MURATI*
Postfestum i samitit të Vjenës të Ballkanit Perëndimor, në vend që t’i pakësonte, i shtoi edhe më shumë pikëpyetjet mbi orientimin e vërtetë të Serbisë në planin strategjik. A u afrua apo u largua më shumë Serbia nga rruga europiane, u largua apo u afrua më shumë Serbia në rrugën ruse, është një dilemë, që nuk gjen përgjigje të plotë as pas samitit të dytë të Ballkanit Perëndimor në kuadër të “Procesit të Berlinit”. I paqartë duket se ka mbetur Bashkimi Europian, me gjithë ngutjen e tij për të përveçuar Serbinë si përfituesja kryesore e darovitjeve financiare dhe infrastrukturore të BE. E paqartë ka mbetur dhe Rusia, të cilën përvoja historike e ka mësuar të mos jetë shumë e sigurt me lojën e dyfishtë diplomatike të shtetit serb. Akoma më i paqartë mbeti Ballkani Perëndimor, i cili pa se në emër të tij në samitin e Vjenës foli kryeministri i shtetit, që në ish-Jugosllavi ndërmori agresione ushtarake, edhe kundër Sllovenisë e Kroacisë, edhe kundër Bosnjës, edhe kundër Kosovës, kryeministër i cili ka qenë pjesë e garniturës qeveritare serbe, që organizoi luftërat e përgjakshme në ish-Jugosllavi.
Pajtim historik pa kërkesë faljeje për krimet dhe pa paguar reparacione nuk mund të ketë, dhe Europa ka dhënë mësimin e saj të madh historik pas Luftës së Dytë Botërore. Por ballkaniko-perëndimorët, si komunitet emotiv, që ngatërron përuljen me realizmin, nuk kuptohet përse kanë pranuar të mos ndjekin modelin europian. Në samitin e Vjenës, gjashtë shtete të Ballkanit Perëndimor nënshkruan në 27 gusht deklaratën me titull “Bashkëpunimi rajonal dhe çështjet e diskutueshme dypalëshe”, ku theksohet se” Qeveritë e Ballkanit Perëndimor ranë dakord se nuk do të bllokojnë dhe as inkurajojnë të tjerët të bllokojnë progresin e fqinjëve në rrugët e tyre respektive drejt BE. Qeveritë e Ballkanit Perëndimor angazhohen të zgjidhin të gjitha çështjet e hapura dypalëshe në frymën e fqinjësisë së mirë dhe të angazhimeve të përbashkëta të integrimit europian”. E nënshkroi natyrisht edhe Serbia këtë deklaratë, dhe, cila është ironia? Për Serbinë e nënshkroi zëvendëskryeministri i parë dhe ministër i Jashtëm Ivica Daçiç, i cili gdhihet dhe ngryset duke folur dhe kërkuar në të katër anët e botës mosnjohjen e Kosovës dhe mospranimin e saj në organizma të ndryshëm ndërkombëtarë. Kaq flagrante, në krahasim me normat ndërkombëtare, është qëndrimi i tij, saqë edhe në vizitat e takimet diplomatike, që po zhvillon si president i radhës i OSBE-së, ai ngre pengesa kundër Kosovës, ndonëse posti i OSBE nuk ia lejon dhe ato vizita i zhvillon me paratë e kuotave të shteteve të OSBE, shumica e të cilëve e kanë njohur Kosovën. Çfarë serioziteti mund të ketë diplomacia e një shteti, i cili pranon që Kosova të jetë anëtare e BE, por nuk pranon që Kosova të hyjë në UNESCO apo në Interpol?
Në samitin e Vjenës, në deklaratën e përbashkët të shteteve pjesëmarrëse për ngritjen e Zyrës Rajonale të Bashkëpunimit Rinor, emri i Kryeministrit të Kosovës shoqërohet me asteriks, ku shpjegohet se ky përcaktim është pa paragjykim për pozicionin e statusit dhe është në linjë me rezolutën 1244 të KS të OKB dhe me opinionin e GJND për Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës. Kjo, natyrisht, është bërë me kërkesën e diplomacisë serbe, së cilës i është dëgjuar zëri nga organizatorët. Por nuk mund të mos ngresh këtu një element. Në Deklaratën e Përbashkët të vendeve të samitit të parë të vendeve të Ballkanit Perëndimor, të organizuar në Berlin, në 28 gusht 2014, nuk kishte asteriks tek emri i Kosovës dhe ajo emërtohej barabar me të gjitha shtetet e tjera të rajonit. Në këtë drejtim, e krahasuar me Berlinin, në Vjenë kemi një hap prapa, ose më saktë, një hap përpara në plotësimin e kërkesave të padrejta të Serbisë.
Ahere, për çfarë angazhimi serioz mund të bëhet fjalë nga Serbia në deklaratën e çështjeve bilaterale, kur ajo akoma këmbëngul te vendosja e asteriksit dhe refuzimi për ta pranuar Kosovën si shtet fqinj?! Sepse Serbia mund të mos e njohë Kosovën si shtet të pavarur, por ajo nuk ka të drejtë që në mbledhjet apo nismat rajonale ballkanike apo europiane të vendosë pengesa për sanksionimin e së drejtës së barabartë të Kosovës me shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Serbia, jo vetëm nuk ka të drejtë, por ajo ka marrë një angazhim zyrtar ndërkombëtar nëpërmjet nënshkrimit të marrëveshjes së 19 prillit 2013 me Kosovën, të hartuar me ndërmjetësimin e BE, se ajo nuk do të vendosë pengesa në rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit në BE dhe nuk do të ndikojë te shtetet e tjera për ngritjen e pengesave ndaj Kosovës. Por vetëm një ditë para samitit të Vjenës, zëvendëskryeministri i parë dhe ministër i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç, fluturon në Meksikë në konferencën e shteteve pjesëmarrëse të traktatit të tregtisë së armëve dhe ndërmerr një fushatë të zhurmshme diplomatike kundër njohjes së Kosovës. Objekti i konferencës së OKB nuk kishte të bënte as me Ballkanin e as me Europën, por ai u angazhua vetëm me Kosovën dhe deklaroi se qëllimi i vajtjes së tij ishte forcimi i marrëdhënieve me vendet, që kanë qëndrime miqësore me Serbinë në çështjen jetike të Kosovës. Ai deklaroi pas takimeve diplomatike se Meksika, Argjentina, Xhamajka, Guatemala dhe Trinidad Tobago, i dhanë përkrahje qëndrimit serb për mosnjohjen e Kosovës, dhe theksoi rëndësinë që ka Trinidad Tobago, si anëtare e bordit ekzekutiv të UNESCO-s, për të bllokuar anëtarësimin e Kosovës në UNESCO.
Pra, nga një anë Serbia merr angazhime zyrtare si në marrëveshje dypalëshe, ashtu dhe në një dokument shumëpalësh si ai i Vjenës, që do të zgjidhë çështjet dypalëshe në frymën e fqinjësisë së mirë dhe nuk do të pengojë Kosovën të anëtarësohet në BE dhe në nismat ndërkombëtare, nga ana tjetër vazhdon me intensitet fushatën e bllokimit të njohjes ndërkombëtare të Kosovës. Ndaj nuk mund të mos shtrohet me forcë para diplomacisë europiane pyetja se, cilën Serbi duhet të besojmë. Atë, që angazhohet se do të ndjekë politikën e fqinjësisë së mirë në Ballkan dhe nuk do të pengojë Kosovën të anëtarësohet në BE, apo atë Serbi, që rri ditë e natë duke thurur pengesa e bllokada për Kosovën që të mos pranohet në UNESCO, në Interpol dhe madje as në federatat sportive ndërkombëtare. Si e shpall me bujë kryeministri serb në Vjenë se do të ndërtohet autostrada Nish-Prishtinë dhe si do të kërkohen së bashku për këtë projekt të përbashkët financime në Bruksel, kur për këtë projekt hapi i parë që kërkohet është një marrëveshje e nënshkruar nga dy shtetet e pavarura fqinje. Unë nuk kam hasur deri tani ndonjë informacion se kryeministri i Kosovës e ka kërkuar këtë në samitin e Vjenës.
Pas kthimit nga samiti i Vjenës, Kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, shprehu në 28 gusht entuziazmin e tij ballkanik dhe europian me një retorikë të përforcuar integruese europiane: “Ne nuk e dashurojmë BE sepse e shohim si bankomat, por si një organizëm që konsiston në një numër institucionesh me vlera shumë të rëndësishme, që i ndajmë së bashku”. Po në të njëjtën ditë, në 28 gusht, zëvendëskryeministri i parë dhe ministër i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç, pas kthimit nga Vjena shkon në një qytet grek, Katerini, me një pretekst pa lidhje të dhënies së titullit “Qytetar Nderi” një kryetari bashkie të një qyteti serb nga bashkia e qytetit grek, dhe bën deklaratën e mëposhtme politike zyrtare: “Më duhet të them dhe jam i sigurt, se kështu mendon shumica e serbëve, se në ekzistencën e kombit serb ka një ndërvarësi zanafillore me kombin rus dhe me kombin grek”. Mund të quhet protokollare dhe pritej që ministri i Jashtëm serb të glorifikonte në Greqi lidhjet gjenetike serbo-greke, por ajo që është e beftë është glorifikimi në Greqi i lidhjes gjenetike me Rusinë, pikërisht të nesërmen e kthimit nga samiti europian i Vjenës. Dhe Rusinë e vuri të parën. Ministri i Jashtëm serb e la entuziazmin europian në Vjenë dhe nuk foli për lidhjet me Greqinë si anëtare e BE, apo për dashurinë e Serbisë për BE. Në një interpretim diplomatik, deklarata e tij është një mesazh sigurie dhe besnikërie drejtuar Moskës dhe, në të njëjtën kohë, një mesazh zhvleftësimi për retorikën dhe premtimet europiane, që diplomacia serbe u detyrua të përdorte në Vjenë. Nuk është rastësi që deri në datën 31 gusht, faqja zyrtare e MPJ të Serbisë në gjuhën angleze nuk kishte as edhe një fjalë për punimet apo deklaratat e samitit të Vjenës, që kishte nisur në 26 gusht, por kishte deklaratat e ministrit të Jashtëm në Meksikë kundër Kosovës.
Një interpretim është se zëvendëskryeministri i parë dhe ministër i Jashtëm është një nga drejtuesit kryesorë të lobit rus në Serbi, i cili edhe zgjedhjen e tij si numri 2 i qeverisë aktuale ia detyron presionit rus mbi kryeministrin serb. Daçiç jep një mesazh diplomatik, se çfarëdo që u tha dhe u premtua në Vjenë nga Serbia, është shumë më me pak vlerë sesa lidhja gjenetike e Serbisë me Rusinë. Deklarimi i Daçiçit mund të shihet edhe si një përpjekje e tërthortë e Moskës për të bllokuar Serbinë në rrugën e saj të integrimit europian. Sepse BE ia ka bërë të qartë Beogradit se, pa normalizuar marrëdhëniet me Kosovën dhe pa njohur Kosovën si shtet të pavarur, nuk hapet rruga e anëtarësimit të Serbisë në BE. Këmbëngulja e diplomacisë serbe për mosnjohjen e Kosovës dhe acarimi i marrëdhënieve me Kosovën dhe me shtetet përkrahëse të njohjes së Kosovës, praktikisht zvarrit dhe vonon anëtarësimin e Serbisë në BE, çka në fund të fundit është edhe një objektiv i diplomacisë ruse në Ballkan.
Në këtë kuadër, nga qëndrimet e dyzuara diplomatike serbe nuk mund të mos shtrohet përsëri pyetja se, cilën Serbi duhet të besojmë, atë të kryeministrit që thotë se BE mbetet prioritet numër një i Serbisë, apo atë të zëvendëskryeministrit të parë dhe ministër i Jashtëm, që thotë se Rusia është lidhja gjenetike e Serbisë.
Kjo është një pyetje e karakterit strategjik dhe gjeopolitik. Është naive të kërkosh përgjigje në qëndrimet dhe iluzionet kozmopolite, internacionaliste, makrokozmike apo globaliste, se paqja erdhi në Ballkan dhe duhet të puthen pa asnjë lloj pendese agresorë dhe viktima. Është një lloj diplomacie bizantine, të cilën e ka ndjekur dhe po e ndjek me sukses Serbia në Ballkan, dhe e cila, për fat të keq, ka klakerë të saj në të gjitha kryeqytetet ballkani-koperëndimore, përfshirë dhe Tiranën e Prishtinën.

(g.b/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: