TIRANË- Kreu i PD-së Lulzim Basha nuk ka folur me emra apo konkretisht sërish sot për dosjen që ka në dorë partia që ai drejton, apo të ashtuquajtur skandalin e radhës.

Ndonëse pak ditë më parë pas mbledhjes së grupit, Basha deklaroi se ishin vënë në dijeni nga partnerët për një tjetër dosje e cila do publikohej në vijim, edhe sot nuk ka bërë asgjë publike.

Basha tha se materiali që disponon PD po analizohet për besueshmërinë dhe po analizohen provat. Ai theksoi se do flasë në momentin e duhur.

“Së pari opozita është një institucion serioz, i cili e ka për detyrë të analizojë çdo informacion që i sillet në vëmendje nga rrugë të besueshme, siç janë partnerët, mediat, siç janë denoncimet e qytetarëve. Këtë ka bërë dhe këtë po bën edhe me skandalin e paralajmëruar në fjalë. Ne po bëjmë një analizë të plotë të besueshmërisë të provave që na janë sjellë dhe natyrisht një analizë ligjore për të cilën do ju informojmë në momentin e duhur. Një gjë është e sigurt, gjithçka që na vjen në vëmendje dhe verifikohet se ka besueshmëri, hapi i parë është t’u bëhet publike qytetarëve përmes mediave”, deklaroi Basha.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: