ATHINË- Kryeministri grek, Aleksis Cipras u shpreh optimist për një zgjidhje me partnerët evropianë mbi të ardhmen e financimit të vendit të tij dhe nënvizoi se Evropa duhet të bëjë atë që duhet duke shmangur ndarjen.

“Duhet që të shmangim ndarjen, jam i sigurt se drejtuesit evropianë do të bëjnë atë që duhet”, theksoi Aleksis Cipras për median para se të nisej në Bruksel ku do të takohet me presidentin e Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, në përpjekje të arritjes së një marrëveshjeje që do të mundësonte zhbllokimin e këstit të kredive jetike për mbijetesën financiare të Greqisë.

“Dje në mbrëmje kam marrë ftesë nga Jean-Claude Juncker për të shkruar në Bruksel për të biseduar me të dhe e kam pranuar këtë ftesë me kënaqësinë më të madhe”, theksoi Aleksis Cipras duke shtuar se kishte si synim të diskutonte në bazë të propozimit të qeverisë greke.

Kryeministri përsëriti se Athina u kishte paraqitur kreditorëve programin e saj duke detajuar propozimet për reformat dhe masat buxhetore, por që nuk kishte marrë komente nga ana e partnerëve lidhur me këtë çështje.

“Ne kemi nevojë për bashkim, drejtuesit evropianë duhet të avancojnë duke dhënë prova të realizmit, ashtu si bëri tre muaj më parë qeveria greke duke negociuar të drejtat e popullit grek në përfitim të një Evrope të bashkuar”, konfirmoi kryeministri grek.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: