Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Republikën Ceke, në kuadër të vitit Mbarëkombëtar të Skënderbeut, organizoi ditët e fundit një koncert me muzikë klasike shqiptare dhe çeke të titulluar “Classical, Albanian and Czech Music”.

Në fjalën e hapjes, Ambasadori i Shqipërisë në Pragë, Riza Poda, theksoi se ky koncert është një dëshmi tjetër e lidhjeve kulturore mes dy vendeve, Shqipërisë dhe Çekisë, që kanë krijuar një traditë solide dhe janë në zhvillim të vazhdueshëm në të gjitha fushat, ku muzika pa dyshim luan rolin e saj për ndërtimin e urave të miqësisë mes popujve dhe kulturave të tyre shpirtërore.
 koncert ne prag3
E veçanta e koncertit ishte performimi për herë të parë në Pragë i arieve nga operat shqiptare, si aria “I madhi Kastriot po vjen”, aria e Lekë Dukagjinit “Zemra ime vlon si ujë vale” nga opera “Skënderbeu” e kompozitorit Prenk Jakova, të interpretuara me mjeshtëri nga tenori çek Daniel Matoushek, solist i Operas së qytetit Pilzen; si edhe aria e Lokes nga opera “Toka jonë” e kompozitorit Pjetër Gaci e interpretuar me mjeshtëri nga mezzosoprano Michaela Zajmi, soliste e Teatrit Kombëtar të Pragës.
 koncert ne prag1
Në interpretimin e arieve këngëtarët e operas çeke u shoqëruan në violincel nga Bledar Zajmi, solist-koncertmaster i Orkestrës së Teatrit Kombëtar të Pragës, dhe piano nga koncert-pianisti, Egli Prifti, që të dy artistë shqiptarë.
 
Ariet e kënduara në shqip nga solistë kryesorë të Teatrit Kombëtar të Operas Çeke u ndoqën me interes dhe u duartrokitën nga spektatorët artdashës cekë, ambasadorë dhe diplomatë të akredituar në Pragë, bashkëatdhetarë e studentë shqiptarë në Ceki, si dhe miq e te ftuar të tjerë.
 
Në koncert u performuan gjithashtu kompozime të autorëve të tjerë shqiptarë e çekë të interpretuara me virtuozitet nga violIncelisti Zajmi dhe pianisti, Egli Prifti.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: