Ish sekretarja amerikane e shtetit, Hillary Clinton, tha se “lajmet e rreme” janë një rrezik që duhet trajtuar shpejt. Ajo i bëri këto komente në njërën nga paraqitjet e saj të rralla që kur humbi zgjedhjet presidenciale një muaj më parë, pas një fushate që u përshkua me një vërshim propagande. Në mënyrë indirekte Clinton ka thënë se “fajtori” i humbjes së saj në zgjedhje janë lajmet  e rreme që ajo ka dashur të piketojë në këtë rast emailit e saj që u zbuluan para zgjedhjeve.

“Ne duhet të ngrihemi për demokracinë tonë”, tha ajo gjatë një tubimi për pensionimin e udhëheqësit të demokratëve në senat, Harry Reid, duke ju referuar asaj që ajo e quajti “epidemi e lajmeve qëllimkëqija e të rreme dhe propagandë false që ka përmbytur mediet sociale gjatë vitit të fundit”.

Zonja Clinton bëri thirrje për të dy sektorët e medies, private dhe publike që të luftojnë raportimet e rreme.

“Tashmë është e qartë se ‘lajmet e rreme’ mund të kenë pasoja. Kjo nuk është çështje politike apo partiake. Jetët janë në rrezik. Jetët e njerëzve të zakonshëm që përpiqen të kalojnë ditët e tyre, të bëjnë punën e tyre, të ndihmojnë komunitetet e tyre”, tha ajo.

Vet zonja Clinton ishte shënjestër e lajmeve të rreme me raportimet në internet, sipas të cilave një restorant picash ‘Comet Ping Pong’ është në krye të një rrjeti të prostitucionit të fëmijëve, të drejtuar nga Clinton.

Të dielën, një burrë nga Karolina e Veriut, duke vringëlluar një armë, qëlloi brenda restorantit që ndodhet në veriperëndim të Washingtonit, i cili më pas i tha policisë se kishte ardhur për të “hetuar” lajmet e rreme.

Paraqitja e zonjës Clinton të enjten në ngjarjen ku merrnin pjesë kryesisht demokratë të zgjedhur, përfshirë edhe nënpresidentin ,Joe Biden, u prit me duartrokitje të fuqishme.

Hillary Clinton, po ashtu ish senatore që kishte shërbyer me zotin Reid, bëri një koment ironik për qëndrimin e saj pas fitores së republikanit Donald Trump në zgjedhjet e tetë nëntorit, duke ju referuar kësaj kohe si një periudhe të “bërjes së fotografive nëpër pyll”.

Ajo në mënyrë lakonike vuri theksin tek humbja e saj në hapje të fjalimit për zotin Reid duke thënë se “ky nuk është fjalimi që kisha shpresuar të mbajë në Kapitol pas zgjedhjeve”.

Presidenti i ri amerikan do të mbajë fjalimin përurues në platformën që ngrihet çdo katër vjet në pjesën perëndimore të ndërtesës së Kapitolit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb