SHBA- Ish-Sekretarja Amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, ka bërë thirrje për të ndaluar sa më shpejt përhapjen e lajmeve të pavërteta. Hillary Clinton e ka cilësuar këtë si epidemi me pasoja të rënda në botë që kërcënojnë demokracinë e Amerikës. Ajo i ka bërë thirrje gjithashtu sektorit publik dhe privat për të luftuar lajmet e shumta të pavërteta, propagandën dhe historitë keqdashëse që u përhapën vitin e kaluar.

Edhe vetë Clinton ka qenë objektiv i lajmeve të pavërteta, përfshirë atë që njihet si “Pizzagate”.

Sipas këtij lajmi, gjatë fushatës elektorale, zyrtarë të lartë të Partisë Demokratike drejtonin një rrjet pedofilie nga një piceri në Uashington. Të dielën e kaluar, u arrestua një person pasi hapi zjarr në këtë restorant, ku kishte shkuar për ti hetuar vetë këto lajme. Fatmirësisht asnjë nuk mbeti i plagosur, njoftojnë mediat e huaja.

“Tashmë është e qartë pse lajmet e pavërteta mund të kenë pasoja të rënda në botën. Kjo nuk ka të bëjë me politikën apo militantizmin. Jeta e njerëzve është në rrezik. Është me rëndësi që udhëheqësit nga sektori privat dhe ai publik të rrisin masat për të mbrojtur demokracinë tonë dhe jetën e njerëzve të pafajshëm”, është shprehur Clinton.

Ish-Sekretarja Amerikane e Shtetit nuk i ka fajësuar lajmet e pavërteta për humbjen e saj në zgjedhje, ndonëse analistët thonë se lajme të tilla që janë shpërndarë me shpejtësi në rrjetet sociale kanë luajtur një rol të rëndësishëm.

Hillary Clinton ka bërë thirrje për të marrë masa sa më shpejt për ndalimin e lajmeve të pavërteta. Sipas saj, këto lajme mund të kenë pasoja të rënda në botë.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: