NGA: FATMIRA NIKOLLI
Imazhet e veprave të tij (ju imponohen) nuk ju lënë të jeni indiferentë. Madje, nuk ke më dëshirë të ikësh e as të jesh indiferent, sepse nuk mund ta humbasësh ndjeshmërinë e tyre. Në të njëjtën kohë, ato (vepra) paraqiten me një dhunë që është pothuajse joshëse. Personalisht mendoj se është e nevojshme të mbroni veten nga kjo ‘dhunë’ ose ‘Dalja’ nga urgjenca e informacioneve të përditshme. Për të gjetur qoftë edhe një grimë ‘heshtje’. Për të dëgjuar”, janë pak prej radhëve që janë zgjedhur për të përshkruar punën e tij në faqen zyrtare të “Sience for Peace”.

Artisti shqiptar, Adrian Paci është vlerësuar me çmimin “Art për paqe”, një çmim që jepet për artistë në zë që promovojnë kulturën e paqes. Çdo vit “Science for Peace” jep vlerësimin “Art for Peace” në shenjë mirënjohjeje, një çmim që u rezervohet artistëve që janë dalluar për përhapjen e mesazheve të paqes. Këtë vit çmimi do t’i dorëzohet Adrian Pacit, një artisti shumëdimensional, i cili krijon veprat e tij duke përdorur teknika dhe materiale të ndryshme, me liri në shprehi dhe stil, artist që ka realizuar piktura, fotografi, video dhe skulptura.

“Një pjesë e konsiderueshme e punës së Adrian Pacit i është kushtuar temës së humbjes, braktisjes së tokës (amë) për të përballuar realitete të reja dhe të ardhme që nuk njihen. Tema e zhvilluar nga përvoja e emigrimit është shprehur përmes rrëfimit dhe kujtesës, e është një temë universale që përfshin kushtet e të gjithë emigrantëve. Në brendi të punëve të tij, ky artist frymëzohet nga histori të vërteta njerëzore që janë krejt të njohura për të e që vizatojnë si të tilla kuptimin e vetë jetës, duke prekur e zgjuar kështu, ndjenjat më të thella”, shkruhet në faqen zyrtare të çmimit. Motivacioni është shoqëruar me disa prej punëve të tij më domethënëse: “Home to go” 2001- Courtesy: Kaufmann Repetto, Milano; “The walk” 2011 – Courtesy: Kaufmann Repetto, Milano apo “Line” 2007 – Courtesy: Kaufmann Repetto.

I lindur në vitin 1969 në Shkodër (Shqipëri), Adrian Paci ka pasur ekspozita solo në institucione të ndryshme italiane dhe ndërkombëtare, duke përfshirë: ‘Maxxi’, Romë (2015), ‘Kunstmuseum Trondheim’, Norvegji (2014); ‘Roda Sten Konsthall’ në Gothenburg (2014); MAC, Musée d’Art CONTEMPORAIN de Montréal (2014); Pavioni i Artit Bashkëkohor – PAC, Milano (2014); Jeu de Paume, Paris (2013); Galeria Kombëtare e Kosovës, Prishtinë (2012); ‘Kunsthaus Zurich’, Zurich (2010); ‘Bloomberg Space’, London (2010); Qendra për Art Bashkëkohor – ÇA, Tel Aviv (2009); Museum am Ostwall, Dortmund (2007); MoMA PS1, New York (2006) dhe Contemporary Arts Museum, Houston (2005). Ai gjithashtu ka marrë pjesë në Bienalen e Venecias (2014) si edhe në vitin 1999 dhe në 2005-ën.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: