Në një kohë kur kriza e emigrantëve ndodhet në kulmin e saj dhe me mijëra përpiqen të kalojnë në Europë nëpërmjet Ballkanit, CNN sjell historinë e Përparim Ramës (në foto), shqiptarit nga Kosova i cili u detyrua të ikte nga Kosova kur shpërtheu lufta. Një histori që përcjell dhe mesazhin për solidaritet që Europa të hapë dyert për emigrantët vendet e të cilëve ndodhen në luftë

Përparim Rama e konsideron veten me fat. Në vitin 1992, në moshën 16-vjeçare, ai ishte me pushime në Mbretërinë e Bashkuar – kishte një kushëri që jetonte atje. Pas përkeqësimit të situatës në Kosovë ai vendosi të kërkojë azil në Britani.

Në atë kohë, Kosova u bë pjesë e luftës për autonomi brenda ish-Jugosllavisë. Konflikti i kishte rrënjët në vendimin e vitit 1989 të presidentit serb Sllobodan Millosheviç për të eliminuar vetë-sunimin e rajonit, për ta vënë atë nën kontrollin e Beogradit.

Përpara se Përparim Rama të linte vendin, kishte sinjale që gjëra të këqija do të ndodhnin. Shkollat u mbyllën dhe mësuesit, ashtu si prindërit e tij, mbetën pa punë. Mësimi i gjuhës shqipe ishte i ndaluar. Djem të rinj, si puna e tij, rekrutoheshin nga paramilitarët serbë dhe policia për të shkuar në luftë kundër kroatëve, sllovenëve ose boshnjakëve,” thotë Rama. Por ky i fundit vendosi most a bënte një gjë të tillë.

“Ishte më e sigurtë për mua si 16-vjeçar të qëndroja në Britani se sa të kthehesha në shtëpi”.

Ndërsa në vitet ’90, kriza u bë edhe më e thellë dhe mori trajtën e asaj që NATO e përshkroi si “fatkeqësi e madhe njerëzore” – spastrimin etnik i shqiptarëve, që preku më shumë se 80% të popullsisë kosovare. Ajo kulminoi me sulmet ajrore të udhëhequra nga NATO, që ndodhën gjatë viteve 1998 dhe 1999.

Kur bombat e NATO-s filluan të binin, Rama i humbi të gjitha kontaktet me familjen. Gjatë asaj kohe ai ndodhej në Nju Jork për punë në një firmë arkitektonike.

Familjes së tij iu lanë vetëm 5 minuta kohë për mbledhur sendet e tyre në Kosovë e për t’u larguar në një kamp refugjatësh në kufirin maqedonas. Pikërisht atëherë, kur nuk dinte se çfarë kishte ndodhur me të dashurit e tij, Rama për herë të parë i shkoi në për mend të kthehej në vendin e tij e të luftonte.

“Nuk e dija se çfarë kishte ndodhur me familjen time. Prandaj nuk e dija nëse duhet të vazhdoja të qëndroja për vete i sigurtë, apo të kthehesha e të luftoja në vendin tim. Arrin në një pikë ku familja jote është zhdukur, ti nuk di asgjë për ta, dhe fillon të marrësh vendime të çmendura”.

Refugjatët shqiptarë arritën në këmbë në Maqedoni në prill të vitit 1999 pasi u detyruan të zbrisnin nga trenat në Kosovë.

Dy muaj pas humbjes së kontakteve, ai merr nje telefonatë nga motra e tij e vogël që konfirmoi se familja e tij kishte arritur e sigurtë në kufirin maqedonas.

Në atë kohë, Shtetet e Bashkuara njoftuan se do të hapnin kufijtë e tyre, duke pranuar 20 mijë refugjatë. Familja e Ramës ishte pjesë e atij grumbulli refugjatësh.

Ishte telefonata e motrës që nuk më bëri të kthehem në Kosovë për të luftuar, thotë Përparim Rama.

Kur prindërit e tij lanë shtëpinë, ata morën vetëm dy gjëra: mamaja e tij mori një album me foto, dhe babai mori portofolin.

Gjatë tranzicionit të tyre, të mbërthyer në kampet e refugjatëve, nëna e tij e humbi albumin e fotove. Kjo ishte diçka shkatërruese për të, thotë ai. “Ishte e vetmja gjë që asaj i interesonte”.

Kampi i refugjatëve Cegrane, i ndërtuar nga ushtarët gjermanë, priti 55 mijë refugjatë të ikur nga Kosova.

Një jetë më e mirë

Rama vazhdoi studimet për arkitekturë dhe tani ka firmën e tij me të cilën bën projekte në të gjithë botën. Atij i pëlqen të punësojë njerëz që kanë pasur një jetë të ngjashme me të tijën – ata që i kanë shpëtuar luftrave, që kanë qenë refugjatë. Në vitin 1999, pasi lufta mbaroi, prindërit e tij vendsosën të kthehen në shtëpi.

“Kur Kosova u çlirua nga forcat e NATO-s, ata u kthyen menjeherë. Nuk kishin interest ë qëndronin në Shtetet e Bashkuara,” thotë ai.

“Albumi i fotove u kthye në dorë të mamsë sime tre vjet më vonë. Kishte shumë njerëz që e njihnin familjen tonë, dhe dorë më dorë ai album na u kthye sërish,” tha Rama.

“Ideja e refugjatit apo azilkërkuesit ka konotacion negativ, pasi mendojnë se këta njerëz po vijnë në vendin tonë për të marrë pasurinë tonë, ide që besoj se është komplet e gabuar,” thotë ai.

“Këta njerëz – emigrantë e refugjatë – janë njerëz në nevojë, po largohen nga shtëpitë e tyre, jo sepse duan të marrin diçka nga shtëpitë e të tjerëve, por sepse jeta e tyre është në rrezik”.

Rama thotë se ndihet me fat që ka qenë në gjendje të ndjekë ëndrrat e tij.
“I jam shumë mirënjohës qeverisë britanike që më lejoi të qëndroja atje gjatë kohës së luftës në Kosovë”.

Ai kërkon që bota të bashkohet përsëri për të treguar humanitet për refugjatët që trokasin në dyert e Europës.

“Është e nevojshme që t’i hapim këto dyer, t’i presim ata dhe t’i ndihmojmë për të ardhmen e tyre, për një jetë më të mirë”./Botasot/

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: