Nga: Artan FUGA

Objekti që mendohet dhe mendimi që e mendon atë që mendohet janë e njejta gjë – shkruan Heideggeri duke iu referuar një interpretimi të Heraklitit.

Me një fjalë jashtë asaj që është duke qenë dhe mendimit që mendon atë që është duke qenë nuk ka dallim. Eshtë një “afto” do të thoshin grekërit e lashtë – shkruan Heideggeri. Sepse ajo që është duke qenë merr qënie nëpërmjet asaj që është dhe e vetmja qënie që është e sigurt është njeriu i përmbledhur te mendimi që mendon atë që është duke qenë. Dhe mendimi duke menduar qenien nis të mendojë edhe veten e tij, pra mendimi mendon mendimin, çka e bën mendimin të pakapshëm nga mendimi ose aq të kapshëm si mendim i mendimit.

Qenia është duke qenë sepse midis asaj që është dhe asaj që është duke qenë ka një vajtje – ardhje të pandërprerë. Kur e mendojmë atë që është duke qenë e bëjmë me anë të mendimit i cili në të vërtetë nuk mund të kapi specifikat e asnjë qenieje që është duke qenë, por kap vetëm qenien si të tillë në përgjithësi si diçka abstrakte.

Por qenia si e tillë mendohet nisur nga qenia që është duke qenë. Në këtë mënyre qienia e mendimit bën të mundur kalimin e pafiksueshëm në qetësi, por vetëm në kalim nga qenia te qenia që është duke qenë dhe anasjelltas. Pikërisht këtu ne kemi ndriçimin e qenies që shfaqet si “pala” e qenies dhe mendimi, si qenia e vetme e asaj që eshtë duke qene, “shpalos” pikërisht pikërisht “palën” e qenies që ai mendon.

“Shpalosja” e qenies, “pala” e qenies dhe mendimi janë e njejta gjë. Pra në këtë mënyrë sado të ndryshme të jenë qeniet që janë duke qenë, në thelb janë një, pra njëshi është gjithçkaja dhe gjithçkaja është një, sikurse thoshte Herakliti “En panta”.

Duke bërë këtë ndriçim të qenies që barazon – “afto-n” -, qenien që është duke qenë me mendimin e qenies. Kështu ndriçohet qenia, por e cila duke na paraqitur qeniet që janë duke qenë shkrihet me to dhe ne nuk jemi në gjendje ta ndriçojmë atë. Në këtë mënyrë ne na ndodh “harresa” e qenies pikërisht në çastin kur qenia ndriçohet.

Ju duket e vështirë, e pakuptueshme? Kjo është filozofia. Për ata që më pyesin si të mësojnë të filozofojnë. Ju duket absurde, e vështirë? E kuptoj, por pse kimia organike a nuk êshtë po aq e pakuptueshme, po matematika, etj?

Prandaj mos tallemi me filozofinë e shkollës të mesme sepse pastaj, po kaloi ajo moshë bosh, s’ka Zot që e bën njeriu të filozofojë sadopak, pra të jetë njeri.

Në vend të filozofisë ose prodhon delire ose budallalliqe!

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: