Ka plot 73 vjet që ka ndërruar jetë, por figuron i gjallë. Më e keqja është se ai nuk mund të vdesë. Nuk ekziston asnjë mundësi tashmë. I vetmi shans që ai të figuronte i vdekur ishte e bija e tij, sot 80 vjeçe. Por edhe ajo i ka të humbura të gjitha betejat. Dhe kështu vitet ikin dhe ai ka mbushur 145 vjeç…

Rasti i paprecedent vjen nga Elbasani. Bëhet fjalë për të ndjerin Mehmet Nurihana që iku nga kjo botë më 17.3.1945. Ai u shua në fshatin Pajovë të Peqinit. Dhe i biri e varrosi atje.

Mehmet Nurihana ishte një kafexhi i njohur në Elbasan. Ai banonte me familjen e tij në lagjen “Spajkore”. Kur shkoi në moshë të thyer i pëlqente të qëndronte tek i biri, hoxhë Hasan Nurihana (Shemja), që shërbente në Pajovë të Peqinit. Nuk iu nda djalit deri sa vdiq.

Por, që nga ajo kohë ai nuk figuron i çregjistruar në librat e gjendjeve civile as në Pajovë, as në Elbasan, as në arkivat e rrethit apo arkivën qendrore, transmeton infoelbasani.al.

Faika Nurihana e bija

E bija e tij, Faika Nurihana (Zaimi), ka disa vite që përpiqet që babai t’i prehet i qetë shpirti. Është interesuar kudo, në gjendje civile, në fshat, në qytet, në Elbasan, në Tiranë. Por jo. I kanë thënë se babai i figuron i gjallë.

Në vitin 2012 vendosi t’i drejtohet Gjykatës së Elbasanit. Madje kapi edhe avokatë. Por në fund çështje u pushua dhe vendimi i gjyshit ishte se ai mbetet i gjallë!

“Nuk di çfarë të bëj. Ku nuk kam shkuar. Jam 80 vjeçe dhe ditët i kam të numëruara. Por babain nuk mund ta shpall të vdekur. Ne fëmijët po ikim një e nga një, por ai figuron i gjallë. Shkova në fshat, pyeta në gjendjen civile. Më thanë është gjallë. Pyeta të moshuar atje që mund ta mbanin mend. Por kur vdiq ai ata kanë qenë shumë të vegjël. Pyeta në Elbasan. Është gjallë më thanë. Shkova në Arkivën e Shtetit. Dhe atje më thanë që jeton. Kur marrin certifikatat familjare,ai figuron i gjallë në trungun familjar. Hapa një proces gjyqësor dhe harxhova edhe disa para. Unë jam pensioniste dhe merret mend sa para kam. Por në fund gjykata më tha se nuk fiton. Babai nuk mund të vdesë. Një prej atyre më këshilloi që të shkoja në fshat, të vendosja një gur varri me foton e babait dhe të gdhend shkronjat e lindjes dhe
vdekjes me shifra romake. Nuk di çfarë të bëj më shumë. Tani po mendoj që ti kërkoj 73 vite pension se ai është gjallë. Atëherë ndoshta më japin të drejtë këta.”

E moshuara nuk e beson se nuk gjen zgjidhje. “Do përpiqem edhe njëherë për herë të fundit. Ndoshta fitoj sa jam me frymë. Në mos ai mbetet përjetësisht i gjallë”, thotë ai.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb