Armando Cungu bën ironi me akuzat e ditëve të fundit se Vllaznia e tij do të tolerojë në ndeshjet e së shtunës ndaj Skënderbeut. Në daljen para mediave në prag të këtij takimi, tekniku shkodran i cilësoi këto aludime produkt të “demokracisë së turbullt dhe tranzicionit të pafundmë”. Sipas tij, këto sulme janë të qëllimshme dhe ai e mbrojti lojtarët e tij duke siguruar se sa të jetë trajner, Vllaznia nuk do të tolerojë asnjë kundërshtar.

“Në demokracinë tonë të turbullt, në tranzicionin e pafundmë 27-vjeçar, sigurisht që gjithsecili ka të drejtë të mendojë, të komentojë dhe të shprehet. Ashtu siç është e drejta ime të mbroj skuadrën dhe këta djem. Po e them publikisht: atë çfarë ka arritur Vllaznia deri më sot e ka arritur me shumë mund e djersë të derdhur dhe askush nuk i ka falur gjë. Nëse dikush ka diçka për të shtuar, të japë faktet. Më vjen shumë keq kur ky sulm na vjen edhe nga shkodranët. 27 pikët e marra deri më sot i kemi merituar dhe mbase duhej të kishim pasur edhe ndonjë më shumë”, u shpreh Cungu.

“Unë si trajner jam munduar ta mbaj skuadrën larg këtyre thashethemeve ndonëse në futbollin shqiptar dhe sidomos në Shkodër, ato janë të pafundme, – vijoi ai. -. Madje, po ju tregoj se para se të vija në këtë konferencë për shtyp, u informova se sipas tavolinave të Shkodrës, edhe ndeshja me Flamurtarin ka qenë e kurdisur, e luajtur!!! Nuk e di kush janë këta persona që shpikin gjëra të tilla, kur të gjithë që e kanë parë ndeshjen kanë qenë pranë një infarkti për nga mënyra si rrodhën ngjarjet. Por duket se gjërat kështu janë gatuar. Kur fitohet është e blerë, kur humbet është e shitur”.

“Dua t’i garantoj të gjithë edhe njëherë se Armando Cungu kudo ku ka punuar dhe për më tepër tani te Vllaznia, nuk ka shanse t’u thotë edhe njëherë të vetme futbollistëve që të tolerojnë. Kërkesa ime e vetme është fitorja në çdo ndeshje. Këtë gjë do të kërkoj edhe nesër, ndoshta edhe më shumë, duke pasur parasysh edhe gjithë këto fjalë që kanë qarkulluar ditët e fundit”, theksoi tekniku kuqeblu, sipas të cilit, pavarësisht mungesave të shumta, skuadra e tij do të kërkojë të bëjë maksimumin në takimin me korçarët.

“Normalisht që është ndeshje e rëndësishme. Fakti që luajmë në shtëpi dhe për më tepër kundër ekipi kampion në fuqi, i jep edhe më shumë rëndësi asaj. Megjithatë jemi munduar ta konsiderojmë ndeshje të radhës dhe ta përgatisim sa më mirë, ndonëse kemi jo pak probleme. Por unë besoj se djemtë kanë për të dhënë më të mirën e tyre. Janë një numër i madh lojtarësh që fatkeqësisht nuk janë në dispozicion për nesër. Pavarësisht kësaj, jemi munduar të bëjmë më të mirën dhe ata që do të luajnë, të shpresojmë se do tregojnë karakterin e tyre edhe këtë herë, ashtu siç kanë bërë gjithë këto ndeshjet e fundit”, tha trajneri.

“Nuk do ta kemi të lehtë, përballë do të kemi një ekip të uritur për të rimarrë kreun dhe përpos kësaj, kemi edhe ne problemet tona. Gjithsesi, ata që do të luajnë do të hyjnë në fushë me një objektiv të vetëm për ta fituar ndeshjen. Kjo do të ishte përgjigja më e mirë për të gjithë thashethemet dhe aludimet e krijuara dhe për këtë arsye. Besoj edhe lojtarët kanë për të sakrifikuar në fushë”, e mbylli Armando Cungu deklaratën e tij.

Në të njëjtën linjë ka qenë edhe kapiteni Ndriçim Shtubina, i cili nesër do të luajë si mbrojtës për shkak të mungesave të shumta në këtë repart: “Kam luajtur edhe 2-3 herë të tjera si mbrojtës dhe për mua nuk përbën ndonjë problem. Mundohem të bëj maksimumin gjithnjë, por këtë herë kam një përgjegjësi edhe më të madhe. Si unë edhe gjithë shokët e ekipit, nisur nga zhurma që po bëhet. Disa persona mesa duket kanë dëshirë të bëhen protagonistë duke dalë nëpër gazeta dhe duke u marrë me Vllazninë, por kjo nuk ka ndonjë ndikim të madh tek ne dhe nuk na bëjnë përshtypje. Mundësitë i kemi për të marrë një rezultat të mirë. Kemi mungesa, por ata që do të luajnë, jam i sigurt se kanë për të dhënë maksimumin edhe për t’i treguar trajnerit se e meritojnë edhe ata një vend në formacion për çdo ndeshje dhe jo vetëm kur ka mungesa. Ndoshta dikush mendon se Vllaznia ka shpëtuar, por po nuk fituam ndeshjet, nuk shpëtojmë. Duhet të bëjmë shumë kujdes, sepse me dy humbje shkojmë në fund. Por, Vllaznia ka një ekip të mirë dhe besoj se do t’ia dalim të arrijë objektivat që ka. Për këtë duhet shumë punë dhe të mos merremi me fjalë”./panoramasport

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: