Serbia e ka kritikuar vendimin e Bosnje Hercegovinës, për të dërguar në apel vendimin e vitit 2007 të një gjykate të OKB-së, e cila e kishte hedhur poshtë padinë boshnjake ndaj Serbisë për gjenocid gjatë luftës së viteve 1992–1995.

Ministri i jashtëm serb, Ivica Daçiç, i ka thënë sot televizionit shtetëror serb se vendimi është “shumë i rrezikshëm” dhe mund “të destabilizojë jo vetëm Bosnjën e Hercegovinën, por tërë rajonin.

Bakir Izetbegovic, pjesëtari boshnjak i presidencës tri palëshe të Bosnjes ka thënë dje se kërkesa boshnjake do të deponohet para se të skadojë afati 10 vjeçar për t’ia dorëzuar apelit kërkesën, më sakt para datës 26 shkurt.

Vendimi mund të nxisë krizë politike në Bosnje, pasi ligjvënësit serbë kanë thënë se do e bojkotojnë parlamentin boshnjak si protestë ndaj vendimit në fjalë, shkruan “rel”.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në vitin 2007 e ka shfajësuar qeverinë në Beograd rreth përgjegjësisë për vrasjen, përdhunimin dhe spastrimin etnik në Bosnje gjatë shpërbërjes së Jugosllavisë në vitet e ’90-ta.

Në vendim megjithatë thuhej se Beogradi nuk ka arritur të parandalojë gjenocidin e kryer në masakrimin e vitit 1995 në Srebrenicë ku 8 mijë burra dhe djem janë vrarë nga forcat serbe të Bosnjes.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: