Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiç, tha sot se me konfirmimin e marrëveshjes  për themelimin e Fondit për Ballkanin Perëndimor në asnjë mënyrë nuk paragjykohet çështja e  statusit të Kosovës.

Kryediplomati serb tha në parlament se asnjë veprim i ndërmarrë nga Qeveria e Kosovës për përmbylljen e marrëveshjes nuk do të konsiderohet si i vlefshëm nëse tejkalon kompetencat e siç i quajti ai “Institucioneve të Përkohshme”, transmeton Klan Kosova.

Ai shpjegoi se Fondi për Ballkanin Perëndimor është formuar në modelin e Fondit të Vishegradit për të ndihmuar zhvillimin e bashkëpunimit dhe të inkurajojë zhvillimin e marrëdhënieve midis shoqërisë civile, sektorit akademik përmes projekteve të përbashkëta, të tilla si promovimin e bashkëpunimit kulturor, bashkëpunim në fushën e shkencës dhe arsimit, promovimin e zhvillimit të qëndrueshëm.

Daçiq ka thënë mes tjerash e marrëveshja është një vazhdimësi e asaj të arritur në negociatat me Prishtinën dhe ishte nënshkruar nga Borko Stefanoviq , ish-shef i ekipit negociator serb, raporton “Tanjug”.

Fondi për Ballkanin Perëndimor  synon forcimin e lidhjeve dhe nxitjen e integrimit evropian të Shqipërisë, Bosnjës, Malit të Zi, Kosovës, Maqedonisë dhe Serbisë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: